“Fjala si skulpturë dhe skulptura si fjalë”
Heshtja është pika ku bashkohen të gjitha fjalët, tentacioni për ta prishur heshtjen shpërndan fjalët dhe sikur largon atë që e ndjejmë në heshtje, por që duam ta kapim me fjalë. Pika drejt së cilës janë nisur të gjithë nuk ka nevojë të shpjegohet, vetëm të shënohet me besim. Gjithsecili le të shënojë shenjën e tij, e cila nuk duhet domosdoshmërisht të komunikojë diçka të kuptueshme për të tjerët, të kapshme ndoshta po, mjafton të jetë e dukshme. Konstatimi përfundimtar i pikës drejt së cilës nisemi është kaq personal, sa e humbet sensin e komunikimit pikërisht kur merr formë si konstatim, është momenti i transmetimit direkt të ndjesisë sime, është një moment i paimitueshëm dhe i përsëritshëm vetëm në forma të reja shfaqjeje. Një moment që kalon të vërtetën e kapshme nga fjala dhe që hyn në rrjedhën e së përditshmes vetëm pasi të jetë bërë konstatim i përgjithshëm. Shpeshherë druhem se mos ia përshtas gjërat arbitrarisht mënyrës sime të të menduarit dhe preferoj heshtjen. I vetmi koncept që më intereson seriozisht është jetëgjatësia, ndoshta prandaj jam dhe i përkushtuar ndaj materialeve që garantojnë jetëgjatësi.
Pjerin Kolnikaj
Mbi mashkullorësinë e skulpturës së Pjerin Kolnikës
Skulptura e Pjerin Kolnikës, në të gjitha materiet që ajo gjendet, duket si të jetë e bërë mëngjesin e ditës së gjashtë të zanafillës, atëhere kur Adami nuk kishte rënë ende të flinte në zheg e kur Zoti ende nuk ia kishte nxjerrë njërën brinjë për të bërë Evën. Ai gjendet i vetëm në kopshtin e Edenit, kryelartë dhe pa frikën e audiencës.
Pjerin Kolnikaj është një bachelor (kalorës-beqar) i skulpturës bashkëkohore shqiptare, një njeri që e ka refuzuar që në krye të herës imitimin (Mimesisin Aristotelian) dhe që vazhdon të jetë në përpjekje për eksteriorizimin e materieve që merr në duar.
Stefan Çapaliku