Thomas_Alb_Vers-1

photo: Thomas Demand, VG Bild-Kunst, Bonn© Thomas Demand, 2015

Fotografitë mund të duken bindshëm reale dhe çuditërisht artificiale. Vepra e artistit me famë ndërkombëtare të lindur në Gjermani, Thomas Demand, karakterizohet nga një ekuilibër i turbullt mes reales dhe artificiales. Demand lindi në vitin 1964 dhe studioi për skulpturë, por filloi të përdorte fotografinë si mjet për të dokumentuar konstruksionet e tij të përkohshme prej letre. Në vitin 1993 Demand e ndryshoi kahjen e veprës së tij duke krijuar konstruksione vetëm për t’i fotografuar. Falë kombinimit në pjesë të barabarta të konceptualizmit dhe artizanatit, Demandi e çon fotografinë si mjet shprehjeje drejt kufijve të paeksploruar më parë.

Publiku që i sheh për herë të parë fotografitë e Thomas Demand mund të mos e kuptojë menjëherë rëndësinë dhe sfondin e tyre narrativ. Në mungesë të një teksti shpjegues gjatë ekspozimit të tyre në galeri, imazhet tregojnë vende boshe pa asnjë detaj identifikues. Kur sheh një sallë konferencash plot me mbeturina, shikuesi ndoshta nuk e kupton se ajo është skena e një përpjekjeje të dështuar për vrasjen e Hitlerit; në përballjen me fotografitë e disa apartamenteve të zakonshme, shikuesi mund të mos hamendësojë se ato i përkasin ambasadës së Nigerisë në Romë, në të cilën u fut fshehurazi dikush që vodhi letra boshe me logon zyrtare, letra të cilat u përdorën më vonë për të fabrikuar prova se Iraku po përpiqej gjoja të blinte uranium nga Nigeria; shikuesi mund të mos e vënë re faktin se një kuzhinë e rrënuar në një nga fotografitë e Demand është vendi ku diktatori Sadam Husein gatoi vaktin e tij të fundit para se të kapej.

Demand e nis me imazhe ndikuese të zgjedhura nga media, zakonisht imazhe nga një ngjarje politike, të cilën ai e shndërron në një model me madhësinë e vet natyrale, realizuar me letër shumëngjyrëshe dhe karton. Riprodhimet e hapësirave arkitekturore dhe mjediseve natyrore nga Demand, të gjitha të realizuara me dorë, ngrihen mbi imazhin e imazheve të tjera. Pra, fotografitë e tij janë trefish larg nga skenat apo objektet që kanë për qëllim të përshkruajnë. Menjëherë pasi i fotografon, ai i shkatërron të gjitha modelet.

Në hollin kryesor të Qendrës së Hapur për Dialog/Center for Opennes and Dialogue – COD në Tiranë janë ekspozuar tri vepra fotografike nga Demand: Tribute/Haraçi, 2011, Attraction/Joshja, 2013, si dhe Sign/Simboli, 2015, një vepër e re, e cila ekspozohet për herë të parë në COD. Vepra përshkruan një skenë punishteje ku po prodhohet një simbol për Panairin Botëror të Nju Jorkut “Ndërtimi i Botës së të Nesërmes”. Në këtë panair të organizuar në vitin 1939 u promovua një nga narrativat më të mëdha, nga të fundit e Epokës së Makinerive: besimi i padiskutueshëm te shkenca dhe teknologjia si mjete që çojnë në nxitjen e mirëqenies ekonomike dhe të lirisë personale, duke theksuar ndërkaq konsumin e produkteve dhe risitë e ideve e të formave. Për pasojë, shtrëngimi i duarve simbolizon “partneritetin mes njerëzve të botës përmes shoqërisë së konsumit”. I portretizuar në një formë të papërfunduar, Sign/Simboli duket se bën fjalë për çështjet e pazgjidhura, turbulluese dhe shpresëplota, të cilave ky simbol u referohej dikur.

Thomas Demand jeton e punon në Los Anxhelos dhe Berlin. Veprat e tij janë paraqitur në një sërë ekspozitash anembanë botës, duke përfshirë Galerinë e Re Kombëtare në Berlin, 2009; Muzeun Irlandez të Artit Modern në Dublin, 2007; Galerinë “Serpentine” në Londër, 2006; Fondacionin “Prada” në Itali, 2006; Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, 2005; Galerinë e Arteve “Bregenz” në Austri, 2004 Fondacionin “Cartier pour l’Art Contemporain” në Paris, 2000.

 


Kjo ekspozitë do të jetë e hapur nga data 9 korrik – 30 shtator 2015