Ekspozitë

TERRITORE TË PËRVOJAVE TË JETUARA

Edi Hila Poster

TERRITORE TË PËRVOJAVE TË JETUARA

Tetë vepra ekspozohen për herë të parë në COD dhe janë një përzgjedhje e autorit prej disa ciklesh piktorike, që shpërfaqin frymën e disa ndalesave të përkohshme gjatë një rrugëtimi. Këto piktura përvijojnë thurimën e njëfarësoj harte, në të cilën “vendet” shkojnë përtej kufijve fizikë duke u shtrirë në aluzione evokuese. Janë territore, krijesa dhe objekte që pulsojnë lehtas nën një rëndesë atmosferike, imazhe që reflektojnë përvojat dhe përjetimet e tij. Përmes tyre ndjejmë tëhuajzimin, nëpër të cilin jemi përshkue vitet e fundit, nën një klimë kërcënuese shkaktuar prej fatkeqësisë natyrore, pandemisë, luftës, të gjendur mes pritjesh të pezullta. Është një gjendje njerëzore që ka pësuar humbjen, ndarjen, izolimin që përmban frikën.

Në këtë përzgjedhje pikturash shfaqen rrugë, karuzelë, tenda, makina, e së fundmi nëntoka e metrove. Prej kohësh Hila kish vrojtue çka ndodh në rrugë dhe anash saj. Kësaj here, rrugët kanë në mes dhoma, prej dritareve të të cilave lëkunden perde brendish. Duket një soj heterotopie e kthyer mbrapsht. Rruga shfaqet e shkretë dhe e poseduar fshehtas nga një trill qe shpreh një të ndjerë keq, të lidhur me nostalgjinë e fëmijërisë. E kështu fanitet një karuzel, dalë jashtë përdorimi, si mbetje e një zikurati të një epoke të shkuar. Motivi i tendës, si strehë e përkohshme e një ekskursionisti të patëkeq, prej linjave-forca që e përshkojnë, na shfaqet si një arkitekturë efimere.

Itinerari i piktorit lë sipërfaqen dhe zbret në stacionet nëntokësore të metrosë që bëhet metafizike, pa referenca etnike. Imazhi i një metroje është më i përbotshëm, e prandaj më anonim. Figurat renditen të rrokjezuara si në një ikonostas prej ndarjeve arkitektonike në gjatësoren e metrosë, që i zhvendos horizontalisht teksa rrinë pa lëvizur. I shohim përtej një xhami të trashë, që ndan ato që presin të hyjnë nga ato që presin të dalin, por sidomos ruan ato që presin ikjen e tramit… prej rënies në humnerat e vetëvrasjes. Xhami përbën atë ndarje-mburojë të tejdukshme që është realisht aty, por që është edhe tipar i mediumeve teknologjike, të cilin Susan Sontag e përshkruan si “Ndërmjetësi që shmang kontaktin real”. Izolimi ka përforcuar rëndshëm komunikimin virtual duke shmangë atë fizik… edhe kur pandemia është fashitur. Komunikimi fizik dhe shpirtëror i njerëzve që rrinë bashkë në të njëjtin mjedis është fikur. Ndjeshmëria kundrejt këtyre situatave përthehet në një shpirt të trazuar kritik që beson tek piktura, mundësia dhe ëndja e shprehjes nëpërmjet saj. Fenomenet dhe qëndrimet kundrejt tyre dalin vetvetiu në pah prej asaj pikture përmes rafinimit, klasikëzueses, përtëritjes së thellësisë perspektive.

Spiralja e kërkimit artistik të Edi Hilës, aktualisht largohet paksa nga fryma më realiste e pikturave të viteve 2000. Tashmë shfaqen shëmbëlltyra në shndërrim që shënjojnë pezullinë. Orvatja e tij nuk shkon drejt dhënies së asaj çka duket, por drejt bërjes të dukshme të një diçkaje. E kjo e çon në një përmasë të brendshme që rreket të shprehet për atë çka moleps ajrin, atmosferën që nuhasim, prej transparencave dhe reflektimeve. Këto figura njerëzore, të pranishme vetëm nëntokë, si në një limbo prej të cilit nuk dihet nga do të shkojnë, presin e komunikojnë me diçka përtej. Atëherë, me nostalgji për pozitivizëm, pikturon tërheqjen antigravitacionale të personazheve të tij, që ata të ngjiten lart. Fluturimin virtual e përkthen në lehtësinë dhe hirin e pikturimit.

Kjo ekspozitë përbën një meditim mbi ato territore përjetimesh, që pohojnë rropatjen e pareshtur të qenies njerëzore me besim përballë fatalitetit.

Edi Hila është një nga piktorët e rëndësishëm në artin bashkëkohor shqiptar. Ai kreu studimet e larta për pikturë, në Institutin e Lartë të Arteve (1963-1967). Në momentet e para të krijimtarisë ai shprehet përmes kompozimit. Më vonë zbulon peisazhin si të përshtatshëm, për të çuar më tej cilësitë estetike të pikturës së tij. Tek peizazhi ai gjen hapësirat e nevojshme për trajtimin e problematikave të mprehta që shoqërojnë tranzicionin përgjatë shumë viteve në vendin tonë.

Duhet thënë se krijimtaria e Hilës është realiste në kuptimin më të gjerë të fjalës, e shoqëruar me elemente konceptuale, si në planin estetik ashtu edhe në përmbajtjen e saj. Pikënisja e këtij qëndrimi kanë qenë vitet 1974-1980. Gjatë kësaj periudhe, Hila përballet nga afër me vështirësitë e jetës në një realitet kompleks, në të cilin ishin të përfshirë ai vetë, por edhe populli i tij (punëtorë, burra, gra, administratorë, informatorë, sekretarë partie e të tjerë), të cilët në mënyrën e tyre vuanin persekutimin, disa varfërinë, të tjerë përpiqeshin të mbijetonin pasigurinë apo frikën, ndërsa të tjerë hipokrizinë e kohës.

Mënyra e të parit dhe jetuarit të jetës, në marrëdhënie me situatat që përcjell aktualiteti jetësor i ditës, i kanë dhënë formë një krijimtarie që shkon drejt një pikture me elementë të konceptit. Në këtë mënyrë ai krijoi disa cikle piktorike si: “Shkodra”, 1990-1991; “Konfort”, 1998; “Portrete shtëpish”, 2000; “Omazh-Imazh”, Onufri 2002; “Penthouse“, 2013; “Objekte anash rrugës“, 2008-2009; Galeria “Mitterrand”, Paris.

Ekspozoi në ekspozita dhe konkurse të rëndësishme si: “Documenta 14”, Athinë dhe Kassel, 2017; Biennale e Arkitekturës, Venezia, 2013; Liverpool Biennale, 2009; “Architecture Association”, Londër, 2015; Marian Goodman Gallery “Some Artists”, 2014; Museu historik i Berlinit “The Desire for Freedom”, Arti në Europë, 2012; etj.

Punët e tij janë në Koleksionin e “Centre Pompidou”, Paris; “Galeria Kombëtare e Arteve”, Tiranë; Koleksioni privat i “Rene Block”; Frac-Auvergne; Koleksioni “Ville de Paris”.

Fotografi