COD, sezonet e 2016-s

COD hap sezonet e 2016-s

Tiranë, 15 janar 2016 – COD hap sezonin e parë të 2016-s, të titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë
dhe hapësira që lëmë pas”, me ekspozitën e artistit Edi Hila, “Vegime bulevardi”.

“Cikli i ri i pikturave të Hilës, ka për temë bulevardin kryesor të Tiranës, me objektet më përfaqësuese në sheshin “Nënë Tereza” dhe është vazhdimësi e dy cikleve të mëparshme. Në këto vepra të realizuara me shumë mjeshtëri dhe finesë, Hila paraqet vizionin e tij të Shqipërisë së kohës së tranzicionit, duke përdorur mjete minimale shprehëse me një paletë ngjyrash të shpëlara, kryesisht gri, blu dhe të dheut. Këto panorama të urbanizimit të egër përjetohen si objekte të braktisura, të zhytura në atmosferën e zymtë e të mistershme të kotësisë,
boshllëkut e trishtimit”, vë në dukje Shkëlzen Maliqi.

“Kompleksi arkitekturor rreth Universitetit, sheshi, së bashku me bulevardin si aksi kryesor urbanistik i qytetit,
edhe sot shërbejnë si teatër i ngjarjeve, shpeshherë dramatike të historisë sonë bashkëkohore. Dëshira për të ruajtur një marrëdhënie koherente midis gjashtë tablove dhe ndërtimeve kryesore që përbëjnë kompleksin arkitektonik, erdhi si nevojë për një organizim të kontrolluar artistikisht të veprave në raport me njëra-tjetrën, duke përdorur një gamë kromatike të caktuar, e cila i përgjigjet në mënyrë organike përmbajtjes dhe funksionit administrativ që ruajnë sot këto godina. Këto e kanë frymëzuar nismën për të ndërtuar një cikël pikturash ku historia e shatërvanit, si ndërhyrje e dhunshme, shërben si moment interesant përgjithësimi,” shprehet vetë
autori.

“Secila punë e Edi Hilës përfaqëson pikëvështrime të ndryshme në një panoramë tranzicioni, në kontekst jo vetëm politik, por thellësisht social. Si në të gjitha vendet ballkanike, edhe këtu, shteti në tranzicion është thelbësor në çdo detaj, si të vendit, edhe të qyteteve, ku artisti i shpalos paradokset pas një velloje misteri”, do të
thoshte Ami Barak, në vlerësim të punës së Hilës në Paris.

Kjo është ekspozita e dytë e madhe e hapur në COD, i cili kurohet me anë të tre sezoneve të vit. Që nga hapja më 8 korrik 2015 e deri më sot, COD ka pasur më shumë se 15. 200 vizitorë. Në COD janë zhvilluar të paktën tre aktivitete në javë dhe në hapësirat e tij kanë punuar e marrë pjesë në organizime studentë të huaj e vendas, nxënës, ekspertë, artistë, punonjës civilë, përfaqësues të administratës, institucioneve ndërkombëtare dhe
organizatave joqeveritare.

Kalendari i sezonit të parë 2016 (15 janar – 15 prill) do të jetë së shpejti në www.cod.al, ku mund të rezervohen
vizitat në COD dhe pjesëmarrja në aktivitete. Të premtet janë ditët e filmit dhe librit në COD.

Në fillim të këtij sezoni, COD shpërndan 160 karta për gjimnazistët e ekselencës të 2015, sot studentë në universitetet shqiptare. Në bashkëpunim me ambasadën britanike, COD i ka mundësuar një të riu të talentuar bursën
njëvjeçare Chevening për kurator. Në muajin shkurt fillon Projekti Pilot i Arteve Liberale me Universitetin e
Harvardit.

Disa nga aktivitetet e spikatura të javës së ardhshme janë si vijon: 20 janar, në mjediset e Qendrës zhvillohet konferenca me përfaqësues të nivelit të lartë të Bankës Botërore. 22 janar, COD mirëpret Presidenten Jahjaga,
në aktivitetin e organizuar për promovimin e filmit “Mendoj për ty”.

COD mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe mbështetjen e
krijimtarisë.