march_al

Laurent Mareschal ka lindur në vitin 1975 në Paris, ku jeton ende. Puna e tij është e lidhur ngushtë me shqetësimin e artistit sa i përket mungesës së komunikimit, dukuri të cilën përpiqet ta hulumtojë përmes audiencës. Veprat e tij janë mjaft të influencuara nga elemente dekorative të artit e dizajnit nga Lindja e Mesme.

Edhe pa e parë fare, vepra e tij të evokon kujtesën emocionale falë aromës së fortë të erëzave. Instalacioni, i cili është krijuar nga erëza të shtruara në formë dekorative, paraqet dyshemenë e një apartamenti. Ky model dekorativ gjendet në pllakat e çimentos së shumë shtëpive palestineze, të ndërtuara mes viteve 1880 dhe 1930.

Gjurmët e origjinës së tyre datojnë në vitin 1850 në jug të Francës, frymëzuar nga natyra, po ashtu edhe nga figura tradicionale islamike.

Ka pasur lidhje të shumta mes Francës e botës arabe, ndër të cilat momenti më i rëndësishëm për t’u përmendur është periudha e pushtimit të Algjerisë nga Franca.

Këto pllaka eksportoheshin asokohe drejt Palestinës nga kompani franceze dhe shtroheshin sipas shijeve të zonës. Beiti dëshmon një trashëgimi kulturore shumëdimensionale, por aroma e pllakave në këtë instalacion ngjall reflektim lidhur me brishtësinë e skajshme të shtëpive palestineze.