Loading Events

« All Events

  • This event has passed.

TE DIALOGOSH ME PRANI

October 14, 2016 @ 6:00 pm - January 14, 2017 @ 6:00 pm

COD hap sezonin 2016-3
Të dialogosh me prani

 

Tiranë, 14 tetor 2016 – I titulluar “Të dialogosh me prani”, sezoni 2016-3 në COD hapet me ekspozitën “Duke qëndruar pezull”, të kuruar nga z. Erzen Shkololli. Ekspozita ndërlidh veprat e artistëve Flaka Haliti, Laurent Mareschal, Nathan Coley, Peter Kogler dhe Vigan Nimani.

Duke shfrytëzuar teknologjinë kompjuterike për krijimin e rikrijimin e një serie imazhesh grafike, artisti austriak Peter Kogler prezanton 6 vepra “Pa titull”, mundësuar nga bashkëpunimi i COD me Ambasadën Austriake. Në Forum projektohen 16 intervistat e artistit, duke e sjellë në disa dimensione procesin e tij krijues.

Artisti skocez Nathan Coley prezanton veprën “Një vend përtej besimit”, krijuar në 2012. E ekspozuar në të gjithë botën në trajta dhe versione të ndryshueshme, me fraza sociale dhe ekzistenciale,aktualiteti i saj është mbresëlënës

Flaka Haliti, artistja që në 2015 përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, paraqet instalacionin “Duke qëndruar pezull”, një metaforë që e vë artistin përballë komercialitetit të botës që e rrethon. Instalacioni  është prezantuar më herët në Berlin në 2014. Për shkak të thjeshtësisë së punimit, vepra reduktohet në titull dhe në formën e vet përfaqësuese estetike.

Në sallën “Tako Artistin”, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, COD prezanton instalacionin “Beiti”, të artistit francez Laurent Mareschal. Një vepër jo e zakontë, e punuar me erëza, përmes së cilës evokohen lidhjet shumështresore të Lindjes me Perëndimin.

Në mjediset e tjera të Qendrës janë ekspozuar punimet minimaliste të Vigan Nimanit, frymëzuar nga mjediset moderne urbane, të zhveshura nga çdo dekoracion shtesë. Artisti kosovar sjell në COD mbresën e tij të përjetësisë metafizike, e shprehur në forma dhe marrëdhënie.

Vetë Shkololli shprehet se “titulli i veprës së Flakës, Just Hanging Around, (Duke qëndruar pezull) është një kryefjalë e njëkohësisht, çelës për hapjen dhe dialogun me estetikën e artit bashkohor që, edhe në subjektet në dukje efemere, gjen farat dhe erëzat e sublimes”. 

Erzen Shkololli është artist dhe kurator. Drejtor i Fondacionit “Unë e du Kosovën” në Prishtinë, Kosovë, si dhe  këshilltar kuratorial për documenta 14. Nga viti 2011 deri më 2015, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55- të Bienales së Venecias. Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë, e cila transformoi skenën vendase kulturore. Praktika e tij artistike përdor ritualet dhe folklorin vendas për të tërhequr vëmendjen te situata specifike socio-politike dhe është ekspozuar ndërkombëtarisht.

 

Details

Start:
October 14, 2016 @ 6:00 pm
End:
January 14, 2017 @ 6:00 pm