Ekspozitë

Banner

Sali Shijaku
“88 Dritëhije dhe Ngjyra”

Impresioni i parë është drita, impresioni i dytë është ngjyra, kur vëren pikturat e Sali Shijakut. Në kërkim të vazhdueshëm të ndjesive, me qëllim zgjimin emocional, artisti lëviz guximshëm me ngjyrat, shpesh në kontrast.

Dikur, nën  thundrën detyruese të artit nga realizmi socialist, gjeti strehë tek legjendat dhe epika shqiptare, duke rrëfyer karakterin e vet artistik e duke mos humbur veten. Orët, zanat, trimat, figurat homerike janë subjekte të përzgjedhura të tij, trajtuar me individualitet në varësi të figurës; linja plot finesë te figura femërore dhe brutalitet spatule tek figurat mashkullore.

Ekspozita sjell të pranishme edhe këto figura, të cilat piktori i ka trajtuar shpesh gjatë jetës së vet artistike. “Zanat” zhvillohet në 7 vizatime dhe skica lineare që datojnë në një periudhë të zgjeruar, prej vitit 1980 deri në vitin 2005. Seria “Kreshnikët” ndërkaq, zë një hapësirë prej 10 vizatimesh e studimesh që zhvillojnë e përmirësojnë veten prej vitit 1986 deri në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë.

Sali Shijaku njihet sot jo vetëm si piktor monumental, por edhe si skulptor. Lidhja e tij me qeramikën rrëfen se figurat e legjendave dashurohen dhe pasqyrohen, edhe aty, me besimin se pas çdo krisjeje ndër vite, vlera shtohet e rrëfimet po ashtu.

Vepra më e spikatur në zhanrin e skulpturës veçohet monumenti i “Lirisë”, portretizimi i Shqipërisë. Liria – liri, një vajzë 18-vjeçare që me shpatë në dorë hap shtegun e vet të historisë dhe shpall simbolin e mbrojtjes. Dy planimetritë historike që shihen të ekspozuara, bocetet dhe studimet e këtij monumenti e deri tek projekti tredimensional i monumentit origjinal janë dëshmi të veçuara. Ky cikël i posaçëm rrëfen edhe shndërrimet e brendshme të artistit, siç është ripunimi i bocetit të statujës monumentale pak ditë para se të ekspozohej, pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019. Periudha e këtij cikli daton nga viti 1976 e deri në vitin 2021, pothuajse një gjysmë shekulli, duke e zhvlerësuar elementin kohë dhe duke e bërë veprën të pakohë, të pafund, pavarësisht finalizimit, duke i dhënë rëndësinë studimit të vazhdueshëm të veprës, evoluimit në ditë a dekada.

Elipsa tregimtare e veprave përmbyllet me 16 vizatime e piktura abstrakte të piktorit, realizuar në vitet 2000 – 2009. Sali Shijaku vjen plot jetë mes  kapriçove “allegro passionato” abstrakte. Një lojë linjash të pjerrëta që ndërthuren me ngjyrime të papritura, duke prezantuar befasisht figura shprehëse e duke ngacmuar përfytyrimet, fantazitë, imagjinatën.

Në 88-vjetorin e tij, artisti Sali Shijaku në papritmëri zgjedh Qendrën për Hapje dhe Dialog si “shtëpinë” e radhës për artin e tij. Sipas Shijakut, jeta është një lojë dhe duhet luajtur gjithmonë.

Foto

Video

play