Ekspozitë në COD

→ Chagall: Graviteti Magjik

19 Tetor 2018 – 12 Janar 2019

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) hap më 19 Tetor 2018, ekspozitën “Chagall: Graviteti Magjik”, të artistit të famshëm ruso – francez Marc Chagall. Ekspozita shënon njëkohësisht dhe hapjen e sezionit të tretë të COD si aktiviteti artistik dhe ekspozita më e rëndësishme për vitin 2018.

Marc Chagall (1887-1985) është një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të XX-të. Ekspozita Chagall: Graviteti Magjik sjell në COD më shumë se 180 gravura dhe grafika për herë të parë në Shqipëri me një përzgjedhje grafike nga tre ciklet e tij më të njohura ilustrative për libra: “Shpirtra të Vdekur’ të Gogol, ‘Stuhia’ të Shekspirit dhe ‘Fabulat’ e La Fontenit.

Marc Chagall ishte një eksperimentues gjenial dhe eklektik. Në më shumë se shtatëdhjetë vjet aktivitet si artist, mjeshtri e shprehu veten përmes çdo mediumi në dispozicion të tij: nga piktura, grafika, qeramika dhe vizatimi, deri tek vitrazhi, mozaiku, endja në tezgjah, skulptura monumentale dhe skenografia. Ai krijoi një univers në të cilin figurat njerëzore, kafshët dhe skena të marra nga traditat hebraike jetojnë krah për krah me referenca biblike dhe fetare.

Është e vërtetë se Chagall e shprehu botën e tij të brendshme përmes pikturës dhe ngjyrës, por është gjithashtu e vërtetë se grafika ishte shumë afër zemrës së mjeshtrit ruso – francez. Pllakat e tij të gravurës ngjajnë si pyje shenjash, mbushur plot me gdhendjet tronditëse të artistit dhe të ngjashme me punën e Rembrandt-it dhe Goja-s.

Gravurat e tij (në këtë ekspozitë cilësisht litografi dhe akuaforte) të mahnisin, duke demonstruar aftësinë e tij gjeniale për të balancuar vlera të ndryshme tonale; ato shfaqin aftësitë e tij të jashtëzakonshme në raportet mes të bardhës dhe të zezës, si dhe na zbulojnë dorën e tij unike, kaq delikate dhe të dallueshme në ‘gjestet’ dhe ‘prekjet’ e veçanta dhe intime.

Chagall u prezantua me procesin dhe filloi të prodhonte gravura në Berlin në 1922, në moshën tridhjetë e pesë vjeç. Pas kthimit të tij nga Rusia, ai e provoi dorën së pari në gravurat e ekzekutuara për autobiografinë e tij, My Life (Jeta ime) (Berlin, 1922-23).

Pasi u zhvendos në Paris, Chagall-it iu afrua Ambroise Vollard (francezi Ambroise Vollard (1866-1939) është një nga galeristët, tregtarët dhe mecenatët më të njohur dhe më të rëndësishëm të artit në shekullin e 20-të), i cili dëshironte të komisiononte Chagall-in për të prodhuar një seri gravurash për një “livre de peintre” (libër artisti), delikat si ato që Vollard kishte porositur nga piktorët Bonnard dhe Rouault. Chagall e refuzoi zgjedhjen e teksteve që propozonte Vollard’s dhe në vend të tyre sugjeroi të ilustronte romanin Shpirtra të Vdekur nga Nikolai Gogol. Rezultati i kësaj pune është një nga kryeveprat e artit modern në gravurë.

Në vitin 1927 Chagall filloi të punojë për një projekt tjetër për Vollard, një seri gravurash për ilustrimin e ‘Fabulave’ të mrekullueshme të La Fontenit. Në këto vepra zhvendoset nga Rusia fantastike e imagjinatës dhe kujtesës së Chagall-it, në botën më ëndërrimtare të mitit dhe legjendës së lashtë, të treguar e të ritreguar sa e sa herë, duke ndryshuar kohë pas kohe dhe vend pas vendi, por në fund duke mbetur po gjithmonë të njëjtat.

Teknikisht këto vepra ndryshojnë shumë nga ato të ‘Shpirtrave të Vdekur’. Franz Meyer komenton: “Krahasuar me gravurat e fundit për ‘Shpirtrat e Vdekur’, në gdhendjet e reja përmbajtja piktorike e veprës rritet jashtëzakonisht shumë. Chagall-in tani nuk e tërheq më teknika e akuafortes dhe litografisë; gjithashtu edhe teknika e gjilpërës së thatë mezi vihet re. Në vend të kësaj, ai bën gjithçka me anë të zinkografisë (gdhendjes në pllakë zinku), dhe e mbulon sipërfaqen e gdhendur me dyllë fiksues, një kombinim që e rrit intensivisht efektin piktorial të grafikës.”

Prodhuar në moshën 88 vjeçare, ‘Stuhia’ e Shekspirit paraqet si cikël i plotë rreth 50 ilustrime që reflektojnë interpretimin e Chagall-it të magjikes Shekspiriane tek drama ‘Stuhia’. Sipas interpretimeve kritike më të fundit, Chagall pa tek ‘Stuhia’ e Shekspirit simbolin e stuhisë që përfshiu vetë jetën e tij, si dhe një reflektim të përvojave traumatike të hebrenjve evropianë në gjysmën e parë të shekullit të XX-të.

Ekspozitën e mbyll një cikël me 13 litografi që janë një përmbledhje sintetizuese e diapazonit koloristik dhe tematik të universit Chagall-ian.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 12 Janar 2019 dhe mund të vizitohet në COD nga e hëna në të shtunë, nga data 20 Tetor e në vazhdim.