Jona Suli

JONA SULI
Drejtor i Përgjithshëm / Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje


Znj. Jona Suli kryen detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe ka përfunduar studimet e ciklit Master Shkencor në të Drejtë Publike. Më tej është kualifikuar në të Drejtë Europiane dhe Ndërkombëtare në “Vrije University” në Bruksel, si edhe është certifikuar nga Shkolla Kombëtare e Avokatisë.

Znj. Suli vjen në krye të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje pas një përvoje të larmishme në administratën shtetërore, e cila ka nisur në Ministrinë e Kulturës në vitet 2016-2019, për të vijuar më pas në agjencinë që drejton si Koordinatore në Kryeministri pranë Drejtorisë së Bashkëqeverisjes (2019-2021), ku në fokus të punës së saj ka qenë menaxhimi i ankesave, koordinimi me institucionet, analizimi i raporteve dhe promovimi i aktiviteteve të bashkëqeverisjes.

Në vitet 2021-2023, kontributi i znj. Suli në sektorët e turizmit dhe të mjedisit në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit i parapriu detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë.

Performanca pozitive dhe rezultatet konkrete në drejtimin e kësaj agjencie, sollën që në dhjetor të vitit 2023 znj. Suli t’i besohej pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Mbështetja e prioriteteve të qeverisë, ndihma në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe mbikëqyrja e zbatimit të projekteve gjetën pika të forta takimi me misionin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje që nga ofrimi i shërbimeve publike për të garantuar gjithëpërfshirje në politikëbërje dhe vendimmarrje përmes platformës elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam”, por edhe me aspekte të tjera si mbështetja e projekteve dhe e programeve për një shoqëri të hapur dhe për institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile, rinisë dhe aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme që nga inovacioni, krijimtaria, transparenca, arsimi, rinia, shkenca deri te arti dhe kultura.

Ky mision i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje është tashmë edhe misioni i znj. Jona Suli si Drejtor i Përgjithshëm i kësaj agjencie prej gushtit të vitit 2024 e në vazhdim.