cv

VEGIME BULEVARDI

Cikli më i ri i pikturave të Edi Hilës, kushtimisht ka për temë bulevardin kryesor të Tiranës, me objektet më përfaqësuese në sheshin “Nënë Tereza”, godinat e Universitetit, të Kryeministrisë dhe mbetjet e fontanave, tani jashtë funksionit, që dikur freskonin dhe zbukuronin ambientin.

Tablotë e Bulevardit, gjithsej shtatë a tetë sosh, janë vazhdimësi e dy cikleve të realizuara më parë, atij me “portrete” shtëpish të përçudnuara (Shtëpia blu, Shtëpia në det, etj.) dhe panoramave gri të qytezës Rubik në Mirditë.

Në këto vepra të realizuara me shumë mjeshtëri dhe finesë, Hila paraqet vizionin e tij të Shqipërisë së kohës së tranzicionit. Te kjo, ai përdor mjete minimale shprehëse me një paletë ngjyrash të shpëlara, kryesisht gri, blu dhe të dheut. Kompozicionet përqendrohen në objektet e krijuara nga mendja dhe dora e njeriut, por në tablotë e krijuesit nuk shihen, madje as si hije njeriu. Në të vërtetë, këto panorama të urbanizimit të egër përjetohen si objekte të braktisura, të zhytura në atmosferën e zymtë e të mistershme të kotësisë, boshllëkut e trishtimit.

Në vitin 2004, Edi Muka e ka quajtur këtë procedim “misticizëm në pikturën e Hilës”.

Cikli Bulevardi ndërkaq, mëton një kurorëzim sublim të këtij “misticizmi”, që mbase mund të përkthehet në idenë e krijuesit të fshehur apo të munguar, sipas analogjisë me Deus Absconditus, që mund të jetë Zoti, ose më parë imituesi i tij, Njeriu e që, si i tillë, shfaqet si lajmëtar i entropisë së përgjithshme.

Procedimi piktural i Hilës te Bulevardi çon drejt sforcimit të mëtejshëm të reduktimit eidetik të imazhit në më esencialen e formave konstruktive që bëhen emanacion i objektësisë së dhënë per se (godinat, fontanat, drurët e parkut…). Imazhet, me ekspozicione nga këndvështrimet e ndryshme të bulevardit, nuk karakterizohen vetëm me mungesën e njerëzve, makinave, gjallesave dhe gjërave të tjera të lëvizshme, por dhe të detajeve të tjera që autori i ka konsideruar vizualisht të tepërta e që, megjithatë, ngandonjëherë i zëvendëson me pyje dhe objekte imagjinare.

Hila ndalet vetëm te konturet monumentale të objekteve dhe të hapësirës, duke i kompozuar me baraspeshë mbresëlënëse, që e arrin edhe duke ua marrë peshën, pasi i shpëlan dhe i zbeh ato, duke i bërë lazure e eterike. Për më shumë, ai shmang çdo përmbajtje a shenjë që zakonisht karakterizon bulevardin si arterie masive kryeqyteti dhe aks mobiliteti ku parakalojnë kolona makinash, qytetarë e turistë që nxitojnë pas punëve, ose shëtisin me ngé masat gumëzhuese që tubohen për festa, mitingje, protesta, panaire konsumi, etj…

Pamjet e Bulevardit të Hilës ndërkaq, janë të gjitha të ngrira, në një gjendje ontologjike zero, si të sapodala nga gjysmerrësira dhe gjysmëshkëndija e agut të ditës para lindjes së diellit, kur qyteti ende është i fjetur dhe në të nuk lëviz e as pipëtin gjë. Madje, edhe në të vetmen pikturë që do të duhej të kishte lëvizje, sepse grykën e bulevardit e zë një procesion festiv ngjyrash rozë të haresë, edhe aty sërish mbizotëron ngrirja që procesionin e shndërron në vegim.

Mendoj se Hila, te Bulevardi e shikon Tiranën me sytë e Engjëllit të Kujtesës, sy që janë njëkohësisht – te fontanat e shterura dhe të shformuara në rrënoja ëndrrash të një utopie brutalisht mashtruese, – dhe sytë e Engjëllit të Trishtimit, që ngushëllimin nuk e gjen askund, ndonëse vazhdon autorefleksionin mbi aktin krijues që mëton ndërtimin e urës së kuptimit me harqe, që nuk dihet nëse do të kapë bregun tjetër të mjegullnajës, nga e cila, edhe fryjnë erërat e akullta dhe asgjësuese të entropisë.

Shkëlzen Maliqi