MICHEL SETBOUN

→ Ekspozita “Fundi. Fillimi Shqipëria. 1981-1991”

nga Michel Setboun

COD hapi për publikun, më 6 korrik 2018, ekspozitën fotografike të Michel Setboun “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981 – 1991”.

Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha si imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve.

Brendia e kësaj ekspozite në retrospektivë ndalet në kontraste të fuqishme, tablo të gjalla që kanë në fokus të objektivit Shqipërinë e pas ’80-ës me demagogjinë, pankartat a parullat me gurë, paradat komuniste, bunkerët e kudo gjendur, ngrehinat e kultit të shndërruara në salla teatri, kafene, shtëpi kulture a të braktisura, varfërinë ekonomike, shtypjen politike e shoqërore gjatë periudhës së autarkisë, figurën e gruas shqiptare, fëmijë dhe nxënës të shkollave dhe jo vetëm.

Për Setboun janë po kaq tronditëse momentet e Shqipërisë në pikënisjet të viteve ’90, (aso kohe kur po zhbëhej regjimi komunist), janë foto që flasin për eksodin shqiptar dhe anijet e tejmbushura në portin e Durrësit, pritjen e Nënë Terezës, humanistes shqiptare në shtetin amë, ringjalljen e fesë, rihapjen e kulteve fetare, zgjedhjet e para pluraliste, zbulimin dhe përballjen me kapitalizmin, gjendjen tronditëse në qendrat e fëmijëve me aftësi të kufizuar, dasmat dhe shumë aspekte të tjera të përditshmërisë së jetës shqiptare.

Ndërkaq, Michel Setboun, konsiderohet si një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe një nga dokumentuesit më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë nga viti 1981 e në vazhdim, pasi mbetet thuajse i vetmi fotograf i huaj, i cili ka mbërthyer me aparatin e tij, si askush tjetër e në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gati katër dekadave të fundit gjithë zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të vendit skaj më skaj. Arkivi fotografik mbi Shqipërinë ka mijëra fotografi dhe është i një rëndësie të veçantë, si historike ashtu edhe artistike.

Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator. Hyrja është e lirë.

→ Michel Setboun

Michel-Setboun-Artist-portrait-Image-via-YouTube-555x312Michel Setboun, lindi në Algjeri më 27 gusht 1952. E filloi karrierën si arkitekt e më pas vazhdoi si fotograf. Në vitin 1978, mbuloi si foto reporter për agjencinë SIPA konflikte ndërkombëtare, siç ishte revolucioni në Iran, lufta për pavarësi në Angola, Afganistan, Iran-Irak dhe më vonë luftën civile në Liban. Nga viti 1983-1985 punoi për agjencinë e Black Star në Indi, Afganistan dhe Suedi. Për agjencinë RAPHO, në periudhën kohore 1985-1991, mbuloi reportazhet për Korenë e Jugut, Shqipërinë, Mongolinë dhe Rio de Zhaneiron. Nga 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka bashkëpunuar me revista të njohura ndërkombëtare, si: Geo, Figaro Magazine, New York Times, Life, Paris Match, Stern. Në 1984 fitoi çmimin e parë World Press Photo për reportazhin në lidhje me dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Gjithashtu, ai është autor i shumë librave me fotografi. Setboun ka qenë i vetmi fotograf francez që ka fotografuar Revolucionin Iranian (1978 – 1979) dhe rënien e regjimit. Arkivi i tij fotografik përmban mijëra foto nga vende të ndryshme të Evropës, Amerikës, Afrikës e Azisë.