salla_tako-artisitin

Më poshtë është një përmbledhje e bashkëbisedimit mes Mia Enell dhe William Stover në studion e artistes, në dhjetor 2017.

William Stover  Ka shumë mënyra se si të fillojmë të flasim për punët e tua: ta bëjmë duke ndjekur linjën historike të artit apo të flasim për shkrimtarët e ndryshëm dhe tekstet që ke lexuar; por jam veçanërisht i interesuar për mënyrën se si punon. Se si vijnë në jetë vizatimet dhe pikturat e tua. Kam ndër mend shprehjen tënde artistike “e ndiej mendimin të më përshkojë krahun, të shkojë nga dora te lapsi dhe të shfaqet mbi letër…”. Edhe pse i referohesh në mënyrë specifike vizatimit, sipas meje, kjo përmbledh atë që unë mendoj se, jo vetëm përshkruan procesin tënd të punës, por edhe filozofinë se pse duhet të krijosh.

Mia Enell  Kjo është e vështirë të thuhet me fjalë. Mund të jetë një vizion shumë i qartë, i cili më shfaqet. Vizioni i diçkaje që do të pikturohet ose vizatohet. Shkak mund të jetë një ëndërr ose edhe një fjalë që kam dëgjuar. Fjala më rri gjatë gjithë kohës në mendje, merr formë dhe shoh se diçka ndodh me të; kjo është arsyeja pse e quaj vizion.

Mënyra tjetër është pasja e një ideje të pjesshme, jo krejtësisht të qartë. Ka raste që ulem, pikërisht aty ku je ti, dhe ia ngul sytë për një kohë të gjatë telajos e shoh një formë apo ngjyrë që duhet të jetë atje; ndaj ngrihem dhe e bëj të dukshme në kanavacë. Ka raste që më thotë diçka krejt tjetër. Unë bëj atë që më thotë telajoja. Është dialog. Te Walking Clouds, (Re që ecin) thuajse e kisha mbaruar pikturën – këmbët ishin aty, retë ishin aty, por nuk e ndieja të përfunduar. Ndaj u ula, e vështrova gjatë dhe befas e kuptova. Pashë dy pikëçuditëse që përshtateshin fizikisht me këmbën dhe pikat e të dyjave viheshin te kyçet. 

William Stover  Më tërheq marrëdhënia që ke me telajon dhe shfaqja e “asaj që kërkon të pikturohet”. A ndodh kjo me një proces gati meditativ të çastit, apo e paramendon atë? 

Mia Enell Po, imazhet dhe idetë më vijnë nëpërmjet një procesi gati meditativ, por nga ana tjetër bëj edhe piktura që nisen nga vizatime të mëparshme. Unë nuk e kopjoj vizatimin në telajo, por e përshtas dhe gjej mënyrën që ai të ketë kuptim, në përmasa më të mëdha.

Nëse shoh në ëndërr diçka të çuditshme, vij në studio dhe e vizatoj. Ka raste që ulem me fletën para dhe filloj të vizatoj. Vizatimet mund të jenë automatike, të menjëhershme dhe të çastit.

Ky vizatim Fly Past Past (Fluturo përtej përtej) është shembull se si unë ndjek atë që shoh. Diçka fillon të shfaqet në letër. Nuk është e vetëdijshme, mbase është bërë pa vetëdije, por vërtet nuk e di sa nga del ajo vijë që hedh në letër.

Kam studiuar vizatim dhe pikturë në Suedi dhe në Artet e Bukura në Paris. Në vend që të realizoj natyrat e qeta klasike apo figura, tani vizatoj ato gjëra që janë brenda meje. Me raste, vizatoj diçka që e kam parë, por nuk është kjo mënyra konvencionale e të vizatuarit, është shumë më e lirë.

Mënyra që parapëlqej është kur kam një vizion shumë të fortë dhe sapo vij në studio, ai shfaqet. Imazhi është i qartë, ngjyrat janë të qarta, çdo gjë është e qartë. Kjo është e mrekullueshme.

William Stover  Sa shpesh ndodh kjo?

Mia Enell  Jo shumë shpesh! Më shpesh, sidomos kur vizatoj, pjesë specifike të një imazhi apo të një ideje më vijnë ndër mend. Vizatimi Shedding Skin (Ndërrim lëkure) është një shembull i mirë. Pashë lëkurën e një gjarpri përtokë dhe mendova për idenë e lënies pas të diçkaje. Ky vizatim erdhi pas një gjendjeje meditative. Erdhi pas diçkaje fizike që pashë dhe lidhjes që i bëra më pas me përvojën dhe ndjesitë individuale.

Kur s’më intereson bota përreth, të gjitha ndjesitë për punën time më rrjedhin natyrshëm. Është një përzierje mes të qenët në kontroll dhe të qenët jashtë kontrollit. Te vizatimi Now (Tani) jam unë që mendoj për jetën dhe vdekjen. Si kalon koha dhe sa e rëndësishme është të jesh i pranishëm në një çast të caktuar. Ky mendim është shumë i rëndësishëm për mua. Ka njerëz që e kuptojnë se nuk do të jetojnë përgjithnjë dhe mërziten e trishtohen nga kjo. Unë e konsideroj të mrekullueshëm faktin që jam ende gjallë. S’mund ta marrim jetën për të mirëqenë. Kemi nevojë të jemi tek e tashmja, po aq sa të shohim përpara dhe ta lëmë të shkuarën të jetë e shkuar.

Kështu ndihem edhe kur pikturoj e vizatoj. Kam punuar në zhanre të ndryshme dhe me materiale të ndryshme – fotografi, video, skulpturë – tani, kjo seri punësh ka nevojë të krijohet në pikturë dhe vizatim.

William Stover  Sipas mendimit tim, mënyra jote e të punuarit i ka rrënjët tek aktualja, por edhe tek e shkuara dhe e ardhmja. Veprat e tua janë shumë të hapura.

Mia Enell  Po. Në fund të fundit, për çfarë është jeta? Si suedeze, unë mendoj shpesh për këto gjëra. Këto pyetje madhore më rrinë gjatë gjithë kohës në mendje. Sensi i humorit ndihmon kur gjërat bëhen të vështira. Mund të jem shumë serioze, dhe e njoh shumë mirë errësirën dhe trishtimin. Ndaj kam nevojë për dritën. Për mua, humori është një vektor. Vizatimi Life Has Not Been Easy (Jeta nuk ka qenë e lehtë) e reflekton këtë. Edhe pse të gjithë kalojmë përmes gjërash të vështira, prapë kemi nevojë të buzëqeshim.

Flame in Hand (Flakë në pëllëmbë të dorës) u realizua pasi kalova mbrëmjen me dikë dhe biseduam për gjëra serioze. Vizatimi përçon energjinë e asaj bisede. Te Good Ideas (Ide të mira) reflektoj për përmbytjen e shkaktuar nga Uragani Sendi. Mendova për dikë që mban një kuti me gjërat që zotëron. Nuk shkatërrohen vetëm sendet tona, por edhe pozitiviteti dhe energjia jonë. Është e vështirë të mendosh për të ardhmen, kur e tashmja po shkatërrohet nga uji. Bird at 3,000m (Zog në lartësinë 3,000 metra) jam unë që po vëzhgoj një zog lart, mbi një mal, që po sillet çuditshëm. A paraqet ky vizatim thjesht një zog të çmendur që e pashë për një çast? Nuk e besoj.

William Stover  Thua gjithnjë se puna jote është “më e madhe se ti”. Me kuptimin që edhe pse punët e tua janë shumë personale dhe burojnë nga thellësia jote, prapë janë shumë të hapura dhe u japin shumë të tjerëve. Ti prezanton emocione dhe ndjenja që të gjithë i provojmë, por shumë shpesh kemi frikë të përballemi me to. Si e konsideron shprehjen “ajo çka është më personale, është edhe më universale”?

Mia Enell Besoj se është e vërtetë. Unë e prezantoj veprën time pa e rrethuar me mure, të pambrojtur. Mendoj se duhet ta bëj këtë për të qenë artiste. Më jep kënaqësi të shoh se si njerëz të ndryshëm krijojnë marrëdhënie me punët e mia. Ata më thonë gjëra për veprën time që as unë nuk i kam parë.

Shpesh thuhet se arti duhet të trajtojë ngjarjet e botës dhe po, ai duhet ta bëjë, por mua më intereson më shumë mënyra se si ndihen njerëzit kur i provojnë gjërat. Pastaj dua t’i kushtoj vëmendje asaj që kanë përbrenda. Ato që duken si gjëra të pakapshme janë po aq të rëndësishme për t’u pikturuar sa një pjatancë me fruta apo diçka e tillë.

William Stover T’i kthehemi prapë idesë së universales, ose në këtë rast, personales që është politike. Flasim për Burrows (Strofullat). Sipas teje, ky punim lidhet me atë që po ndodh në botë?

Mia Enell  Ka mundësi. Të gjitha figurat duket sikur janë gra. Ndodh kjo sepse unë jam grua, apo sepse gratë po dalin në sipërfaqe, pasi diçka i ka mbajtur të shtypura për një kohë të gjatë? Nuk e di. Po nuk dua që puna ime të ketë të bëjë vetëm me një gjë. Nëse vepra kërkon qëllimisht të mos bjerë në sy dhe ka një fill humori, mundet që ajo të hedhë dritë mbi çështje madhore dhe jo thjesht një ide. Gjithnjë jam munduar ta mbaj veprën time të hapur. Ke mundësi të bësh një zgjedhje, të përqendrohesh dhe ta mbyllësh punën, ose ta mbash të hapur atë. Unë zgjedh ta mbaj të hapur.