Sezoni I

                     08 Korrik – 31 Dhjetor 2015

COD çel dyert e Kryeminstrisë Shqiptare

 

Tiranë, 8 korrik 2015 – Përurimi i COD (Center for Openness and Dialogue), e vendosur në hollin e ndërtesës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, shënon një moment shumë të rëndësishëm në kuadër të nismës së Qeverisë shqiptare për të ofruar qasje të lirë në institucionet dhe  dokumentet publike e për t’i vënë ato në dispozicion të qytetarëve dhe të institucioneve kërkimore e artistike, brenda dhe jashtë vendit.

COD ofron një kombinim unik të tri hapësirave: një sallë digjitale që i ofron publikut qasje në arkivin e digjitalizuar të Kryeministrisë, i cili përmban me mijëra dokumente, përfshirë vendimet e Këshillit të Ministrave dhe korrespondencën e brendshme të institucionit; një bibliotekë të regjistruar sipas standardeve ndërkombëtare, falë së cilës vizitorët në COD do të kenë qasje në mijëra biblioteka anembanë botës, të specializuara në fushën e politikës, Bashkimit Europian, artit, arkitekturës dhe planifikimit urban; si dhe një sallë ekspozitash, në të cilën do të organizohen ekspozita artistike. Me këtë profil, COD synon të kthehet në një laborator kreativ, në të cilin mund të hulumtohet kufiri ku bashkohen dhe mbivendosen potencialet e fushave të ndryshme të artit, politikës e kërkimit shkencor.

E ngritur në kujdesin e kryeministrit Edi Rama, COD u ofron studentëve e studiuesve, artistëve e kuratorëve, gazetarëve e aktivistëve të shoqërisë civile, si dhe publikut të gjerë, një vend ku idetë marrin formë, ku mendimi kritik informon artin dhe kultura ndriçon politikën, një qendër ku ata mund të ndryshojnë dhe emancipojnë politikat që do t’i hapin rrugën progresit të së ardhmes. Duke ofruar një qasje të hapur dhe transparente përmes formave të ndryshme të dialogut publik, COD ka për qëllim të demistifikojë një institucion, i cili deri më sot ka qenë i mbyllur për qytetarët, edhe pse ka ndikim shumë të madh në jetën e tyre.

Duke sjellë pranë njërit-tjetrit burime parësore, intelektualë, studiues dhe artistë shqiptarë e ndërkombëtarë, COD synon të shndërrohet në një platformë ku takohen këndvështrimet universale e individuale dhe ku identifikohen e ndërlidhen perspektivat lokale dhe ato ndërkombëtare. Për këtë arsye, COD hap dyert me disa prezantime të spikatura: një ekspozitë me veprat e artistëve të famshëm ndërkombëtarë Thomas Demand, Carsten Holler dhe Phillipe Parreno dhe një projekt të kuruar nga Zef Paci, profesor i Historisë së Artit dhe Pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Teksa i afrohen hyrjes së COD, vizitorët do të zbulojnë Kërpudhën Gjigante me Tri Pjesë (2015) të vendosur në hapësirën e gjelbër në të djathtë. Ndërtuar si një kërpudhë e madhe, e përbërë nga tri pjesë unike që të sjellin ndër mend vende e kultura të ndryshme si dhe një vijimësi mes asaj që të ushqen e asaj që të helmon, Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë mund të perceptohet si një koment për politikën shqiptare. E realizuar posaçërisht për COD, kjo vepër nga Carsten Holler na sjell ndër mend format e ndryshme të dijes që njerëzimi ka krijuar dhe i zhvillon në vazhdimësi.

Në hyrje të COD vizitorët do të kalojnë poshtë Markizës Tirana 2015, të realizuar nga Phillipe Parreno, një skulpturë e madhe që ndriçon hyrjen për në godinë. Në linjë me veprat e tjera të ngjashme që Parreno ka ekspozuar në Muzeun Guggenheim në Nju Jork, Pallatin e Tokios në Paris dhe në Pallatin historik Grassi në Venecia, Markiza e madhe, njëherazi e shoqëron dhe e mirëpret publikun, si për të ndriçuar e për të vënë në pah kufirin ku takohen kultura dhe politikat, dituria dhe mendimi kritik, mjedisi i jashtëm dhe i brendshëm.

Në mjediset e COD vizitorët përballen me tri vepra të Thomas Demand: Tribute/Haraçi (2011), Attraction/Joshja (2013) dhe Sign/Simboli(2015). Vepra e fundit, e ekspozuar për herë të parë në COD, përcjell skenën e një punishteje ku po prodhohet një simbol për Panaririn Botëror të Nju Jorkut, të organizuar në vitin 1939. I portretizuar në formë të papërfunduar, Sign/Simboli – shtrëngimi i duarve simbolizon “partneritetin mes njerëzve të botës, përmes shoqërisë së konsumit” – duket se bën fjalë për çështjet e pazgjidhura, turbulluese dhe shpresëplota, të cilave kjo shenjë u referohej dikur.

Artistët i kanë dhuruar bujarisht popullit shqiptar Markizën e Tiranës dhe Kërpudhën Gjigante me Tri Pjesë, ndërsa ekspozita e Thomas Demand është kortezi e artistit.

sallën digjitale vizitorët mund të sodisin ekspozitën e kuruar nga profesori shqiptar i artit Zef Paci, e para e serisë së ekspozitave me titull “Fotografia rishkruan historinë”, ku kuratorë nga fusha të ndryshme do të eksplorojnë një subjekt të zgjedhur prej tyre, duke përdorur një koleksion të pasur fotosh të ATSH, dokumente të AQSH dhe fondin e digjitalizuar të arkivit të Kryeministrisë,  që përfshin revista e vendime zyrtare qeveritare të së shkuarës totalitare, të gjitha të vëna në dispozicion nga nisma për hapje dhe dialog COD.

harta-2


1. Carsten Höller

Giant Triple Mushroom, 2015
(Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë)
Qeleposhja e kuqe – Fliegenpilz – Amanita muscaria
Kërpudhë boshe – Lila Dickfub – Cortinarius
Traganus / koral në formën e havanit – Herkuleskeule
– Clavariadelphus pistillaris
Riprodhim poliestër i kërpudhës, bojë poliestër, rrëshirë sintetike,
bojë akrilike, tel, stuko, poliuretan, shkumë e ngurtësuar,
çelik që nuk ndryshket.
Lartësia 320 cm

 

4. Thomas Demand

Sign, (Simboli) 2015
C-Print/Diasec
Dhuratë e artistit
200cm x 259,5 cm

2. Philippe Parreno

Marquee Tirana, (Markiza Tirana) 2015
120 x 400 x 83 cm
Strukturë metalike, neon, LED, pleksiglas opali
60 mn kompozicion i lehtë

 

5. Thomas Demand

Attraction, (Joshja) 2013
C-Print/Diasec
300 cm x 240 cm

3. Thomas Demand

Tribute, (Haraçi) 2011 C-Print/Diasec
166 cm x 125 cm
Dhuratë e artistit

Salla Digjitale “Fotografia rishkruan historinë”
6. Zef Paci

Jeta politike dhe e
përditshme ‘45-‘91
Projeksion në 2 ekrane
përballë njëri-tjetrit