O.V-VIDEO

KURRË MË
, 2018
Video HD, 3 minuta, 3 sekonda, me ngjyra

Kjo video rreth 3 minuta e gjatë rrëfen një ëndërr të artistes, duke përdorur figurativen subjektive, ‘normale’ për një realitet oneirik. Nevermore (Kurrë më) është fjala-refren që thotë Korbi në poemën gotike të Edgar Alan Posë me të njëjtin titull, që në shqip është përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga F. S. Noli, në fillim të shekullit XX.

Nevermore (Kurrë më) tregon për pamundësinë e kthimit; është ngrënia e realitetit nga përparimi i kohës dhe afrimi i vdekjes. Ose më thjesht, është pamundësia e kthimit mbrapsht, qoftë edhe për një sekondë, e asaj që ikën e s’vjen më. Kolona vertebrore e videos së Vorpsit mbetet disonanca logjike, “décousu” në frëngjisht, duke e bërë veprën të vështirë të përkthehet me logjikën e përditshmërisë. Inserti i pakuptueshëm në mes të videos thekson elementin ëndërrimtar; po ashtu veprojnë edhe filtrat e qëllimshëm me efekte të pelikulës të vjetër filmike. Ndërkohë, paralelisht, rëndësia që i jep artistja aktit të shkuljes së zemrës përkthen me frymë elegjiake bashkëkohore një proverb shqiptar mbi bujarinë: “Bukë, kripë e zemër për mikun”. Ky akt final – që realisht tregon tranzicionin nga njëra botë te tjetra – flet qartë se artistja ofron gjith- çka ka për atë që i hyn në zemër, duke tejkaluar të gjitha llojet e dyshimeve të ‘paarsyeshme’ që një njeri bashkëkohor ‘racional’ mund të ketë.

Vepra e Vorpsit, që lundron në një shtrat psikologjik-ekzistencial, mund të lexo-

het në plan personal si një asosiacion i lirë mbi pamundësinë e kontrollit të raporteve njerëzore dhe vështirësisë së interpretimit të historive personale, surreale për tjetrin.

Për nga intensiteti, vetmia dhe lakonizmi, kjo vepër e Vorpsit të sjell ndër mend obsesionin e ngjashëm mes një artisti dhe muzës së tij në romanin klasik ekzistencial ‘Tuneli’ (1948) të shkrimtarit argjentinas Ernesto Sabato, apo filmin klasik gotik neo-noir të David Lynch ‘Eraserhead’ (1977).