“Laboratori i kreativitetit”
Projekte në bashkëpunim me gjimnazet “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali” and “Qemal Stafa”
Kuruar nga artistja Yllka Gjollesha
Dihet se kultura dhe arti janë thelbësorë në edukimin e mbështetjen që i japin zhvillimit tërësor të çdo individi, veçanërisht fëmijëve e të rinjve. Këto dije u mundësohen nëpërmjet dy drejtimeve: mësimit përmes njohjes së artit e kulturës dhe mësimit përmes krijimtarisë në art e kulturë.
Qëllimi kryesor i Laboratorit të Kreativitetit është bashkëpunimi me të rinjtë për të kuptuar nevojat e tyre, pyetjet rreth jetës dhe shoqërisë, teksa zhvillojnë imagjinatën e tyre. Duke punuar me dialogun, laboratorët dhe ekspozitën vizuale me gjimnazistët, kurimi i programit fokusohet nga shkëputja e varësisë ndaj teknologjisë dhe informacionit sipërfaqësor, tek aktivizimi i pjesëmarrjes së tyre direkte në krijimin e kritikës, duke mësuar dhe duke e ndarë atë me të tjerët.
Temat e përzgjedhura gjatë bisedave me të rinjtë për Laboratorin e Kreativitetit: “Shmangia nga rutina”, “Jeta me sytë e një adoleshenti” e “Shoqëria shqiptare në fokus”, janë diskutuar në takimet me shkollat e përfshira, nëpërmjet dialogut lidhur me artin bashkëkohor dhe shoqërinë. Duke u bazuar në këto diskutime, laboratorët krijues do të vendosen në hapësirën e minilabit në COD dhe përgjatë sezonit, do t’i vihen në dispozicion publikut.
Rezultatet vizuale që të rinjtë po prodhojnë janë përgjigje simbolike ndaj konceptit të uniformitetit dhe pasivitetit. Fokusi i kurimit vë në pikëpyetje se si të rinjtë e trajtojnë ritmin frenetik të inovacioneve teknologjike dhe se si ndikon kjo në sjelljen e tyre ndaj informacionit të krijuar nga media lokale. Ky proces ka si qëllim hapjen e çështjes së diversitetit në kritikë dhe këndvështrimet që media në Shqipëri mund të ofrojë, në mënyrë që të stimulojë perceptimin, vetëdijen dhe përgjegjësinë e të riut.
Si një medologji e përgjithshme e programit, studentët janë inkurajuar t’i kushtojnë më tepër rëndësi një aspekti specifik të përditshmërisë së tyre dhe të përdorin një metodologji artistike për ta sfiduar e transformuar atë në një sërë kuptimesh.
Jean Baudrillard thotë: “Televizioni na vëzhgon, televizioni na tejtjetërson, televizioni na manipulon, televizioni na informon, aty ku simulimi fillon në gjithçka, në politikë, ekonomi, biologji, psikologji, sociologji; aty ku manipulimi është i mundur në mënyrë absolute”; kemi punuar me idenë se si artistët kanë trajtuar një objekt, duke nisur nga koncepti i “ready-made’. Duke diskutuar konceptet dhe punën e Duchamp, ku të ripozicionosh, t’i vësh një titull e të ndërhysh në një objekt të zakonshëm bëhet art, gjimnazistët zhvilluan mënyrën e tyre krijuese në trajtimin e objekteve të përditshmërisë, siç janë televizorët. Në laborator, ata kanë punuar me personalizimin e ekraneve duke u bazuar në dëshirën e tyre për të qenë më të përfshirë në procesin e bërjes së informacionit, në vend të të qenët thjesht konsumatorë pasivë. Fazat e punimeve do të ndjekin të njëjtën metodologji, duke u përqendruar në temat “Jeta nëpërmjet syve të një adoleshenti”, e cila do të fokusohet më tepër në botën e tyre të brendshme dhe “Shoqëria shqiptare në fokus”, për të krijuar një këndvështrim kolektiv në lidhje me shoqërinë ku jetojmë.
Tema: “Shmangia nga rutina”
Shkolla e mesme e përgjithshme “Sami Frashëri”
Tema: “Jeta me sytë e një adoleshenti”
Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Ismail Qemali”
Tema: “Shoqëria shqiptare në fokus”
Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Qemal Stafa””