Ekspozitë
IL NUOVO DESIGN ITALIANO / DIZAJNI I RI ITALIAN
Ilaria Bianchi, Federica Biasi, Matteo Cibic, Serena Confalonieri, Elena Salmistraro, Tipstudio.
Është gjithmonë e më e vështirë të përcaktohen kufijtë e dizajnit. Kuptime të reja dhe shumë të ndryshme e kanë përvetësuar termin: sot flasim për dizajnin interaktiv, dizajnin grafik, dizajnin e faqeve web, dizajnin vizual, atë të ushqimit dhe kështu lista vazhdon. Përkufizimi i dhënë nga Treccani na kthen në një farë mënyre jo vetëm në fillimet e historisë së lavdishme – të mbi një shekulli – të produkteve italiane, por gjithashtu na kujton thelbin dhe veçoritë e tij: dizajni italian lind në lëvizje, eksperimental dhe avangardë, i jashtëzakonshëm në thjeshtësinë e tij, por edhe i arritshëm dhe i matur, karakteristika këto që i bëjnë produktet e tij të njihen menjëherë dhe të mbeten të përjetshme. Projektuesit e rinj italianë të cilët po ekspozojnë në Tiranë në Sallën “Tako Artistin” në COD – asnjë hapësirë më e mirë do të kishte mundur t’i mirëpriste – edhe pse në bashkëkohësinë dhe origjinalitetin e tyre, dëshmojnë vazhdimësinë që e bën dizajnin italian të famshëm në të gjithë botën.
Dizajni italian, që nga periudha e pasluftës, ka përjetuar një dualizëm endemik, të ndarë vazhdimisht mes punimeve artizanale dhe industrisë, mes standardizimit dhe gjenialitetit individual, duke kaluar nga një rrymë mendimi tek tjetra. Nga racionalizmi i Good Design (dizajni i mirë), i cili nxjerr në pah marrëdhënien midis formës dhe funksionit, duke favorizuar gjeometritë elementare, është kaluar tek dizajni “integral” i Achille dhe Pier Giacomo Castiglioni, i aftë të përfshijë në projekt formën, materialin dhe teknikën, tek pika e kthesës “organike” të Marco Zanuso, i cili pararend stilin high-tech, e deri tek Radical design, i quajtur ndryshe edhe contro-design, “kontestim i së tashmes” ku ironia bëhet elementi mbizotërues. Për të arritur më pas tek Neomodern, një imazh rinovimi, një dizajn me gjuhë simbolike dhe gëzim cinik. Sot një brez talentesh me shije të hollë, kuriozë, pa dogma, të aftë për t’u marrë me traditën dhe “mjeshtrat e mëdhenj” të së kaluarës, po i japin jetë një sezoni të ri të dizajnit italian, me krijime me një ndikim të fortë ndjellës që puqen me artin.
Detajet, materialet, format, liria krijuese dhe qasja emocionale ballafaqohen me të tashmen: braktiset kështu ideja e një modeli të standardizuar dhe fokusi përqëndrohet tek origjinaliteti i objektit. Prej këtu thjeshtësia e formës dhe estetika minimaliste e Federica Biasi; dizajni utopik i Matteo Cibic mes dizajnit, artit dhe mjeshtërisë së lartë artizanale; humanizmi i Antonio Facco që shkon nga arkitektura e brendshme tek objekti; harmonia e formave dhe stili poetik i Elena Salmistraro, një përzierje e ilustrimit, dizajnit dhe arteve pamore; eksperimentimi dhe analiza e thelluar mbi materjen e dyshes krijuese Tipstudio, që shndërron çdo ide në një produkt narrativ dhe simbolik; format arketipike dhe gjuha shprehëse e Ilaria Bianchi, drejt një dizajni stampimi më kritik dhe konceptual; sipërfaqet grafike të Serena Confalonieri, të cilat në kontrast midis formës dhe ngjyrës, bëjnë të spikasë lehtësia e objekteve.
Pasion, traditë, inovacion dhe mbi të gjitha lavd ngadalësisë, punimit handmade, cilësisë mbi sasinë, këto tipare përvijojnë “Made in Italy” të sotëm, si një burim i domosdoshëm i ekonomisë italiane.