Ekspozitë

Imazh per banner, ne dimensione H 280 x L 210
Në kuadër të ‘Ditës së Mësuesve’ COD organizoi eventin shoqërues të ekspozitës “Rrugëtimi i Abetares”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Bibliotekën Kombëtare.
E gjithë kronologjia e rrugëtimit të abetares shqipe, shfaqet për herë të parë për publikun duke evidentuar botime që nga viti 1844.

Rrugëtimi i abetares

“Ëvetar” i Naum Veqilharxhit njihet si abetarja e parë e gjuhës shqipe, një libërth prej tetë faqesh, shkruar me një alfabet të veçantë. 

Punën e Veqilharxhit e vijoi Konstandin Kristoforidhi, një figurë tjetër e shquar e Rilindjes sonë Kombëtare, i cili në vitin 1867 botoi dy abetare (një gegërisht dhe një toskërisht), e me to u mësoi shqipen shumë bashkatdhetarëve duke u endur nëpër Shqipëri. 

Epokën e re për librat shkollorë dhe përgatitjen e terrenit për shkollën kombëtare e përgatitën figurat e njohura, si: Jani Vretoja, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Koto Hoxhi, të cilët, gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuan “Alfabetaren e gjuhës shqipe”. 

Më pas, rruga e abetares shqipe kaloi ndër emra të njohur, si: Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi, Nikolla Lako, Simon Shuteriqi etj., dhe në vitet e mëvonshme Aleksandër Xhuvani, Mati Logoreci, Jani Minga etj. Ata punuan me përkushtim brenda dhe jashtë vendit. 

Autorët e abetareve sillnin modele të ndryshme, në varësi të formimit të tyre shkencor e didaktik që kishin marrë në vendet e studimeve nga literatura didaktike dhe abetaret e huaja. 

Ata kanë meritë të lartë, sepse bënë një punë të jashtëzakonshme për të hartuar abetare për fëmijët shqiptarë, abetare që i shkonin për shtat gjuhës sonë dhe kombit tonë. 

Kongresi i Manastirit standardizoi alfabetin e gjuhës shqipe me shkronjat që përdorim sot. Përpara këtij kongresi gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. 

Punimi i mirëfilltë shkencor i abetares shqipe u bë pas vitit 1944. Përgatitja e abetares u vu mbi baza shkencore, pedagogjike e gjuhësore. 

Kolë Xhumari ishte thuajse autori i vetëm i abetares në vendin tonë deri në vitet 1990. 

Në vitet 2000-2001, me procedura zyrtare, u organizua konkurs mbarëkombëtar për zgjedhjen e abetares. 

Në vitin 2012, për herë të parë u hartua dhe u miratua abetarja e përbashkët Shqipëri – Kosovë, që konsiderohet si hapi i parë konkret për përafrimin e kurrikulave dhe të teksteve shkollore për gjuhën, historinë, gjeografinë dhe trashëgiminë kombëtare.

Foto

Video

Screenshot 2022-03-09 at 16.01.20