Qendra për Hapje dhe Dialog vjen si rezultat i iniciativës së Kryeministrit Edi Rama. Objektivi ishte i thjeshtë: të transformohej një pjesë e selisë së Këshillit të Ministrave në një hapësirë në shërbim të qytetarëve, që të përçojë mesazhin e hapjes, transparencës dhe transformimit. Përkthimi i këtij objektivi në projekt konkret ka qenë, pa dyshim, një punë ku e ku më sfiduese.
Si mund të shndërrohet vallë një ndërtesë historike e me masa të larta sigurie, e izoluar nga kontakti me qytetarët që kalojnë përditë para saj, në një mjedis të hapur dialogu e shkëmbimesh? Si mund të shndërrohet një hapësirë që deri më sot është parë nga qytetarët si qendra hijerëndë e pushtetit, në një hapësirë që i fton për përfshirje në studimin, hartimin dhe zbatimin e politikave publike? Si mund të rikonceptohet ajo në shenjën e transparencës, hapjes dhe transformimit, duke sjellë diçka të re dhe unike për qytetarët shqiptarë?
Projekti që vjen te qytetarët në formën e tij përfundimtare ia ka dalë t’u japë përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve e dilemave jo të lehta. Qendra për Hapje dhe Dialog, COD, u jep qytetarëve shumë më tepër sesa thjesht akses fizik në ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Me ndihmën e infrastrukturës digjitale dhe punës së kuratorëve për hapjen e arkivit të Këshillit të Ministrave, kjo qendër u jep praktikisht qytetarëve, studiuesve apo të interesuarve, akses të plotë në çdo vendim, dokument apo material që lidhet me vendimet dhe politikat e qeverisë, por jo vetëm. Një pjesë e rëndësishme e saj është Biblioteka e Kryeministrisë, me asetet e pasura në lëmet e politikëbërjes, integrimit europian, diplomacisë e më tej, duke ofruar kësisoj një burim të pasur e deri më sot thuajse të pamundur për t’u shfrytëzuar, për këdo që ka interes të thellohet në studimin e sfidave të qeverisjes.
Veç koleksioneve të dokumenteve dhe fotove të Këshillit të Ministrave në arkivin digjital të COD, biblioteka përmban koleksionet e shkencave administrative dhe politikave publike, koleksionin mbi Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, koleksionin mbi artin dhe urbanizimin, koleksionin special me libra, dorëshkrime, letra personale e të tjera dokumente të rralla, si dhe koleksionet periodike.
Natyrisht, aksesi në informacion është vetëm njëra anë e medaljes. COD ka në thelb të misionit të tij, jo thjesht përçimin e informacionit, por edhe përthithjen e opinioneve e mendimeve, shkëmbimet intelektuale e artistike, të cilat janë konceptuar në fakt, si pjesa më vitale dhe unike e këtij projekti.
I përbërë nga tri hapësira, – biblioteka, ku gjenden hapësirat për studim; salla digjitale, ku shfaqen projeksionet e prezantimet; dhe salla e ekspozitave “Tako Artistin”, COD ofron një vizion hapjeje dhe progresi demokratik, ndërkohë që çdonjëra prej sallave është konceptuar të shërbejë si katalizatori i një zinxhiri transformimesh në përqasjen ndaj qeverisjes.
Secila prej këtyre hapësirave funksionon në bazë të një kalendari të integruar, i cili përmban ekspozita tematike dhe të artistëve individualë, gjithnjë të organizuara në bazë të thirrjeve të hapura, që kanë si temë interesin publik. COD zhvillon e kuron lidhje me një rrjet ndërkombëtar intelektualësh, akademikësh, artistësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile, për të siguruar një jetë aktive, të pavarur e të pasur aktivitetesh dhe ngjarjesh.
COD është i hapur për publikun nga e hëna në të premte 9:30-14:00 dhe 17:30-20:30 dhe ditën e shtunë 17:30-20:30.
Për referenca të sallave të COD
Shihni- 3D Virtual Tour