Ekspozitë

web
U hap në #COD ekspozita e parë për vitin 2022, “Në Kërkim të Artit” nga artisti i mirënjohur Helidon Gjergji, kuruar nga Santa Nastro.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe Kryeministri Edi Rama, si edhe artistë dhe dashamirës të artit.
Veprat e Helidon Gjergjit na ftojnë në një kërkim përtej artit, ku mekanizmat mediatikë që sugjestionojnë kërkesat tona vendosen përballë pafajësisë së natyrshme të një krijimi spontan.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 5 mars 2022, në sallën ‘Tako Artistin’.

Kërkimet e Helidon Gjergjit

Tema e perceptimit dhe e marrëdhënies sonë me imazhet ka qenë gjithmonë çelësi i hyrjes në praktikën e artistit Helidon Gjergji. Duke luajtur me shqisën tonë të nuhatjes, si në edicionin e tetë të Manifesta-s në Murcia, ose me shikimin tonë, si në projektin e paharrueshëm Fasadat, duke rigjallëruar një kompleks banesash sociale në Tiranë, ose me imagjinatën tonë, si në instalacionin e-magshes, në format e shumta të Shfaqjeve (Screenings), të propozuara në Polignano a Mare, në ekspozitën personale për fondacionin Pino Pascali në vitin 2016, Gjergji nuk dështon kurrë në aftësinë e tij për të hetuar mënyrën tonë të të shikuarit, të të lexuarit, të të dëgjuarit të së tashmes.

Ekspozita “Në kërkim të artit” është një hap i mëtejshëm drejt këtij rrugëtimi, duke u përqendruar në konceptimin e sotëm të dijes dhe, rrjedhimisht, në mënyrën se si ne kuptojmë dhe ndërtojmë mendimin. Në një botë ku përgjigjet e pyetjeve tona janë gjithnjë e më pranë nesh, ku sidoqoftë binomi “kërkim dhe rikërkim” shfaqet në të gjithë kufijtë e tij, duke mbetur në sipërfaqe dhe duke humbur kompleksitetin, cili mund të jetë roli i artit? Qasja e artistit bëhet pothuajse ajo e një arkeologu të së ardhmes. Shtrohen disa çështje, duke pyetur veten se si praktika artistike mund të jetë një armë paqësore në duart e një kërkimi më të vetëdijshëm për njohuri dhe nxjerr nga pluhuri i internetit imazhet që fshijnë kuptimet e njohura të gjërave ose që i mbështjellin ato me kuptime të reja, duke ofruar një gamë të gjerë interpretimesh dhe analizash të fenomeneve në zhvillim. 

Skeleti i artit, i rikuperuar jo rastësisht dhe në mënyrën e një qarku të shkurtër për një artist që ka punuar gjithmonë konceptualisht teknikat tradicionale të të bërit pikturë, vizatim, fotografi vihet nën lupën e pritjes bashkëkohore që zgjerohet, duke u përkëdhelur nën joshjen e Autocomplete-t. Përgjigjet e provokuara dhe të ofruara në mënyrë automatike, si pasojë e paaftësinë sonë për t’u përqendruar në një mendim, kapërcejnë mitet e mëdha të historisë së artit, ikonat e thjeshtëzuara të kulturës pop: Mikelanxheloja i shkel syrin një koteleje, Ulërima nga Munku bëhet një avokado shumë e shëndetshme. Zemra që rreh e anatomisë njerëzore vë në lojë like-t e Instagramit, duke pasuruar numrin e madh të emoji-ve që e kanë bërë Jugjenin, vezën me 55 milionë pëlqime, postimin më të dashur në botë, një fenomen ende i pashpjegueshëm në popullaritetin e kohës sonë.

– Santa Nastro

Foto

Video

Capture