ARTifact
(ose nje arkeologji e braktisjes)
Ndoshta asnjë gjuhë tjetër që përdor imazhin nuk mund të jetë aq bindëse dhe e drejtëpërdrejtë sa fotografia, kur merr përsipër të tregojë atë që mbetet pas nga një kohe e shkuar. Me cilësinë e një dëshmitari okular ose më mirë te themi optic, gjithçka ruhet dhe tregohet e tëra me të gjitha detajet gati-gati si njëlloj ngrirje e përjetshme për arsye konservimi.
Në ciklin ARTifact (Volumi i Parë), Dhurata Thanasi dhe Alketa Misja bëjnë një udhëtim në Kombinatin e Autraktoreve për të dëshmuar me fotografitë e tyre atë që ka mbetur. Ky udhetim i ngjan më shumë një procesi arkeologjik ku gjerat që zbulohen, mblidhen e ruhen me kujdes, tregohen në pamjen e tyre më përfaqesusese me një qasje korrekte kompozimi siç normalisht do ti shkonte përshtat një arkitekteje dhe inxheniereje.
Ato perdorin një tenknike rigoroze fotografimi për ti shtuar sa më shumë dozën e objektivitetit dhe pasnjëanësisë të interperetimit mbi atë që kemi para syve.
Kështu edhe titujt e fotove u rreferohen objekteve që në të shumtën e rasteve janë makineri të mbetura që nuk funksionojnë më. Drita që i përfshin ështe vetë drita e vendit ku ndodhen dhe fokusi është një all in focus për të pasur gjithcka sa më të qartë.
E gjitha na ndihmon të përjetojmë vendin dhe shquajmë objektet ashtu siç janë e në këtë kuptim Thanasi dhe Misja zgjedhin një pozicion neutral dhe të vertetë, pozicionin e atij qe ruan dhe arkivon.
Gjithcka e “zbuluar”; makineri të rënda, infrastruktura mekanike ose detaje objektesh flasin për një ndodhi të kaluar. Nga dinamika e gjallëria e punës, zhurmat e makinerive dhe njerëzve ka mbetur heshtja dhe statizmi. Një pezull i mbyllur brenda një hapësire, ku tregimin e ri do ta tregojnë vetë objektet me formën dhe estetikën e tyre mekanike, me gjurmët e përdorimit, shkatërrimit, kohës dhe braktisjes.
Të lëna aty, ato sigurisht e marrin statusin e artifaktit, dëshmi objektive e një sistemi politik-ekonomik të falimentuar si ai që lamë pas, ku trauma e falimentit që përfshiu gjithë shoqërinë tonë ishte aq e fortë dhe shokuese sa nuk na la kohë për të reflektuar se ç’farë mund të ruanim ose përmirësonim nga ajo industri e trashëguar.
Fabrika që na tregojnë Misja dhe Thanasi ka fatin e gjithe zonave industriale në Shqiperi të cilat u degraduan dhe shkatërruan me një zell të rrëmbyer a thua sa më shpejt të zhdukeshin aq më i shpejte do të ishte shërimi ynë nga izolimi dhe varfëria, gjë që sigurisht nuk ndodhi.
Të para nga një distancë kohore këto imazhe fotografike krijojnë një hapësirë reflektimi mbi atë që mbetet pas. Ato na flasin për veten e tyre në një gjuhë të heshtur duke na u drejtuar me një ton diskret dhe kërkuar përgjigje për mënyrën se si e kemi trajtuar në përgjithësi të kaluarën.
Për ata që kanë punuar në ato ambjente mund të nxisin kujtime dhe ndodhi nga jeta e tyre, për të tjerë më të rinj që kane lindur pas viteve 90’të mund të nxisin kurreshtje, çfarërdo qoftë ato na flasin mbi të gjitha për braktisjen, kthimin e faqes, kapërcimin, ku ajo që mbetet tregon për atë që ishte dhe të ruajtura në fotografi ato mund ta tregojnë këtë gjë përgjithmonë. I vetmi ndryshim do të jetë mënyra se si ne do ta dëgjojmë këtë rrëfim.
Leonard Qylafi
Tiranë,maj 2016
Alketa Misja ka lindur në Tiranë 1971. Ajo është diplomuar si arkitekte urbaniste në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë, në vitin 1995. Nga viti 1995 deri 2007 ka punuar si petagoge e brendëshme pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në lëndët e Planifikimit Urban, si dhe petagoge e jashtme në lëndën e Organizimit Territorial në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Gjeografisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Roterdam, Oxford, në fushën e planifikimit dhe menaxhimit urban dhe Master Menaxhim Biznesi (MBA) pranë Fakultetit të Ekonomisë, Tiranë. Alketa filloi të interesohej për fotografinë në vitin 2008, me fotografinë e arkitekturës dhe fotografinë urbane. Ka kryer studime mbi fotografinë profesionale dhe është vlerësuar me cmime fotografike ndërkombëtare.
Dhurata Thanasi është diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës , si dhe në degën e Inxhinierisë Agro-Mjedisore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ajo zotëron një Master në Politikat Publike dhe Administrimit të Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest (CEU) , si dhe ka marrë kryer studime pas universitare në Universitetin e Harvardit, “Kennedy School of Government ” . Ajo aktualisht punon si eksperte në zhvillimin e qeverisjes lokale në zonat rurale dhe ka përvojë pune gati 15 vjeçare me Agjensitë e OKB-së si UNDP , UNOPS-it , WHO d, si dheFondacionin SOROS, Maqedoni, Shqipëri, Serbi , Kosovë , Itali , Azi dhe Afrikën e Veriut .Zonja Thanasi është i apasionuar pas fotografisë , një pasion i lindur gjatë punës së saj me misione humanitare në zonat e konflikteve etnike dhe varfëri të skajshme .