SENDE TE ASKUJT SI TRASHËGIMI E ARKIVUAR
Shembuj të sendeve të askujt tashmë, materiale stok dhe objekte nga koha e totalitarizmit, të gjetura në magazinat e shtetit, sillen në vëmendje të artistit dhe publikut njëkohësisht, me qëllim riprezantimin me to, rikonsiderimin dhe eventualisht, rehabilitimin nga përdorimi dhe ngjyrimi i dëshpëruar i së shkuarës, nëpërmjet formave të ndryshme ndërmjetësuese bashkëkohore.
Projekti ka për qëllim gjetjen e rrugëve krijuese që mbështesin dhe në të njëjtën kohë ruajnë kujtesën tonë kolektive.
A mund të ngremë një urë dialogu mes funksionit përfundimtar të këtyre objekteve në të shkuarën dhe mundësive të kuptimit të tyre në të ardhmen? A mund t’i emancipojmë këto objekte, t’i çlirojmë nga konteksti historik dhe nga ana tjetër, të fokusohemi te fuqia dëshmuese e “Made in Albania” dhe “Sende të Askujt”, të cilat janë dëshmitare të mbetura të industrive të humbura prej nga edhe dolën?
I lënë për dekada në harresë, ky koleksion i çuditshëm i produkteve industriale dhe shtëpiake, përbëhet që nga mobiljet, ndriçimi, materialet elektrike e deri te sendet e dekorimit dhe argëtimit.
Disa prej tyre, ekskluzivisht për përdorim nga liderët komunistë dhe vetëm në banesat e tyre, u blenë jashtë vendit gjatë viteve të diktaturës.
Mund të gjesh varietete sendesh në këto magazina: që nga vaskat e porcelanit te topat e bilardos, nga drapëri e gozhda, te pasta e dhëmbëve, nga kitara te vathët, nga çarçafët te llampadarët. Përveç këtyre sendeve të “luksi”-t dhe në kontrast të plotë me to, në këto magazina gjejmë edhe një koleksion të konsiderueshëm të prodhimeve “Made in Albania” nga industritë vendase, produkte që ishin për përdorim në shtëpitë modeste të shqiptarëve të thjeshtë, që jetonin të izoluar nga bota përtej.
Këto produkte na rikujtojnë fjalë aq të zakonshme të fjalorit tonë të dikurshëm. Uzina e Telave në Shkodër, Kombinati i Tekstileve “Stalin” në Berat, Ndërmarrja Artistike “Migjeni” në Tiranë, Fabrika e Qelqit në Kavajë, për të përmendur vetëm disa prej tyre
Falë rregullave strikte të inventarit, metra pa fund teli nga Uzina e Shkodrës, material tekstil nga Kombinati i Beratit, suvenirë origjinalë nga Artistike “Migjeni”, janë ende me ne dhe ndoshta metrat, copat dhe kilogramët e fundit të lënë si dëshmi e së kaluarës.
Seritë e objekteve të vendosura këtu në “Made in Albania”, bashkë me numrin e dosjeve të inventarit, kartelat me çmimet origjinale të kohës dhe shumë e shumë sende të tjera, që gjenden ende në magazina, e prezantojnë vetveten para publikut si dëshmitarë të arkivuar të së kaluarës së përbashkët.
Koleksioni i kufizuar, i prezantuar këtu në “Made in Albania”, është vetëm një shikim i beftë i projektit “Sende të askujt, si trashëgimi e arkivuar”, që vjen së shpejti si ekspozitë autonome.
Edit Pula
Artiste/ Këshilltare për Kulturën,
Bashkia Tiranë