“mbi Qiell nën” Alban Muja dhe Olson Lamaj
Askurrë më shumë se sot, në momentet e trandjeve të mëdha shoqërore-artistike që po pëson bota, nuk është ndier kaq e madhe nevoja për thellësi mendimi, perceptimi dhe kthjelltësi. Thirrja për një reflektim të plotë mbi ndryshimet vazhdon edhe si pasojë e përmbysjes së shumë kanoneve në shkenca, letërsi dhe arte, që më së pari po prekin godinën shoqërore ku jetojmë, sulmuar edhe prej cinizmit nga fryma e përbotshme nihiliste.
Bash në tollovinë e një simbolike të këtillë, por zgjedhur edhe vetë të jetë simbol, nga vendi ku po ekspozojnë dhe mesazhi që përcjellin, dy artistët e ftuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) mëtojnë të na bëjnë të gjykojmë përmes Qiellit, materies së përjetshme. Nga Sipër (Up), Alban Muja, prej mijëra miljeve lartësi, mbi “Sediljen e avionit”, shndërron perceptimin e kësaj përjetësie në shprehje artistike. Duke ndjekur një logjikë sizmografi, mundohet të shfrejë besnikërisht impulset e brendshme që i vijnë nga perceptimi i pikave dhe linjave në eter, bashkë me impresionin e natyrës, urbanistikës dhe emocionit të parë. Në një gjendje gati transi, format e abstraksionit gjeometrik i kthehen në masa shprehëse. Prej këtu nis cikli i vizatimeve që e robëron dhe i kërkon çlirimin.
Mijëra milje më tej, nga Poshtë (Down), Olson Lamaj e drejton vështrimin kah e sipërmja. “Vendi ku të gjithë ëndërrojmë të shkojmë e të mos kthehemi”, por që ai e plazmon në kohën e sotme me një mesazh të drejtpërdrejtë. Ngjyra e tij e Qiellit na grish që të ëndërrojmë, veçse jo si përcaktimi i Leonardos dikur, por në invers. Ekspozon një instrument të vjetër (cianometër) dhe objektivizon ëndërrimtarët pa sens, duke i mbushur me eterin e boshtë të politikanëve shqiptarë. Dhe, nuk ndalet këtu, pasi përballë i vendos punën që e ka quajtur Blu Meteor, me atributet e himnit ndaj mendimit ndryshe. Teksa tek Albani flasin vijat imagjinare dhe impulset që përcjellin instinktivisht mesazhet, te Gurët e Bulevardit tiranas (përballë), reflektojnë idealistët me këmbë në tokë dhe që jo pak herë kanë shfryrë mu përballë vendekspozimit tonë në COD.
Njerëzit asnjëherë nuk e kanë banuar si duhet tokën, gjithmonë e kanë jetuar atë si përshkrim, gjendje narrative, që ua ka mbushur miti, feja, filozofia, shkenca, por edhe politika. Është pikërisht kjo formë narrative, tashmë e fragmentarizuar, e cila shpesh duket e pakuptimtë. Por jo në këtë ekspozitë, ku artistët tanë kanë respektuar fisnikërinë e përmbajtjes dhe përpikërinë e simbolizmit me një ide të pastër. Sak edhe për këtë po shijojmë një ekspozim… mbi Qiell nën.
Ben Andoni