BIBLIOTEKA E KRYEMINISTRISË
Biblioteka e Kryeministrisë hapi dyert e saj më 8 Korrik 2015 si pjesë e COD në Kryeministri.
Biblioteka ka si qëllim t’i ofrojë publikut një mjedis të hapur dhe modern nga ku mund të shfrytëzohen koleksione me tematika të ndryshme kryesisht marrëdhënie ndërkombëtare, BE, shkenca politike, histori, arkitekturë, art, urbanizim, etj. Ajo është pjesë e sistemit online COBISS (Sistemi për shërbimet e përbashkëta bibliografike online), i cili ofron akses në 90 mijë tituj dhe është model reference për platformën e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit.
Në Bibliotekën e Kryeministrisë mund të gjenden koleksione të rralla librash, dorëshkrime, periodikë të ndryshëm, fjalorë, enciklopedi dhe gjithë fondi i Vendimeve të Këshillit të Ministrave, prej vitit 1945 e deri më sot. Gjithashtu në mjediset e saj mund të shfrytëzohet arkivi digjital i dokumenteve e fotove të Këshillit të Ministrave prej vitit 1912.
Fondi i Bibliotekës është pasuruar edhe me koleksione të veçanta të dhuruara nga ambasada të ndryshme, si ajo Amerikane, Italiane, Gjermane, Franceze, Austriake, Turke, Serbe e Kineze. Kryesisht ato janë botime që tregojnë për historinë dhe kulturën e vendeve përkatëse, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, politike, social-kulturore me vendin tonë e më gjerë.
Koleksione të veçanta ka dhuruar Osa Archivum i Budapestit, Akademia e Shkencave e Tiranës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Italian i Kulturës. Fondi është pasuruar edhe me një koleksion të përzgjedhur nga biblioteka personale e Ardian Klosit, dhuruar nga familja e tij.
Biblioteka e Kryeministrisë ofron gjithashtu botime të veçanta të digjitalizuara nga Biblioteka Kombëtare, koleksione kryesisht me tematikë formimin e shtetit shqiptar, ligje, dekrete, ndarje territoriale etj. nga viti 1912-1939