vigani

Vigan Nimani ka lindur në Prishtinë, ku jeton dhe punon. Veprat e përzgjedhura për këtë ekspozitë janë pjesë e një serie pikturash filluar në vitin 2015, titulluar “Prona e pazhvillimit” cikël për të cilin ai vazhdon të punojë. Subjektet e pikturave të tij i merr kryesisht nga piktura propagandistike e periudhës së ish-Jugosllavisë, ku pasqyrohen hotele dhe ndërtesa të tjera turistike si një trup i vetëm i arkitekturës moderne dhe estetikës moderniste të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Risia artistike që sjell vjen përmes fragmentimit të këtyre imazheve, duke na kthyer mbrapsht në kohë për nga ngjashmëria, në artin e De Chirico-s, në epokën e arkitekturës së Rilindjes: të krijohet përshtypja e pafundësisë metafizike të formave dhe përmasave.