Philipe_Alb_Vers

foto: Blerta Kambo Copyright Philippe Parreno

Philippe Parreno

Marquee, 2008. Neon, drita fluoreshente, zinxhirë.

Pamja e instalacionit: Muzeu “Solomon R. Guggenheim”, Nju Jork

Filip Parreno është krijues francez në fushën e arteve pamore, i cili u bë i famshëm në vitet 1990 kur veprat e tij, që realizohen përmes një larmie mjetesh e fushash, duke përfshirë kinematografinë, skulpturën, interpretimin, pikturën dhe shkrimin, u vlerësuan nga kritika.

Parreno e ripërcakton në mënyrë rrënjësore përvojën e një ekspozite, duke e konsideruar atë si një mjet dhe duke e kthyer procesin e ndërtimit të vetë ekspozitës në zemrën e procesit të tij krijues. Duke eksploruar më tepër mundësitë e ekspozitës si një “objekt” se sa si një koleksion veprash individuale, ajo kthehet në një hapësirë të vërtetë e të hapur, në një format që ndryshon për çdo rast dhe në një kornizë ku gjërat shfaqen e zhduken.

Parreno i koncepton ekspozitat e tij si një hapësirë, skenari i së cilës është shkruar tashmë e ku shpalosen një seri ngjarjesh.

Ai synon ta transformojë vizitën në ekspozitë në një përvojë të pazakontë, e cila luan me kufijtë e hapësirës e të kohës dhe me përvojën ndijore të vizitorit, që udhëhiqet në këtë hapësirë nga melodia e tingujve dhe imazheve. Për artistin, ekspozita është më pak vepër arti se sa një ndërvarësi e nevojshme që ofron një sërë mundësish të hapura.

Që prej vitit 2006, Parreno ka krijuar vepra me dritë, të cilat ngjajnë me strehët e ndriçuara që hasim në hyrje të teatrove dhe kinemave. Këto elementë plot ngjyra të ndezura i përkasin skulpturës, arkitekturës dhe artit, duke shërbyer si porta shumëkuptimëshe për në botën e jashtme. Duke funksionuar si shenja apo etiketa pa fjalë, këto strehë si fantazma i gjejmë shpesh në hyrje të muzeve dhe qendrave të artit, ku duket sikur i ftojnë të pranishmit jo për një vizitë, por për të parë vetë shfaqjen. Streha më e madhe që Parreno ka realizuar deri më sot, Marquee Tirana/Markiza Tiranë 2015, ndriçon hyrjen e Kryeministrisë shqiptare që hap dyert për publikun me COD.

Artisti ia ka dhuruar këtë vepër popullit shqiptar.

Filip Parreno jeton dhe punon në Paris. Puna e tij është ekspozuar anembanë botës. Ndër ekspozitat e tij vetjake përmenden H {N)Y P N(Y} OSIS, aktualisht e ekspozuar në Park Avenue Armory, Nju Jork, 2015; Kudo, Kudo Jashtë Botës në Pallatin e Tokios në Paris, 2013; Qendra “Garage” për Kulturën Bashkëkohore në Moskë, 2013; Galeria e Artit “Barbican” në Londër, 2013; Fondacioni “Beyeler”, 2012; Muzeu i Artit në Filadelfia, 2012; Galeria “Serpentine” në Londër, 2010; Muzeu Irlandez i Artit Modern në Dublin, 2009; Qendra “Pompidu” në Paris, 2009; Galeria e Artit në Zyrih, 2009; Muzeu i Artit Modern në San Francisko, 2003 dhe Muzeu i Artit Modern të Qytetit të Parisit, 2002.

 


Kjo ekspozitë do të jetë e hapur nga data 9 korrik – 30 shtator 2015