Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas
15 Janar – 15 Maj 2016
COD hap sezonet e 2016-s
Tiranë, 15 janar 2016 – COD hap sezonin e parë të 2016-s, të titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas”, me ekspozitën e artistit Edi Hila, “Vegime bulevardi”.
“Cikli i ri i pikturave të Hilës, ka për temë bulevardin kryesor të Tiranës, me objektet më përfaqësuese në sheshin “Nënë Tereza” dhe është vazhdimësi e dy cikleve të mëparshme. Në këto vepra të realizuara me shumë mjeshtëri dhe finesë, Hila paraqet vizionin e tij të Shqipërisë së kohës së tranzicionit, duke përdorur mjete minimale shprehëse me një paletë ngjyrash të shpëlara, kryesisht gri, blu dhe të dheut. Këto panorama të urbanizimit të egër përjetohen si objekte të braktisura, të zhytura në atmosferën e zymtë e të mistershme të kotësisë, boshllëkut e trishtimit”, vë në dukje Shkëlzen Maliqi.
“Kompleksi arkitekturor rreth Universitetit, sheshi, së bashku me bulevardin si aksi kryesor urbanistik i qytetit, edhe sot shërbejnë si teatër i ngjarjeve, shpeshherë dramatike të historisë sonë bashkëkohore. Dëshira për të ruajtur një marrëdhënie koherente midis gjashtë tablove dhe ndërtimeve kryesore që përbëjnë kompleksin arkitektonik, erdhi si nevojë për një organizim të kontrolluar artistikisht të veprave në raport me njëra-tjetrën, duke përdorur një gamë kromatike të caktuar, e cila i përgjigjet në mënyrë organike përmbajtjes dhe funksionit administrativ që ruajnë sot këto godina. Këto e kanë frymëzuar nismën për të ndërtuar një cikël pikturash ku historia e shatërvanit, si ndërhyrje e dhunshme, shërben si moment interesant përgjithësimi,” shprehet vetë autori.
“Secila punë e Edi Hilës përfaqëson pikëvështrime të ndryshme në një panoramë tranzicioni, në kontekst jo vetëm politik, por thellësisht social. Si në të gjitha vendet ballkanike, edhe këtu, shteti në tranzicion është thelbësor në çdo detaj, si të vendit, edhe të qyteteve, ku artisti i shpalos paradokset pas një velloje misteri”, do të thoshte Ami Barak, në vlerësim të punës së Hilës në Paris.
Kjo është ekspozita e dytë e madhe e hapur në COD, i cili kurohet me anë të tre sezoneve të vit. Që nga hapja më 8 korrik 2015 e deri më sot, COD ka pasur më shumë se 15. 200 vizitorë. Në COD janë zhvilluar të paktën tre aktivitete në javë dhe në hapësirat e tij kanë punuar e marrë pjesë në organizime studentë të huaj e vendas, nxënës, ekspertë, artistë, punonjës civilë, përfaqësues të administratës, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare.
Kalendari i sezonit të parë 2016 (15 janar – 15 maj) do të jetë së shpejti në www.cod.al, ku mund të rezervohen vizitat në COD dhe pjesëmarrja në aktivitete. Të premtet janë ditët e filmit dhe librit në COD.
Në fillim të këtij sezoni, COD shpërndan 160 karta për gjimnazistët e ekselencës të 2015, sot studentë në universitetet shqiptare. Në bashkëpunim me ambasadën britanike, COD i ka mundësuar një të riu të talentuar bursën njëvjeçare Chevening për kurator. Në muajin shkurt fillon Projekti Pilot i Arteve Liberale me Universitetin e Harvardit.
Disa nga aktivitetet e spikatura të javës së ardhshme janë si vijon: 20 janar, në mjediset e Qendrës zhvillohet konferenca me përfaqësues të nivelit të lartë të Bankës Botërore. 22 janar, COD mirëpret Presidenten Jahjaga, në aktivitetin e organizuar për promovimin e filmit “Mendoj për ty”.
COD mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe mbështetjen e krijimtarisë.
Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas – II
20 Maj – 10 Tetor 2016
COD hap sezonin e dytë të 2016, të titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas -II”, me ekspozitën “Qiell, up and down” të artistëve bashkëkohorë Alban Muja dhe Olson Lamaj. Në hollin protokollar të Kryeministrisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës, COD prezanton instalacionetdhe veprat e krijuesve të gjeneratës së re, që “mëtojnë të na bëjnë të gjykojmë përmes Qiellit, materies sëpërjetshme.”
Piktori kosovar Alban Muja ekspozon serinë “Windows seat”, (Sedilja pranë dritares) me 25 vizatime dhe 2 piktura të dimensioneve të ndryshme, skicuar gjatë fluturimeve në SHBA. Artisti nga Tirana, Olson Lamaj, shprehet nëpërmjet dy instalacioneve, “Sky Color”(Ngjyra e Qiellit) dhe “Blue Meteror”(Meteori Blu) të cilët, në nuancat e blusë projektojnë dëshirat, ëndrrat dhe aspiratat njerëzore. Sipas Ben Andonit, “Tek Albani, nga Sipër (Up), perceptimi i përjetësisë kthehet në shprehje artistike… Flasin vijat imagjinare dhe impulset që përcjellin instinktivisht mesazhet. Te Gurët e Bulevardit tiranas të Olsonit, nga Poshtë (Down), reflektojnë idealistët me këmbë në tokë, që jo pak herë kanë shfryrë mu përballë vendekspozimit në COD”.
Në sallën “Tako Artistin”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, COD i hap dyert projektit të ri të sheshit të kryeqytetit. Maketi i qendrës së Tiranës, për të cilën ende po punohet, vihet në dispozicion të qytetarëve. Ata kanë mundësi të njihen me projektin e këtij ekosistemi të ri urban. Njëkohësisht ta komentojnë, të japin përshtypjet e tyre dhe të shkëmbejnë ide, duke lënë gjurmën e vet në përmirësimin e një qyteti që u përket të gjithëve.
Në sallën e minilabit, kuratoret Alketa Misja dhe Dhurata Thanasi Daneri prezantojnë ekspozitën“ARTifact”, me fotografi dhe materiale të ish-Kombinatit të Autotraktorëve, Tiranë, sot i lënë në harresë. Nëpërmjet imazheve dokumentuese, kushdo mund të përjetojë dhe interpretojë sipas këndvështrimit personal, punën gjigante të bërë për gati katër dekada, në një nga veprat më të mëdha industriale të Shqipërisë gjatë periudhës socialiste, e cila mori energjinë e shumëprojektuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve.
Në sallën digjitale, Olson Lamaj projekton filmin “How stars are born?” (Nga vijnë yjet?), Alban Muja pjesën “Legendary Dog” (Qeni i legjendave). Përgjatë gjithë sezonit të dytë, videot e artistëve, si vepra arti unike ilustrojnë një dimension tjetër të krijimtarisë së tyre. Në forumin e COD, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e qeverisë gjermane, merr jetë projekti kinematografik “Rrimë shtrembër, flasim drejt: Dialog për të shkuarën”.
Një seri filmash mbi të kaluarën trajton mënyrën se si trashëgimia e së djeshmes jodemokratike ndikon në shoqërinë e sotme. Çdo shfaqje ndiqet nga një sesion diskutimesh të të rinjve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që ndërveprojnë me regjisorë të njohur, historianë dhe ish-të dënuar të mendimit. I fokusuar te hapësira, ky program filmi synon të theksojë faktin që kurrë nuk riprodhojmë hapësira të censurës dhe frikës. Dialogu për të shkuarën dhe transparenca esë sotmes janë parakushte të së ardhmes demokratike.
DUKE QENDRUAR PEZULL
14 Tetor 2016 – 14 Janar 2017
I titulluar “Të dialogosh me prani”, sezoni 2016-3 në COD hapet me ekspozitën “Duke qëndruar pezull”, të kuruar nga z. Erzen Shkololli. Ekspozita ndërlidh veprat e artistëve Flaka Haliti, Laurent Mareschal, Nathan Coley, Peter Kogler dhe Vigan Nimani.
Duke shfrytëzuar teknologjinë kompjuterike për krijimin e rikrijimin e një serie imazhesh grafike, artisti austriak Peter Kogler prezanton 6 vepra “Pa titull”, mundësuar nga bashkëpunimi i COD me Ambasadën Austriake. Në Forum projektohen 16 intervistat e artistit, duke e sjellë në disa dimensione procesin e tij krijues.
Artisti skocez Nathan Coley prezanton veprën “Një vend përtej besimit”, krijuar në 2012. E ekspozuar në të gjithë botën në trajta dhe versione të ndryshueshme, me fraza sociale dhe ekzistenciale,aktualiteti i saj është mbresëlënës
Flaka Haliti, artistja që në 2015 përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, paraqet instalacionin “Duke qëndruar pezull”, një metaforë që e vë artistin përballë komercialitetit të botës që e rrethon. Instalacioni është prezantuar më herët në Berlin në 2014. Për shkak të thjeshtësisë së punimit, vepra reduktohet në titull dhe në formën e vet përfaqësuese estetike.
Në sallën “Tako Artistin”, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, COD prezanton instalacionin “Beiti”, të artistit francez Laurent Mareschal. Një vepër jo e zakontë, e punuar me erëza, përmes së cilës evokohen lidhjet shumështresore të Lindjes me Perëndimin.
Në mjediset e tjera të Qendrës janë ekspozuar punimet minimaliste të Vigan Nimanit, frymëzuar nga mjediset moderne urbane, të zhveshura nga çdo dekoracion shtesë. Artisti kosovar sjell në COD mbresën e tij të përjetësisë metafizike, e shprehur në forma dhe marrëdhënie.
Vetë Shkololli shprehet se “titulli i veprës së Flakës, Just Hanging Around, (Duke qëndruar pezull) është një kryefjalë e njëkohësisht, çelës për hapjen dhe dialogun me estetikën e artit bashkohor që, edhe në subjektet në dukje efemere, gjen farat dhe erëzat e sublimes”.
Erzen Shkololli është artist dhe kurator. Drejtor i Fondacionit “Unë e du Kosovën” në Prishtinë, Kosovë, si dhe këshilltar kuratorial për documenta 14. Nga viti 2011 deri më 2015, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales së Venecias. Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë, e cila transformoi skenën vendase kulturore. Praktika e tij artistike përdor ritualet dhe folklorin vendas për të tërhequr vëmendjen te situata specifike socio-politike dhe është ekspozuar ndërkombëtarisht.