O.V-Holli-Protokollar

PROVIDENCE
“Më imagjino; unë s’kam jetë, nëse ti nuk më imagjinon.”
– Vladimir Nabokov, Lolita

Vepra e Ornela Vorpsit në artet pamore ka një gamë të gjerë mediumesh, procesesh e qëndrimesh estetike, si dhe një numër impresionues veprash të forta, të përqendruara, me të cilat ajo ndërton një trilogji narrative në pikturë, fotografi dhe video, po aq të fuqishme e identifikuese sa edhe vepra e saj si shkrimtare e tregimtare. Nëpërmjet tyre, Ornela Vorpsi specifikon edhe më shumë diametrin e temave, përmes të cilave ajo ka ndërtuar tashmë kanonin e saj artistik prej rreth 20 vitesh: brishtësia dhe fortësia femërore; bukuria fizike si shqetësim artistik; estetika si obsesion i pashmangshëm; dështimi në posedimin e vetes, tjetrit; pamundësia e subjektives si etalon për matjen e së përgjithshmes dhe ideja e trupit si foleja e jetës, si një

cilindër nën presionin e emocioneve. Vorpsi, edhe pse e njohur më së shumti për prozën e saj të shkruar fillimisht drejtpërsëdrejti në italisht, – e prej disa vitesh në frëngjisht, – ka formim të plotë akademik në artet pamore, fillimisht në Tiranë dhe më pas në Brera, Milano. Narrativja dhe pamorja te Vorpsi janë vazhdim i njëra – tjetrës; ato stimulojnë njëra – tjetrën dhe nuk mund të ndahen dot.

Vepra pamore e Vorpsit ka si themel botën sensuale, emocionale dhe në kontrast me shumicën e artit konceptual e bashkëkohor, shprehet përmes një strukture të qartë e ritmi të balancuar, duke dhënë në çdo vepër thellësinë e një hapësire të dyfishtë – të brendshme dhe të jashtme. Nëpërmjet një gjuhe realiste, figurative, mediumeve të thjeshta, primare, si vizatimi me laps e piktura në vaj, dhe sidomos një forme klasike në kompozim, Vorpsi përqendrohet intensivisht në cilësitë formale të subjektit të portretizuar, duke synuar hapjen e tyre drejt interpretimeve të reja narrative dhe reflektimin mbi to nga një qasje humaniste, poetike. Kështu, në punën e saj krijuese bashkohen në dukje dy parime të kundërta, poezia e pikturës dhe ndërtimi klasik i tablosë.

Nëse ka një surprizë në përballje me veprën e saj në këtë ekspozitë të parë personale në Shqipëri, që pas largimit prej më shumë se një çerekshekulli më parë në Itali në 1991, është ajo që vepra e saj në arte pamore këtu i shmanget me sukses turbulencave politiko-historike shqiptare, për të cilat shquhen romanet e saj. Por kjo vjen se vepra pamore e Vorpsit nuk ka të bëjë specifikisht me ide të përgjithshme, të mëdha, historike, pasi ato duken të pamundura për të gjeneruar kureshtje të mjaftueshme tek ajo. Vorpsi, ashtu si të gjithë artistët e mirë, depërtues, është e interesuar te vizioni i veçantë, në hollësitë e vogla, sidomos në djallin e vogël që banon në shtëpinë e detajeve fine, në ato gjëra që kanë një fund (me pak fjalë, në të vdekshmen), në të parëndësishmen, në momentalen dhe kalimtaren. Ashtu si Nabokovi, me të cilin ajo ndan shumë, vepra e saj na thotë dhe na konfirmon edhe një herë: “Realiteti nuk është as subjekt, as objekt i artit të vërtetë; arti i vërtetë krijon realitetin e tij të veçantë që nuk ka të bëjë fare me “realitetin” e përgjithshëm të perceptuar nga syri mesatar”. Në koherencë me këtë maksimë, në veprën e saj vizuale Vorpsi shfaq një kontroll të plotë mbi materien e zgjedhur si përmbajtje dhe si trajtim.

Autoportretet e Vorpsit në pikturë janë disa prej veprave më të mira të artistes. Në to, retrospektiva, introspektiva dhe perspektiva shkrijnë kufijtë e secilës nga pikëpamja formale dhe formojnë një masë emotive turbulence emocionale, duke reflektuar me habi dhe melankoli në zbulimin e vetë vizionit që i krijon. Transformimi i fytyrës së saj në një seri metaformozash, herë si mace e herë si një kafshë e përgjakur, tregon se artistja kërkon të nxjerrë nga thellësitë ende të pashprehura emocionale të saj dëshirën për ikje dhe arrati nga vetja, si një mekanizëm çlirues psikologjik, por edhe si një mënyrë për të jetuar përtej standardit njerëzor (macet, në folklorin e shumë popujve kanë më shumë se një jetë; nga gjashtë deri në nëntë). Autoportretet e saj nuk nënkuptojnë aq shumë praninë e dyshimit ekzistencial, pakuptimshmërinë e jetës dhe kalimin e kohës, por hutimin absolut para fenomenit jetë. Këtu, në autoportretet e Vorpsit, Superegoja, Egoja dhe Id-i takohen në sipërfaqen e planit piktorik, me habi në ekzistencën e njëri-tjetrit. Që është habia e secilit prej nesh para një fytyre, para një pasqyre. Apo ashtu si do të shprehej Carlo Levi “melankolia klasike, e dhimbshme e të jetuarit në kohën tonë.”

Cikli ‘Shëtitje’ tregon përmes skenash të thjeshta përditshmërie për lidhjen babë-bijë, për momente që secili shkul nga trungu i të zakonshmes dhe i kthen në një ditar personal vizual ekzistencial. Personazhet e tablove këtu, i shoqi dhe e bija, nuk pozojnë, nuk ngrijnë në momente domethënëse, por vazhdojnë jetën normalisht.

Ashtu si Pierre Bonnard (me të cilin Ornela Vorpsi ndan shumë) që pikturonte Martën, të shoqen, pafundësisht, ashtu dhe Vorpsi, tek e zakonshmja, tek e përditshmja gjen piktoriken, artistiken. Artistja e pohon dhe vetë këtë qëndrim, kur thotë: “Krijimi im artistik ka nevojë të gërmojë në thellësitë e shpirtit njerëzor. Subjektet e mia të momentit janë fytyrat, trupat. Observoj nëpërmjet pikturës, si ato «ulen» në këtë eksiztencë «joevidente».” Po të parafrazojmë Kimmelman kur shkruan për Bonnard, ky qëndrim ”… provon se një botë e kufizuar mund të duket e jashtëzakonshme, e parë përmes një imagjinate të pasur.”

Fotografia është një nga mediumet me të cilat Vorpsi ka një lidhje organike. Përmes ciklesh të plota, duke nisur që nga ‘Nothing Obvious’ (2001), e më vonë, Vorpsi, te kamera fotografike ka gjetur një medium nëpërmjet të cilit shfaq një anë tjetër të instinktit të saj krijues, por edhe një mekanizëm shtesë në krijimin e autoportretit të saj, poliedrik dhe të shumështrezësuar, një penë të re, me të cilën ajo shkruan vizualisht. Imazhet e saj, në shumicën dërrmuese tregojnë femra nudo, ku trupi është pjesërisht ose gati krejtësisht në hije e, përmes imazheve që duket sikur jetojnë ndërmjet ëndrrës dhe realitetit, shfaqin bukuri fizike gati ideale. Mirëpo, fuqia e punës së saj qëndron pikërisht te disonanca, ku fokusi është realisht jo truporja dhe fizikja e përkryer, por dhimbja shpirtërore që nuk ka as emër dhe as shërim.

Dhe nga kjo pozitë strategjike si krijuese dhe demiurge Vorpsi përpiqet të shërojë trupin, njeriun, shpirtin, sado i vrazhdë e i mbushur me padrejtësi dhe absurditet të jetë realiteti.

Genti Gjikola
Mars 2018