Vizioni i zgjeruar i Shqipërisë (ALBANIA EXPANDED IMAGE): Bisedë me Z. ALFREDO CRAMEROTTI

“Realitetet më të dukshme dhe të përhapura ngado – e më të rëndësishmet gjithashtu, – janë shpesh më të vështirat për t’u parë e për t’u komentuar…”, shkruan Alfredo Cramerotti në prezantimin e tekstit të tij në Hyperimage. Të gjithë duhet të kuptojmë që jetojmë në botën e imazheve. Komunikojmë me ta, teksa punojmë apo përdorim arkivat, provojmë emocione ditë pas dite, ose shkëmbejmë informacion. I kopjojmë e rikopjomë, i fshijmë dhe i gjejmë sërish… Ato po bëhen fjalori ynë pa sintaksë, ku kohezioni dhe koherenca përgjojnë në kutinë e sendeve të humbura e më pas të gjetura. Artistët, ashtu si gazetarët, politikanët e shoqëria, prodhojnë imazhe dhe i shpërndajnë nëpërmjet pajisjeve të ndryshme, formateve për përdorime dhe audienca të ndryshme. Çdo çast, të gjithë ne përdorim një lloj “esperantoje pamore”. Si të arrijmë ta kuptojmë këtë fjalor të ri, ende jo të zyrtarizuar?

Alfredo Cramerotti do të flasë në COD për Hyperimage, duke shpjeguar argumentin e tij teorik si dhe qasjen individuale ndaj praktikës kuratoriale, njw dialog me Valentina Bonizzi.

Albania Expanded Image (Vizioni i zgjeruar i Shqipërisë) është një seri diskutimesh që lidhen me rolin e medias në prodhimin artistik të rajonit. Pas një hulumtimi paraprak, AEI arriti në përfundimin se në rastin specifik të Shqipërisë, marrëdhënia mes artit dhe medias është përthithur e gjitha nga dialogu politik që zhvillohet në televizione, radio, mediat sociale, ashtu si në baret e të gjithë vendit. AEI synon ta bëjë të dukshëm e të rëndësishëm këtë dialog, duke e risjellë në vendin ku ka ndikimin më të madh.

AEI
(Valentina Bonizzi, Alfredo Cramerotti dhe Dhoma e Sekreteve Publike)

Alfredo Cramerotti është shkrimtar, kurator, botues dhe artist, i cili ofron drejtim  strategjik dhe artistik të institucioneve kulturore. Cramerotti është drejtori i Mostyn, qendrës kryesore pamore të artit në Uells, në Mbretërinë e Bashkuar; bashkëdrejtor i AGM Culture, agjencisë kuratoriale roaming (2003-) dhe Dhomës CPS të Sekreteve Publike, si produksion i artit dhe medias (2004-); redaktor i serisë të Fotove Kritike, Intellect Books, Bristol në Mbretërinë e Bashkuar dhe Çikago në SHBA. Mes shumë të tjerash, ka bashkëkuruar bienalet Manifesta 8 në Murcia të Spanjës dhe Sekuencat 7 në Rejkjavik  të Islandës, tre pavijone në Bienalen e Venecias (Maldivet dhe Uellsin në vitin 2013, Mauritaninë në 2015) dhe EXPO VIDEO në Çikago të SHBA.

Cramerotti është lektor në disa universitete europiane dhe amerikane, duke përfshirë Goldsmiths, Universitetin e Londrës, Universitetin Katolik të Milanos, Universitetin e Liverpulit John Moores, Akademinë Kombëtare të Arteve të Oslos, Shkollën e Institutit të Artit të Çikagos, Universitetin e Uestminsterit, Universitetin e Artit dhe Dizajnit të Gjenevës, HEAD dhe Institutin Holandez të Arteve, DAI. Që nga viti 2012, është kërkues shkencor, kandidat për titullin Doktor në Qendrën Europiane të Kërkimeve Fotografike ECPR në Universitetin e Uellsit Jugor,  në Mbretërinë e Bashkuar.

Valentina Bonizzi

Puna kërkimore e Valentina Bonizzi-t eksploron rolin e imazhit në të gjitha format e tij të zgjeruara, duke e lidhur politikën e kohës me hibriditetin, migrimin dhe mjedisin.

Ndër të tjera, Bonizzi ka ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Skocisë, Gallerinë Stills, Fondacionin e Fotografisë Modena dhe Shkollën Britanike në Romë. Punën e saj kërkimore e ka prezantuar në disa institucione, si Akademia e Arteve Ramallah, Akademie der Künste, Berlin, Fondazione Pistoletto, Biella, Qendra Vizuale Kërkimore Dundee, Arkivi Kombëtar dhe administrimi i të dhënave në Uashington. Bonizzi ka publikuar në Gazetën e Studimeve Flusser “Çfarë e legjitimon fotografinë?” dhe në Katalogun Mauritious të Bienales së Venecias “Kur e ke kuptuar që je: Mashkull. I bardhë. Europian.” Përfundoi doktoraturën e financuar nga AHCR, me temë: “Kartografët: një praktikë e bazuar në kujtesë, konflikt dhe imazhe të ajrishme”. Puna e saj u kandidua nga AHCR si Puna Kërkimore më e Mirë në Çmimin e Filmit. Bonizzi bashkëpunon me rrjetin e Migracionit të Refugjatëve Azilkërkues, DAAR (Palestinë), revistën “Mnemoscape”, Akademinë e Arteve Free (ALA Group), Romë.

Dhoma e të Fshehtave Publike (Chamber of Public Secrets) është rrjet artistësh, kuratorësh e shkrimtarësh që ofrojnë një platformë të shprehjes artistike që shkon përtej asaj që njihet në skenën e artit botëror.

Si pasojë e zhvillimeve politike në botë dhe tërheqjes së shumicës së heshtur intelektuale nga spektri shoqëror, për në jetën akademike, arti i motivuar shoqërisht dhe politikisht është bërë forca lëvizëse pas praktikave kolektive të CPS.

CPS e cilëson artin si agjent të fuqizimit dhe përfshin shikuesit me prejardhje të ndryshme dhe komunitete të ndryshme. Fokusohet në historinë e estetikës vizuale, artit e kulturës me interesa të ndryshme në fushën e historisë sociale, kërkimit shkencor dhe teorisë kritike. Angazhohet me hapësirën publike dhe mënyrën se si e përdorin njerëzit; vë në pikëpyetje të menduarit institucional, kontrollin e mendimit dhe frikës së shkaktuar nga autoriteti dhe mënyrat e ngjalljes së autocensurës te producentët kulturorë si dhe apatinë socio-politike, si fenomen i përgjithshëm publik.

Hiperimazhi
Abstrakt

Të gjithë jemi të përfshirë në fotografi, na pëlqen apo jo. Nëse e lidhim këtë gjuhë vizuale me një funksion të saktë, apo e përdorim për ta formësuar veten si individë dhe komunitete, ekzistencën tonë e tregtojmë në imazhe. Iu referohemi imazheve dhe bërjes së tyre me veprime shoqërore, politike dhe kulturore.

Kategoritë e përcaktuara më herët në të cilat u nda, u praktikua, u kuptua dhe u diskutua fotografia janë rikonfiguruar tashmë. Duket sikur shoqëria jonë e ka çliruar bërjen e imazhit nga aplikacionet specifike të artikuluara më herët, duke i turbulluar kufijtë midis zhanreve dhe funksioneve, për ta kthyer imazhin fotografik në një subjekt të lirë në vetvete, të shkëputur nga çdo lidhje e veçantë me origjinën e vet; atë që unë e quaj “hiperimazhi’.

Fotografia ka një fjalor me gjuhë as e shkruar e as verbale, por vizuale e digjitale. Duke përdorur kurimin e artit si metodë dhe duke ndërtuar mbi strukturën time të mëparshme të hulumtimit në ndërveprimin e ndikimin e ndërsjellë mes punës artistike dhe mediatike (Gazetaria estetike: Si të informosh pa informuar, Intelekt, 2009), përpiqem të kuptoj se si hyri fotografia në moshën e saj të pjekurisë dhe se si mund ta përdorim konceptin e hiperimazhit për të kuptuar moshën tonë të informacionit vizual.

Si rikonfigurohen kërkesat, vlerat e justifikimet e artistëve dhe autorëve pamorë nëpërmjet hiperimazhit? Si veprojnë artistët bashkëkohorë si përkthyes të kërkesave të tilla nga njëri kontekst në tjetrin, në vend që t’i përfaqësojnë ato në një kontekst të vetëm?

Anasjellas, si mundet që mbarë “epoka e medias”, e cila thuajse nuk i njeh praktikat dhe qasjet e ndryshme vizuale, ta informojë prodhimin kulturor, duke përfshirë kurimin, bërjen dhe shfaqjen e ekspozitës? Përgjigjet e pyetjeve të mësipërme mund të zbulojnë se si ky moment fotografik në historinë e bërjes së imazhit, shpërndarjes, vënies në skenë dhe konsumimit të tij, po e ndryshon organizimin, po ashtu dhe parimin e prodhimit të krijimit pamor aktual e kulturor.

Alfredo Cramerotti, 2016