BIENALJA E AKUARELIT
COD mirëpret Bienalen e Dytë Ndërkombëtare të Akuarelit, me ekspozitë, demonstrime artistësh dhe shfaqje filmash. Bienalja e Dytë e Akuarelit, me gjeografi të pasur sallash e hapësirash në Tiranë, realizohet nga Shoqata Kulturore VIZart dhe IWS Albania. Fokusi është organizimi i seminareve të posaçme demonstruese dhe rikujtimi i teknikave të harruara të bojërave të ujit.
Nga data 13 mars, artisti Helidon Haliti shfaq ekspozitën e tij të akuarelit me 40 punime, realizuar me teknika të ndryshme. Ditë pas dite, akuarelistët më në zë të botës dhe mjeshtrat shqiptarë zhvillojnë takime e demonstrime të punës së tyre me të rinj piktorë, nxënës e studentë të artit. Me teknika nga më të ndryshmet, mjeshtra me përvojë transmetojnë dhe shkëmbejnë eksperienca me të rinj të interesuar të fushës, duke bashkëvepruar me auditorin e duke krijuar ura komunikimi mes vendeve dhe kulturave.
Ditën e hënë, më 13 mars, artisti i mirënjohur bullgar Krasimir Todorov bën një demonstrim të rrallë të punës së tij për krijimin e skulpturave tredimensionale me letër akuareli.
Në fund të takimit, në forumin e COD shfaqet filmi “Rrugëtimi i Akuarelit”, i cili përshkon etapa të ndryshme të zhvillimit të këtij zhanri në festivalet ndërkombëtare.
Më datë 15 mars, artistë të tjerë mes 100 akuarelistëve nga 60 vende të botës, të pranishëm në Tiranë, demonstrojnë punën dhe teknikat e tyre në mjediset e COD. Veprimtaria është një përvojë e dobishme dhe rast për ta promovuar Shqipërinë, kulturën, historinë dhe bukuritë e saj. Prania e Liu Yi (Kinë), Amit Kapoor (Indi), Atanur Dogan (Turqi/Kanada), You Mee Park (Kore), Jansen Chow (Malajzi), La Fe (Tailandë), Ihor Youchenk (Ukrainë) e shumë të tjerëve nxit komunikimin me botën e artit, nëpërmjet shkëmbimit dhe bashkëpunimit për zhvillimin e pikturave në akuarel, zhanër thuajse i harruar në vendin tonë.
Më 16 mars, në kuadër të Bienales së Dytë Ndërkombëtare të Akuarelit, artisti i mirënjohur kinez Liu Yi realizon një demonstrim të posaçëm në mjediset e bibliotekës së COD. I vlerësuar anembanë botës me çmime të para për punën e tij “magjike” me bojërat e ujit, për rreth 2 orë, Liu Yi nderon publikun e interesuar me një demonstrim të rrallë, në ndërveprim me modelen e tij, balerinë me kostum kombëtar.
Liu Yi është shumë i dhënë pas përdorimit të teknikës së lagur, që e lejon të krijojë koherencë mes një kuptimi së brendshmi dhe vështrimit së jashtmi, i cili është menduar të lërë përshtypje të fortë te shikuesit. I njohur për penelin e shpejtë në pikturë dhe ritmin e shpejtë në procesin e bërjes, Yi arrin ta bëjë artin e tij të duket i paqëllimshëm dhe tërheqës, duke theksuar efektin me bojëra uji. Aftësia e jashtëzakonshme, talenti që zotëron artisti shihet në mënyrën se si e arrin virtytin e pabesueshëm dhe qartësinë e subjektit të veprës, duke mos lënë hapësirë për konfuzion.