Ekspozitë

Dennis Buck poster

“How To Pay Back The Sun?”

 

është ekspozita më e fundit e artistit bashkëkohor gjerman Dennis Buck. Ai zgjedh gjithmonë që të përballet me sfidat e tij, duke sjellë këtë herë në hapësirat e “Qendrës për Hapje dhe Dialog” (COD) përvojat e tij vetjake, materialet eksperimentuese si dhe raportin që procesi natyror krijon me veprat e tij artistike të ekspozuara përgjatë një kohe të caktuar në natyrë.

Dennis Buck-u tenton të dalë përtej procesit klasik e të zakonshëm të të pikturuarit duke kërkuar forma alternative që natyra na fal, si dhe kthehet pas në kujtimet e tij, ku silikoni është një ndër materialet e parapëlqyera të procesit të tij krijues. Për të është shumë e rëndësishme mënyra se si komunikojmë dhe se, ide të ndryshme kërkojnë mënyra të ndryshme komunikimi.

Një ndër komunikimet më thelbësore të procesit krijues të Dennis Buck-ut është ai që artisti krijon me Diellin. Për të, Dielli është materiali kryesor me të cilin merr formë pamore krijimtaria e tij. Ndërkohë që Dielli nis të krijojë një raport të drejtpërdrejtë me copat e pëlhurës të ekspozuara në natyrë, ai nuk është aty dhe nuk i kontrollon. I tërë procesi kthehet në të vërtetë në një punë krijuese, të cilën artisti e merr për falas. Ndaj Dennis-i ngre pyetjen “Si ta shlyej Diellin?”.

Përgjatë gjithë procesit natyror që ndërton krijimtarinë e Dennis Buck-ut, artisti sjell në vëmendje kohën në raport me procesin e tij krijues. Fuqia e pashtershme e dritës së diellit kryen funksionin shndërrues artistik duke qenë njëkohësisht materiali bazë, por duke e bërë të pakontrollueshëm këtë proces. Veprat e Dennis Buck-ut i ngjajnë jetëgjatësisë së zakonshme njerëzore, nga ku Dielli është elementi kryesor që ushqen jetën dhe në të njëjtën kohë sjell edhe plakjen. Ndaj artisti kujdeset që të ruajë një raport të kujdesshëm me kohën në procesin e ekspozimit të copave të pëlhurës në natyrë. Ai nuk është pranë copave të pëlhurës përgjatë kohës krijuese dhe kjo e intrigon, sepse dëshiron të përballet me të papriturën, por tregohet gjithashtu i kujdesshëm me kohën duke e kontrolluar atë e duke mos lejuar efektin e kundërt që mund të ndodhë gjatë ekspozimit, që është “efekti negativ i plakjes” në veprat e tij.

Përvoja e gjatë në procesin e krijimtarisë vetjake të Dennis Buck-ut është një element kyç që e ndihmon atë të gjejë kohën se kur copat e tij të pëlhurës shndërrohen në vepra artistike, kjo falë procesit kryesor të punës që Dielli krijon në raport me kohëzgjatjen e ekspozimit. Dhe rezultati krijues artistik që i shfaqet publikut është e vetmja mënyrë që artisti t’i japë përgjigje pyetjes “Si ta shlyej Diellin?”.

Dennis Buck-u (lindur më 1989, Gjermani) është një artist bashkëkohor gjerman, i cili jeton dhe punon në Berlin. Në vitet 2011-2013 ka studiuar për arte figurative në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura Karlsruhe. Në vitet 2013-2016 vazhdoi studimet në Universitetin e Arteve të Berlinit (UdK Berlin). Ekspozitat e fundit vetjake janë: “Sweet Drama”, JVDW Gallery, Düsseldorf, Germany (2023); “How u like me now”, Shore Gallery, Vienna, Austria (2022); “Stressed is just Desserts spelled backwards”, Pop;68, Cologne, Germany (2022); “+491522414NAME”, Roman Road, London (2019). Punët e Buck-ut janë shfaqur gjithashtu në ekspozita të shumta të përbashkëta, duke përfshirë: “Mixed Pickles”, Ruttkowski;68, New York, USA (2023); “Stricte intimité”, The Shophouse 1527, Bangkok, Thailand (2022); “Impatience of the Future”, Zeller Van Almsick x Shore Gallery, Vienna, Austria (2021); “DORF” (e fundit) Kunstverein Ulm, Ulm, Germany (2020); “A Joshua Tree is Not a Tree”, JTHAR Ranch, California (2018); and “Provincetown”, MEWO Kunsthalle Memmingen, Bavaria (2018).

Fotografi