Ekspozitë
KILLING TIME
Adrian Çene
“Rri hapur në një shoqëri të mbyllur dhe zgjo instinktin tënd. Lëre këtë instinkt të vërshojë e kupto si ndizet gjaku në një përplasje fatlume të kontaminimit me të ngjashmit e shumtë. Vrite kohën dhe jeto në zjarr të lartë.”
Arti lind, shkaktohet, drithëron gjithherë aty ku duket e pamundur. Ai është një perceptim relativ në vlerë, sepse sa më shumë i largohemi si optikë, aq më shumë merr reflekset e një relativiteti të ri e të diskutueshëm për atë që propozon. Këtë paqëndrueshmëri në kohë atij ia jep vetë materia, po aq sa edhe artistët, që kanë në vetvete një udhëtim të çuditshëm, duke e lëkundur qëndrueshmërinë e artit me format e tyre të mëdha sunduese apo shenjëlënëse në kohë.
Adrian Çene është një artist kontradiktor, i cili në thelb e ka zhvendosur konceptin e kohës në një formë të lirë, ku aleancën e tij përmbushëse e identifikon me ngazëllimin që të jep natyra dhe kundërtregimi i mistertë i ngjyrave. Çene mundohet të krijojë një marrëdhënie vetjake me botën që e rrethon, nën motin e një fjalori të hapur për të shtuar apo për të hequr në të gjitha përthyerjet në rrafshin përzgjedhës.
Në thelb Çene është si një fëmijë në emocion të parë, që nuk pranon të shkëputet nga atdheu mistik e sugjestiv i pikturës. Një piktor që me udhëtimin e tij të kujton një zjarr të padukshëm për botën e artë të pikturës, kohën e mjeshtërve që e transformuan artin e tyre në një varësi lartësuese të shpirtërores. Duket sikur vepra i jep atij rolin e një “pistoleroje”, i cili është i gatshëm ta mbrojë shkarkesën e tij artistike me çdo çmim. Është kjo arrati e fantazisë që e vesh qenien e artistit me personalitet, që më pas guxon “të vrasë kohën” me një lehtësi dehëse e të pashpjegueshme.
Çene nuk zbukuron, as nuk përdor truke estetizuese, por si një “roker” aktesh pamore e ndërton veprën e tij në një flirt të vazhdueshëm me publikun, në një udhëtim përkundër referencave në vijime të parashtruara si kahje historike. Udhëtimet e Çenes si gjuetar ngjyrash janë të kapura në cip të zgjedhjes së parë emocionale. Ai i shkrep tensionet shëtitëse mbi realitetin që e rrethon, me epërsinë e dukshme të një narcizisti në një fushë të magnetizuar që bashkëjeton me artistin. Ai kalon nga gjendja në gjendje i shpërqendruar dhe i papritur. Në krejt kërkimin e tij instinktivja merr një status kyç.
“Killing time” është një shkarkesë për një karakter të veçantë që mban boshtin e një krijimtarie të shthurur e shëtitëse, e cila ka nevojë të rrethohet me fjalë e fjali zbuluese, si një akt i veçuar i stilit të sjelljes, ku artisti sfidon kohën duke kthyer akrepat pas nëpër riciklime të pakontrolluara të ngasjes së vetëdijes.
Prania e artistit në hapësirat e COD-it i jep atij një mundësi të vyer për të ngritur një dialog me zhvillimet e artit sot, jo vetëm në artet pamore, por edhe në domenin e kulturës në tërësi.
Vepra e tij në këtë ekspozitë ndahet në tri pjesë: fillimet, angazhimi me pikturën informale dhe faza ku fabulat jetësore kthehen në pretekste të pikturës dhe ndërtojnë një komunikim më njerëzor, më të kapshëm. I vetmi bosht bashkues është ideja e ringjalljes së idealeve të pikturës si shenjë goditëse plot afsh, pa orvatje akademike, por si një frymë shkatërruese që endet egër në një rivendosje rendi vlerash, që historia përmes artistësh i risjell në përsëritjen e saj, duke na kujtuar se jemi bërë ca si shumë shkencorë e racionalë.
Çene është përfaqësim i akteve shpirtërore, që bëhet i pranishëm me sjelljen e tij herë në kontekst të kohës e herë përjashta saj si një kërkesë për të modeluar nevojën e tij shpirtërore, një aleancë e vjetër dhe e ndryshueshme në kohë.
Kurator: Vladimir Myrtezai
Lindur më 19 shkurt 1969 në Tiranë, Adrian Çene nisi të pikturonte që në moshën dhjetë vjeç. Në 1991 ai kaloi verën në Itali, ku talenti i tij tërhoqi vëmendjen e koleksionistëve evropianë. Duke u kthyer në Shqipëri, Çene i ri vazhdoi programin rigoroz në Liceun Artistik për pikturë dhe përfundoi trajnimin e tij akademik të artit figurativ në Akademinë Shqiptare të Artit, duke u diplomuar në 1992.
Shpejt pas kësaj, artisti filloi të magjepsë jo vetëm publikun shqiptar, por shumë personalitete të huaja dhe personelin e ambasadës që punonin dhe udhëtonin në Shqipëri. Ai mori pjesë në ekspozita të shumta të organizuara nga galeritë private shqiptare si dhe Galeria Shtetërore e Artit. Duke u mbështetur në këto arritje, Çene mori pjesë në ekspozitat e artit bashkëkohor shqiptar. Pikturat e tij u shitën në Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, SHBA, Spanjë, Angli, Grece, Zvicër dhe Australi.
Adrian Çene është një piktor shqiptar bashkëkohor emocionues. Ai e godet publikun me një stil komandues shumë personal duke përdorur forma të theksuara, ekspresive dhe paleta ngjyrash. Duke mbetur në të njëjtën kohë optimist, Çene pikturon sikur dëshiron t’i japë zgjidhje tranzicionit shumë të vështirë dhe agresiv shqiptar pas rënies së komunizmit. Arti i tij ka një efekt të menjëhershëm në arritjen e suksesit dhe bindës në dhënien e mesazhit pozitiv, pa e humbur kurrë qasjen e tij të fuqishme.