Tirana e sotme ka mundësinë t’i japë kuptim të ri transformimit urban të një qyteti në ndryshim: shumëçka mbetet ende për t’u bërë e gjithashtu, shumë për t’u ribërë; ndërsa sfidat sociale dhe ekonomike nuk janë pengesa, por mundësi për të jetësuar risi dhe zgjidhje të reja.
Një seri projektesh po rigjeneron të gjithë peizazhin qytetës, duke filluar nga qendra. Mes tyre, pa asnjë dyshim, sheshi “Skënderbej” është nga më të rëndësishmit, edhe për shkak të rolit të tij tejet të rëndësishëm simbolik për të gjithë shqiptarët.
Ky projekt do të ndikojë thellësisht vizionin për qytetet shqiptare, cilësinë e jetesës dhe mënyrën se si bashkëjetojmë në qytet. Qëllimi kryesor është të krijojë një hapësirë të gjelbër ku secili ndihet mirë, si hapi i parë drejt një ekosistemi të ri urban.
Vendosja e modelit të qendrës së kryeqytetit në sallën Tako Artistin në COD në Kryeministri ka një synim të qartë. Është deklarata se qendra ka nevojë për një projekt arkitekturor, aq sa dhe një projekt angazhimi civil i cili zhvillohet në dialog.
Kjo sallë, ku artisti është çdokush që ka një ide, do të mikpresë dialogun mes aktorëve të shumëllojshëm e të ndryshëm që formësojnë një projekt të përbashkët.
Çdo qytetar që viziton këtë sallë ka mundësinë të angazhohet dhe të kontribuojë për idenë e qyteteve të gjelbra shqiptare.
Kështu do të shërbejë si atelie e hapur, ku të gjithë ne mësojmë bashkërisht duke ndërthurur dijen lokale me atë ndërkombëtare.