Ekspozitë

"Verba Volant, Scripta Manent - Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë"

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin të saj, vjen në një ekspozitë me një korpus libror të pasur për promovimin e thesareve të saj, shpesh herë të pazbuluara për publikun e gjerë.

Inkunabulat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, do të prezantohen me disa njësi, ku mund të veçohen libri më i vjetër, “Letra mbi Kuvendin e Mantovës” e Papa Piut II, bashkëkohës i Skënderbeut, botuar në 1473 dhe libri i Bartolomeo Platinës, humanist me ndikim të madh në Rilindjen Italiane, botim i vitit 1485.

Dokumentet e para të botimeve në gjuhën shqipe, gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe të botuara jashtë Shqipërisë, si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj.

Libra antikuarë kushtuar Skënderbeut, vepra të humanistëve shqiptarë e të huaj, ku mund të veçohet Barleti me ndikim aq të fuqishëm në tërë literaturën e huaj, posaçërisht të shek. XV-XIX, Beçikemi, Dhimitër Frëngu etj., të cilët subjektin e marrin nga luftërat shqiptaro-osmane të shek. XV.

Libra antikuarë të besimit katolik nga autorë, si: Baldasari, Baroti, Lombardi etj.

Libra të besimit ortodoks, si Shën Joan Gojëartit, Ungjijtë dhe Akuluthitë të botuara në Voskopojë.

Veprat e autorëve greko-latinë, që japin njoftimet e  para për fiset ilire me karakter historik e gjeografik, si veprat e Aristotelit, Euklidit, Ermogjenit, Homerit etj

Veprat e autorëve e të kronikanëve byzantine, si Ana Komnena, Sfranca, Justiniani etj., të cilat sjellin njoftime për Arbërinë e shek. VII-XV.

Hartat e përpiluara nga hartografët më në zë të kohës si: Koronelli, Barbie du Bokazh, Merkator, Rozaçio, Kluveri, Kâtip Çelebi etj. me rëndësi për historinë e hartografimit të trojeve shqiptare.

Dorëshkrime shqipe dhe në gjuhë të huaj, që trajtojnë çështje me rëndësi historike, gjuhësore, etnografike etj. Mund të veçojmë tragjedinë e Arkanxhelos mbi Skënderbeun apo kodikun e Kostandin Beratit, ditaret unikale të albanologut dhe paleontologut Franc Nopça etj.

Dorëshkrime orientale, me përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divanet, një dukuri e veçantë që lindi në Shqipëri në shek.XVIII, ku u zhvillua si rrymë letrare e njohur si rryma e bejtexhijve.

Pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë edhe veprat e shkruar në shqip të autorëve të Rilindjes Shqiptare, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada, Dora D’Istria dhe Dhimitër Kamarda.

Foto

Video

Video2
Video 1