Ekspozitë
Maestro Gjelosh Gjokaj, 90 – vjetori i lindjes
Në fazat e hershme Gjelosh Gjokaj krijonte art me tipare emblematike dhe narrative domethënëse. Mund të ndalemi te pikturat me figura pa identitet, si lodra fëmijësh, që paraqiten në ciklet e hershme të Gjokajt, të rreshtuara ose të “mobilizuara” si falanga totalitare. Shpesh ato kanë pamje mekanike ose robotike, si përfytyrim i ideve të jetës moderne teknike me pasoja dehumanizuese për shoqërinë.
Në fillime, arti i Gjokajt pati qëndrimin që u referohet përvojave të tij nga Lufta e Dytë Botërore, kur ishte adoleshent, po ashtu edhe pas përjetimeve të Luftës së Ftohtë, një kërcënim i vazhdueshëm që mund të çonte drejt luftës bërthamore dhe asgjësimit të njerëzimit.
Ky qëndrim antiteknicist i Gjokajt më vonë (në veprat e viteve ‘70 e ‘80), sikur i referohet një teme që sot është duke u bërë gjithnjë e më aktuale, mbi konkurrencën midis njeriut dhe robotit, përkatësisht makinerisë inteligjente shumë më të përsosur dhe më jetëgjatë se njeriu.
Në të vërtetë, imazhet e Gjokajt kanë diçka heidegeriane. Filozofi gjerman Martin Heidegger shkruan në vitet ‘50-të për “të shkretuarit e tokës”, “shndërrimin e njeriut në lëndë të parë”, “në subjekt shfrytëzimi”.
Seria e busteve dhe e “kokave që mbijnë” të Gjokajt, ku ai paraqet përpjekjet groteske të riparimit, ose të rindreqjes së dhunshme shkel e shko të njeriut, sikur na zbulon një depo imazhesh me ilustrime direkte të këtyre ideve heidegeriane të viteve ‘50 dhe ‘60.
Në vitet ‘80, Gjokaj largohet nga imazhet e mëhershme që e përfaqësonin dhe i afrohet asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”.
Me ngadalë ai i shmanget kompozicionit kryesisht statik, si dhe qasjes se mëparshme figurative. Në vend të vijave të theksuara dhe të figurës karakteristike, Gjokaj interesohet në këtë fazë për raportet abstrakte dhe përplasjet e hapësirave dhe ngjyrave. Në pikturën e tij futet rrokullisja e formave dhe e makinave të plasaritura në momentin pas shpërthimit, ose imazhet e kacafytjeve vetëvrasëse të organizmave të mekanizuara.
Në veprat e viteve ‘90, Gjokaj i shmanget krejtësisht qasjes së “pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj së cilës kishte qenë besnik më shumë se tri dekada. Mbetjet e realitetit në pikturën e tij të kësaj faze janë diçka që do të mun sid ta quanim skenë e flukseve dhe e përplasjeve. Artisti edhe më pas e ruan ndjesinë bazë të një poetike të konfliktit, por tani me forma krejtësisht të derdhura abstrakte, në të cilat nuk mund të dallohet asnjë figurë reale.
Kurator: Shkëlzen Maliqi