“E vështirë të mbijetosh, akomë më e vështirë t’i takosh të ardhmes.” (Naxhi Bakalli)
Naxhi Bakalli është një krijues në kërkim të së panjohurës. Ky kuriozitet i pashtershëm përshkruan jetën e tij. Njëkohësisht, i ka çliruar atij kufijtë e imagjinatës për t’i dhënë një fantazi të pashtershme, një shije të hollë e një ndjeshmëri të lartë.
Pyetja që i bëj vetes teksa shoh punën e tij është: “Si e ka Bakalli këtë rrezonim të përkorë me majat më të larta të artit bashkëkohor, duke qenë njëkohësisht edhe kaq kombëtar”?
Ky piktor “Formidable” dhe vizatues virtuoz lartësoi dhe ktheu në kumt familjen në tablotë e tij. Individualiteti i tij nuk është i ndikuar nga të tjerët. Atë e ka udhëhequr gjithmonë personifikimi i së bukurës.
Naxhi Bakalli u la në hije për shkak të tablosë “Kur yjet mbushin qiellin”, në vitin 1969, kur në Shqipëri u asgjësuan kishat e xhamitë, e konsideruar nga kritika zyrtare si e papranueshme. Por artisti e pranoi këtë në heshtje, megjithëse natyra e tij është e qelqtë. “Ai që fyhet më shumë është artisti i ndërgjegjshëm”, thotë Naxhi Bakalli. Për 33 vite, asnjë punë e tij nuk është shfaqur nëpër ekspozitat e kohës.
Linjat e tij nuk kanë mbingarkesa. Janë fine. Vizatimet për vallet shqiptare janë të një karakteri lakonik, si ajo e Tiranës, Dropullit, Kukësit, etj. Kjo i jep Naxhi Bakallit një taban popullor dhe vepra e tij është e çuditshme, sepse nga ky taban ai krijon figuracion. Nga qëndismat e grave tona, motivet e xhubletës deri tek ornamentet dhe nënshtresat shekullore.
Gruaja është gjithashtu motiv i shpeshtë në tablonë e tij. Misterioze, e bukur, e ndrojtur apo shpërthyese, teksa pikturon atë artisti ka një tis kënaqësie dhe relaksi.
Piktori Naxhi Bakalli ka krijuar një stil pikturik simbolik, duke u mbështetur në artin tradicional dhe folklorik, që shërben si gurrë e pashtershme për krijuesin.
Mjaft me interes janë edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat tona, si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alinë”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Shpiragu”, “Sopoti” e të tjera.
Naxhi Bakalli, nga viti 1977 e deri sot, është autor i më shumë se 50 serive pullash, të cilat janë të koleksionuara dhe në qarkullim në të gjithë botën.
Në vitin 1980 fitoi konkursin kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut për muralen e Muzeut të Krujës. Ai krijon “Përballimin”. Pa dashur të pasqyrojë aty një betejë të caktuar, Naxhi Bakalli na sjell bëmat e Skënderbeut dhe nëpërmjet artit depërton në nëndërgjegjen tonë.
Katër vite me vonë realizon muralen kushtuar Kuvendit të Dukagjinit për Muzeun e Burrelit.
Nëse, siç shprehet në fillim, Naxhi Bakalli e sheh të vështirë t’i takojë të ardhmes, nuk ka arsye! Ai i ka braktisur kufijtë e formave të caktuara, çka e shndërron në një nga piktorët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë. Tashmë emri i tij është përherësuar.
Jetona Koçibelli, Kuratore