8654916932_8b4019295b_b
I lindur në Shkodër, në vitin 1963, Pjerin Kolnikaj u diplomua në Akademinë e Arteve, në 1989. I specializuar për skulpturë, deri më sot është krijues dhe realizues i mbi 150 skulpturave në atelienë e tij, duke përdorur materiale si druri, hekuri, qeramika, alumini dhe bronzi.

Duke studiuar pranë klasave dhe atelieve të artistëve më në zë të Shqipërisë, Kolnikaj e ka shfaqur punën e tij brenda dhe jashtë vendit. Ai e ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Ankarasë në vitin 1990 dhe i ka prezantuar punët e tij në ekspozita të ndryshme, vetjake ose në grup në Austri, Holandë dhe Zvicër. Në dy ekspozita vetjake ka prezantuar rreth 60 punime në teknikat e gdhendjes, modelimit dhe hekurit të përpunuar. Punime të tij janë pjesë e koleksionit të përhershëm të Galerisë Kombëtare në Tiranë. Kolnikaj ka fituar çmime kombëtare si atë për Monumentin e Poetit Kombëtar, Atë Gjergj Fishtës në Shkodër 1996 dhe Konkursin Mbarëkombëtar të zhvilluar në Prishtinë me rastin e 600-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut; Portretin e Heroit; ka qenë kryetar i jurisë në konkursin ndërkombëtar “Onufri”; anëtar jurie në konkurse kombëtare. Që nga viti 1998 është pedagog në Universitetin e Arteve, në Atelienë e Skulpturës.