Carsten_Alb_Vers-3

foto: Blerta Kambo Copyright Carsten Holler

Carsten Höller

I lindur në Belgjikë nga prindër gjermanë, artisti me famë botërore Carsten Höller studioi për shkenca të natyrës e më pas mbrojti doktoraturën në biologji. Gjatë 20 viteve të fundit Höller ka realizuar instalacione eksperimentale, vepra artistike me pjesëmarrje dhe mjedise kredhëse, të cilat i vënë vizitorët përballë një sërë zgjedhjesh e objektesh të mistershme që nxisin simulime të  thella ndijore e intelektuale. Veprat e Höller frymëzohen nga eksperimente kërkimore dhe aspekte të botës që e rrethojnë, si për shembull, hapësira sociale, parqe argëtimi, kopshte zoologjike apo kënde lojërash, të cilave ai ua minon në një farë mënyre fuqinë, duke u shtuar diçka të ndryshme. Puna e tij shpesh paraqitet përmes një arkitekture çorientuese apo pajisjeve që ndryshojnë perceptimin, të cilat Holleri i konsideron si “gjymtyrë artificiale të trupit tuaj, që nuk e dini se i keni humbur”.

Me besimin se “njerëzit janë më të fuqishëm se veprat e artit”, Höller e konsideron veprën e tij si të paplotë nëse mungon bashkëveprimi i vizitorëve me të. Për pasojë, ai i koncepton ekspozitat e tij si vende ku spektatorët shndërrohen në performues. Höller e konsideron hapësirën e artit “si një hapësirë eksperimentimi për të testuar idetë dhe konceptet, të cilat mund të realizohen në një shkallë më të madhe jashtë muzeut”.

Motiv i përsëritur në veprën artistike të Carsten Höller-it është ndarja e zonave, e prezantuar në vepra arti dhe ekspozita të ndryshme si The Double Club (Klubi i Dyfishtë) në Londër, 2008/2009, Soma në Muzeun Hamburger Bahnhof në Berlin, 2010/2011 dhe Decision (Vendimi) në Galerinë “Hayward” në Londër, (ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 6 shtator 2015).

Në të njëjtën mënyrë, vepra e Carsten Höller-it përshkohet edhe nga kërpudhat, veçanërisht qeleposhja e kuqe, e cila është identifikuar si përbërësi i shumëkërkuar i “përmbajtjes qelizore” që, sipas legjendës, ruan sekretin e diturisë, lumturisë, pasurisë dhe hyrjes në sferën hyjnore. Edhe sot e kësaj dite kërpudhat janë një enigmë për shkencën. Larmia e formave, ngjyrave dhe përbërësve të tyre – disa shëruese e disa helmuese – nuk janë zbërthyer ende plotësisht nga shkenca.

Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë e konceptuar posaçërisht Kryeministrinë që hap dyert për publikun me COD të krijon idenë e dijes që njerëzimi ka krijuar dhe e zhvillon në vijimësi. Në të njëjtën kohë, qeleposhja e kuqe është një simbol që duket se e ka humbur kuptimin e saj folklorik të zanafillës. Për këtë arsye, kjo vepër i referohet mundësisë për ekzistencën e një kulture alternative ekzistuese apo të krijuar rishtazi, e cila arrin të përcjellë mundësi apo ndarje të pafundme.

Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë duket si një kolazh tridimensional i përbërë nga tri kërpudha më të vogla: njëra nga gjysmat është në formën e qeleposhes së kuqe (haluçinogjene), gjysma tjetër përbëhet secila nga një çerek kërpudhe boshe kortinarius orelanike (helmuese) dhe një koral në formën e havanit (kërpudhë që mund të hahet). Secila nga llojet e kërpudhave në skulpturë është thjesht forma e zmadhuar e një kërpudhe të vërtetë të mbledhur në natyrë. Secila nga të tri pjesët është unike dhe secila kërpudhë është një skulpturë e pashoqe dhe unike. Ngjyrat e secilës pjesë përbërëse të Kërpudhës mund të konsiderohen si një sinjal lidhur me trashëgiminë e politikës së ngjyrave të përdorur në Tiranë, ndërsa shkalla e tyre e përdorimit (ushqyese apo helmuese) mund të konceptohet si një koment mbi politikën shqiptare.

Artisti ia ka dhuruar këtë vepër popullit shqiptar.

Carsten Höller jeton dhe punon në Stokholm dhe Biriva, Ganë. Veprat e tij janë ekspozuar anembanë botës. Ndër ekspozitat e tij vetjake përfshihen: Decision (Vendimi), Galeria “Hayward”, Londër, 2015; Golden Mirror Carousel (Karuseli me Pasqyrë të Artë), Galeria Kombëtare e Viktorias në Melburn, Australi, 2014; Experience (Përvoja) në Muzeun e Ri, Nju Jork, 2011; Carousel (Karuseli) në Galerinë e Artit “Bregenz”, Austri, 2008; Test Site (Vendi i Testimit) Salla “Turbine” në Muzeun Modern të Tejtit, Londër, 2006 dhe Half Fiction (Gjysmë e Stisur) në Institutin e Artit Bashkëkohor, Boston, 2003.

 


Kjo ekspozitë do të jetë e hapur nga data 9 korrik – 30 shtator 2015