Ekspozitë / Exhibition

SHQIPTARË TË PANJOHUR / UNKNOWN ALBANIAN
ARTIST: BEN BLUSHI
KURATOR/CURATOR: RUBIN KADIU
DIZAJNER/DESIGNER: NIKOLA SENJO
COD – PRILL/APRIL 2025
Ditën e ditëlindjes sime, në 1 janar të vitit 2022, me një kamera “Nikon” në dorë, dola për herë të parë nëpër rrugët e zbrazura të Tiranës për të bërë fotografi. Shkrepjet e para ishin të gjitha të mjegullta, të pafokusuara dhe të mbushura me detaje të panevojshme. Atë ditë mësova të shkrepja pa e ditur se fotografia dhe shkrepja janë dy gjëra të ndryshme. Shkrepjen e bën gishti, fotografinë e bën mendja. Syri i bashkon të dyja këto lëvizje në kohë dhe në hapësirë. Duke mos e ditur këtë sekret, në fillim, njerëzit që shfaqeshin në fotografitë e mia ishin të ulur nëpër stola ose duke qëndruar në këmbë pa lëvizur, sepse lëvizja e njerëzve është armiku kryesor i fotografëve të rinj dhe të pasigurt, siç ishte rasti im.
Megjithatë jeta e këtyre njerëzve që nga aparati fotografik hynin me rradhë në kompjuterin tim, ishte dicka e mrekullueshme. Unë isha bërë papritur me qindra miq të rinj.
Nga fytyrat e tyre mund të kuptoja gëzimin, trishtimin, lodhjen dhe padurimin e jetës. Këta njerëz, të cilët nuk i njihja, ishin bërë pjesë e arkivit të kujtimeve të mia.
Nga ata mësova se ndryshe nga shkrimtari, i cili i ngjan një peshkatari që nuk lëviz, fotografi i ngjan një gjuetari. Ai duhet të lodhet shumë, të vrapojë dhe të rrëzohet nëpër shkurret e pasigurisë derisa të zbulojë një lëvizje, të ndjejë një frymëmarrje dhe të kapë një çast në pyllin e pafund të ngjyrave të botës.
Pikërisht kjo është magjia e fotografisë: përjetësimi i çastit.
Duke shkrepur mund të bësh çdo çast një fotografi, duke kapur çastin mund të bësh herë pas here një fotografi shumë të mirë.
Në fotografi, asnjë çast nuk i ngjan një tjetri dhe asnjë shkrepje nuk prodhon asnjëherë të njëjtën forografi.
Unë e shijova këtë magji duke ecur nëpër qytete, nëpër fshatra, në plazhe të braktisur, në godina të rrënuara, nëpër lagje të vjetra, të cilat shkaktojnë një zhvendosje të përhershme njerëzish nga një vend në një vend tjetër.
Në kërkim të çastit dhe të një fotografie më të mirë, do vazhdoj të eci duke e drejtuar aparatin tim mbi portretet e njerëzve të panjohur.
Prandaj dhe kjo ekspozitë quhet “Shqiptarë të panjohur”, si një shenjë mirënjohje për këta njerëz të panjohur që më mësuan të fotografoj.
Ben Blushi
Ekspozita “Shqiptarët e Panjohur” e Ben Blushit hap një dritare të re mbi kompleksitetin dhe pasurinë e jetës shqiptare, duke shfaqur individë që, ndonëse të panjohur në mënyrë tradicionale, janë pjesë e historiografisë dhe kulturës së përditshme të Shqipërisë. Blushi, i njohur për qasjen e tij të thellë dhe intime ndaj subjekteve të tij, shpërfaq një galeri të personazheve, të cilët mbeten larg vëmendjes së gjerë, duke ofruar një rrëfim të fuqishëm për ata që jetojnë dhe veprojnë larg reflektorëve të shfaqjes së jetës publike.
Blushi krijon një përvojë vizuale që nxit reflektimin mbi lidhjen ndërmjet individëve dhe hapësirave të tyre sociale. Imazhet janë një moment i thjeshtë, por plot domethënie; një ndalim për të vënë re atë që zakonisht neglizhohet.
Në këtë ekspozitë, Ben Blushi na fton të shohim përtej sipërfaqes, të çmontojmë narrativën e zakonshme dhe të përqafojmë një Shqipëri më të pasur dhe më të gjerë, ku çdo individ, i njohur ose i panjohur, është pjesë e historisë dhe kulturës së vendit.
Rubin Kadiu