lekm

I lindur në Shkodër, Lek M. Gjeloshi e la qytetin për të studiuar arte të bukura në Firence të Italisë. I ndikuar shumë nga klima vendase, asokohe me theks rilindas, ai nisi krijimin e antropocenit të tij në hapësirat e galerive. Gjeloshi flet për tema shumë komplekse, të jetës së përditshme, të përkthyeshme në filozofi me terma të tillë, si: shumëllojshmëria, të shndërruarit, heterotopia… Koncepte që bëhen lehtësisht të qarta kur hyjnë në dialog të drejtpërdrejtë me veprat e tij. Nëpërmjet veprave të tij, “të qenët” i mbyllur në procesin filmik dhe narrativ, herë pas here kthehet në përvojë shqisore.
Në COD | Artist Talk, Gjeloshi do të na prezantojë qasjen dhe metodat e tij për krijimin e mjediseve në hapësirat e galerive, duke filluar nga ekspozita e fundit vetjake në Shkodër e duke u kthyer pas në kohë, në ndërhyrjet e mëparshme në hapësira të ndryshme ekspozimi.

Ndër ekspozitat e tij përmenden:

OFF-CELLS, Galeria e Qytetit të Shkodrës, ekspozitë individuale 2016

Ich will (2010), Pa titull (2008), Pa titull 2 (2016), Kreuzung der Vögel (2015), Me fjalë të tjera (2016), Scenopoietes dentirostris EP [A.k.a Bird in space] (2015), E panjohur [studim përgatitor për një veprim të shkurtër] (2013).

Off-cells është titulli i ekspozitës së realizuar së fundmi në Galerinë e Qytetit të Shkodrës, ku shfaqen vepra të ndryshme të prodhuara nga Gjeloshi gjatë viteve 2008-2016. Titulli është frymëzuar nga një tekst i Giorgio Agambenit në të cilin autori reflekton rreth marrëdhënies mes “bashkëkohores” dhe kohës së saj. Off-cells janë qelizat periferike e të lira të retinës, përmes të cilave, sipas neurologëve, mund të perceptohet errësira ashtu siç është dhe jo si mungesë të dritës. Është pikërisht perceptimi intim i errësirës në kohën e vet ai që, sipas Agambenit, karakterizon vizionin e tij të veçantë të bashkëkohësisë.

Alias REZISTENCA, vendi-specifik, 2012

Në instalacionin e tij Aka Rezistance, Leka qas dilemën e heshtjes në mënyrë ndjellëse, dëgjimore dhe të prekshme. Dyshemeja e hapësirës së tij është e mbuluar me shtresa flluskash plastike, të cilat krijojnë shpërthime të vogla kur ecën përsipër; lart në mur, në rresht njëra pas tjetrës, janë kamat kërcënuese që përdoren për të mbajtur zogjtë larg ndërtesave. Një sugjerim muzikor bëhet përmes fotografisë së heshtur të fizarmonicistit të verbër të filmit “Amarcord” të Federico Fellinit (1973), e varur në mur. Si një flutur e fiksuar në tabelë, këtu kujtesa është mbledhur e gjitha dhe shfaqet e palëvizshme në një vakuum shqetësues e poetik. (Teksti nga David Elliott, 2014)

TU KÙUR, film/ vendi-specific, 2013

Në Casa Masaccio (një qendër e artit bashkëkohor në Toscana), në një ekspozitë të fokusuar në idenë e projektimit (Proiezioni 2013), Gjeloshi vendosi të ndërhynte në hapësirë duke shfaqur një film nga Béla Tarr Sátántangó (1994), që përtej vizionit të fortë apokaliptik ka gjithashtu, një kohëzgjatje jo të zakontë prej 7 orësh e gjysmë. Siç thotë artisti: “U përpoqa ta caktoja orarin e filmit në kundërshtim me oraret e hapjes së ekspozitës, fakt që nuk e krijonte mundësinë e shfaqjes së plotë të filmit për publikun. Për pasojë, fundi i tij shtyhej gjithnjë, duke e bërë përfundimin e historisë, apo më në thelb, përmbushjen e fatit, të pamundur”.

NOTTETEMPO, piktura, 2015 (në vazhdim)

Kjo seri në vazhdim pikturash është bërë për të sjellë sërish skena nga filmat e Bela Tarr, në mënyrë të veçantë skenën e Werckmester Harmonies (2000). Të gjitha pikturat janë realizuar me dorë nga artisti, përmes prekjes së gishtave në sipërfaqen e shkëlqyer të ekranit, nga ato që arrin të mbajë mend. Me këtë gjest, herë pas here, diçka i shtohet apo hiqet veprës, në mënyrë arbitrare, nga e njëjta skenë e filmit.

RRETH ARTISTIT

Lek M. Gjeloshi (1987) ka lindur në Shkodër. Studimet i përfundoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence të Italisë, ku jeton dhe punon. Në vitin 2016 hapi ekspozitën e parë vetjake në Galerinë e Qytetit në Shkodër, të ndjekur nga një tjetër në Villa Romana në Firence të Italisë. Një pjesë e përzgjedhur nga ekspozitat e tij të përbashkëta: “Nuovo Cinema Masaccio” (2014), “Fuori posto” (2013), “Proiezioni 2013” e (2012) kuruar nga Pier Luigi Tazzi “A time for dreams” (2014) “Lontano da dove?” kuruar nga David Elliott e “Terranauti” (2015), e kuruar nga Ilaria Mariotti dhe Angelika Stepken. Në vitin 2015 Gjeloshi u nderua me çmimin kombëtar “Idromeno” për artet pamore.