Ekspozitë
Hapet ekspozita e radhës në COD për vitin 2022, e titulluar “Prekje” nga artistja Linda Guri. Kjo ekspozitë do të mirëpresë vizitorët në datat 4 shkurt deri më 28 shkurt 2022
Prekje – një fill emocioni. Ajo të thith butësisht duke qëmtuar në thellësitë e skutave të shpirtit, aty ku shpërthejnë afshe ngjyrash e lëvizjesh, ku si lastar hedh shtat një palimpsest i ri ardhur për herë të parë nga Linda Guri.
Një prekje e padukshme që mbështjell e pështjellon tiparin e shuar zanor, thënë dhe pa thënë…
E zhveshur nga frika, artistja shfaq sensualitetin, madhështinë hyjnore, universin e gruas, qenësinë e saj. Ngjyrat shpërthejnë, emocionojnë, frymëzojnë dhe jetojnë në metalin e ftohtë ku ato serviren, mes pluhurit mbulues, mes elegancës së plastikës, mes pastërtisë së ujit, si kodet që presin syrin t’i shkodojë…
– Unë jam Linda. Eja në eksperimentin tim! Dua të të marr në botën time transparente, në prekje të shumëdëshiruara. Rilind në tonet e penelit tim. Ofsho! Kthehu enigmë, e butë dhe e fortë, sensuale dhe e frikshme, e sigurt në vallen e ngjyrave mes pluhurit e maskës plastike, që të mbulon e të transformon derisa hapesh në metamorfozë shpërthimesh fluturake nën nuancat e brishta të nënvetëdijes.
Artiste e shumë dimensioneve, Linda frymëzohet nga njeriu dhe gjendja e tij, për të sjellë galaktikën në portretin e gruas, për ta shndërruar atë në ndjesi artistike, si antipod i formës materiale, si një dëshirë personale për të shkrirë talentet e saj. Zgjedh gruan, pasi vetëm përmes qenies komplekse mund të përcillen emocione të fuqishme. Si një yjësi që vibron, ajo të fton ta shohësh, të përtypesh, të përhumbesh e të zhytesh me të.