Në dhomën digjitale, ekspozita e kuruar nga Zef Paci, do të jetë e para e serive të titulluara “Fotografia rishkruan historinë”, ku kuratorë nga fusha të ndryshme do të eksplorojnë këtë subjekt.

MBI JETËN POLITIKE DHE ATË TË PËRDITSHME (1945 – 1990)

Arkivi i ATSH-së është një prej vendeve të kujtesës ku ruhen dokumente të shoqërisë sonë. Fotografitë e dekadave të para të këtij arkivi nuk bartin emra. Më vonë, pak para viteve ’70, në albume shfaqen emrat e fotografëve. Fotografi dokumentues i asaj kohe ishte i porositur për t’i komunikuar një mesazh një audience përtej zgjedhjeve vetjake e mjeshtërisë artistike (edhe pse kjo nuk mungonte).

Ekspozita, e ndarë në dy projeksione imazhesh nga fondi fotografik i ATSH-së, ka të bëjë me marrëdhënien pushtet – popull. Ajo kërkon të veprojë si shtysë për hapjen e një diskutimi mbi disa këndvështrime të historisë sonë e asaj në përgjithësi, shkollave historike e shkruesve të saj. Ato (shkollat) ndahen kryesisht në dy kategori të mëdha, ku njëra e shihte historinë si produkt i vendimeve e ngjarjeve të mëdha politike që shënonin kthesa të rëndësishme në historinë e njerëzimit dhe tjetra e vështronte përmes jetës së përditshme e shtjellimit të përvojave, veprimeve e zakoneve të njerëzve të thjeshtë. Imazhet fotografike të arkivit të atyre dekadave, në fakt mbështeten në kategorinë e parë, në emër të së dytës. Karakteristikë e disa prej imazheve politike është pamja nga një pikë sipërore, kënaqësi pushteti, narcizizëm. Kategoria tjetër ka një qasje më nga afër, kënaqësia e saj rrjedh jo nga ndjesia e kontrollit të historisë, por nga një ndjesi përkatësie e lidhjeje me të.

Në njërin projeksion shfaqet një përzgjedhje imazhesh fotografike nga jeta politike e Shqipërisë, ndërsa në tjetrin një përzgjedhje imazhesh nga një arkiv zyrtar prej jetës “së përditshme”.

Historitë që fotografia ka për të treguar në momentet e saj ikëse i shohim në lëvizjen që mund të shquajmë brenda a nën çastet në dukje të shtangura. Çdo fotografi është një çast i rëndësishëm që, edhe në ishullimin e saj, ka një lidhje me momentet e tjera. Çdo moment fotografik është një zgjedhje e bërë në marrëdhënie me atë paraprirëse e atë që do të pasojë, gjë që përtërin pritjen se si do të perceptohet historia. Kjo i përputhej kushteve ekspozuese nëpërmjet projeksionit, kështu që një imazh do të pasohej nga një tjetër duke shmangur disi shtangien statike të fotografisë. Fotografitë e përzgjedhura formojnë dy rrjedha imazhesh që nuk marrin përsipër të jenë gjithëpërfshirëse e as përpikmërisht historike. Përzgjedhja e tyre është mbështetur edhe në gjurmët e zbehta, në mospërputhjet, në boshllëqet, shkarjet dhe keqkuptimet e imazheve fotografike që janë gjetur në këtë arkiv. Kështu janë vënë përballë historia e ushtrimit të pushtetit me vizionet dhe përvojat e atyre që qenë subjektet e tij.

Projeksioni i imazheve të jetës politike priret drejt një shtjellimi më linear, të shenjuar prej ngjarjeve politike të vendit, ndërsa ai i jetës së përditshme drejt një shtjellimi ciklik, nëpërmjet kalimit të fazave të jetës së njeriut.

Fotografia, brenda sinoreve të saj, zotëron një vlerë dramatike të pakrahasueshme: ndjenjën se momenti i ngrirë ka qenë vërtet, e ishte pikërisht ashtu.

Ajo çka u kërkua ishte jo të shpikej një histori që të dukej si e vërtetë, por disa të vërteta të paraqitura si të ishin një histori, e vërejtur dhe kallëzuar subjektivisht.

Korrik 2015, Zef Paci


Zef Paci është profesor i Historisë së Artit dhe i Pikturës në Fakultetin e Arteve të Pamore, Universiteti i Arteve, Tiranë.
Përkrah veprimtarisë didaktike ka marrë pjesë në ekspozita si autor veprash figurative, ka realizuar disa skenografi teatri, afreske e vitrazhe.
Ka veprimtari kuratoriale për një sërë ekspozitash vetjake dhe në grup.
Është autor artikujsh dhe esesh mbi artin pamor shqiptar dhe fotografinë.


Kjo ekspozitë do të jetë e hapur nga data 9 korrik – 30 shtator 2015