a place

Një vend përtej besimit

Nathan Coley lindi dhe u rrit në Glasgou të Skocisë (1967) ku dhe ndoqi studimet në fushën e artit. Në vitin 2007 u kandidua për Çmimin Turner. Vepra “Një vend përtej besimit”, – e cila është pjesë e një serie veprash sjellë në forma shumëdimensionale, nëpërmjet copëzash drite, – vjen përmes një teksti me ngjyrim të theksuar emocional.

“Një grua e re qëndron e ulur në metro, pak ditë pas sulmit terrorist mbi Kullat Binjake. Është mëngjes herët dhe qyteti po i rikthehet punës pa dëshirë. Si shumë pasagjerë të tjerë, ajo është ende shumë e lodhur, emocionalisht e brishtë, e hutuar dhe e inatosur, ende në përpjekje për të pranuar atë ç’ka ndodhur me qytetin e saj. Përballë saj qëndron ulur një ushtar që mban mbi krye një çallmë ngjyrë portokalli të ndezur.

Perceptohet një ndjenjë e fortë urrejtjeje e pasagjerëve kundrejt tij, një ndjesi e thellë zemërimi dhe krupe. Burri kthen sytë mënjanë, pasagjerët nuk ia ndajnë sytë, por pa marrë asnjë përgjigje në këmbim. Kokulur, ai ngashëren. Ndërkohë, treni vazhdon rrugën, ndalon në stacionin e radhës, dera hapet e mbyllet, pasagjerët hipin e zbresin. Pas disa stacionesh dhe minutash torturuese ai mbledh sendet dhe bëhet gati të zbresë. Pranë derës së daljes qëndron një grua e re me ngjyrë, e cila mban një foshnjë në krah. Teksa burri afrohet, fut dorën në xhep dhe nxjerr prej andej një dorë para. Pa thënë asnjë fjalë, ia lë fëmijës dhe zbret nga treni. Dyert mbyllen dhe pasagjerët shpërthejnë në lot. Në atë çast gruaja kupton se, që qyteti i Nju Jorkut ta kapërcejë këtë situatë, të shohë përpara për të rindërtuar veten, duhet të ridimensionojë gjithçka që sheh e mendon, duhet të jetë një vend përtej besimit”.