KRYEMINISTRI I PAVARËSISË 1844 – 1919

→ Ekspozita | ISMAIL QEMAL VLORA - KRYEMINISTRI I PAVARËSISË 1844 – 1919

IMAZHI-4ISMAIL QEMAL VLORA
KRYEMINISTRI I PAVARËSISË
1844 – 1919 

Një nga ekspozitat më të veçanta të prodhuara nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD).
Figura e Ismail Qemal Vlorës e parë nëpërmjet 4 fotografive të përzgjedhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave që tregojnë jo vetëm portretin, por dhe jetën e tij në vite të ndryshme. 

Risia dhe qëllimi i ekspozitës është të risjellë figurën e Ismail Qemal Vlorës pas një përpunimi të thellë grafik digjital të fotove të përzgjedhura me metodën piksel-për-piksel, duke përdorur teknologjinë më të fundit profesionale.

COD falenderon për bashkëpunimin Z. Ardit Bido, Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave, Z. Edvin Çelo dhe Alban Kardashin për përpunumin artistik të fotove dhe materialeve, si dhe pinjollin e një familjeje epokale, Z. Darling Vlora, për përshkrimet e fotove, të cilat na sjellin përpara imazhin e Ismail Qemal Vlorës në harkun e gjatë kohor të jetës së tij.

Ekspozita është e hapur në COD për publikun çdo ditë të javës, nga e hëna deri të shtunën. Orari: 17:30-20:30.

ISMAIL QEMAL VLORA
KRYEMINISTRI I PAVARËSISË
1844 – 1919

Imazhi i Ismail Qemal Vlorës gjendet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë (DPA) në dosjen 4547, në 30 foto. Foto më e famshme e tij, portreti zyrtar që përfaqëson shtetin shqiptar sot në çdo zyrë, është realizuar rreth 107 vjet më parë.

Asnjë prej fotove në DPA nuk gjendet në formatin fillestar të kalimit nga dritë në kimi, nga moment në element; për këtë figurë kaq komplekse s’gjejmë aty asnjë pllakë xhami, asnjë negativ filmi. Shumë pak janë fotografi të stampuara. Shumë prej tyre, të prodhuara pas vitit 1914, janë ose foto të fotove, ose prerje gazetash, ose kartolina të realizuara prej fillim-shekullit XX, deri në vitet ’30-të, dhe mbartin retushime të thella të cilat thuajse kanë fshirë, ose ekzagjeruar tipare karakteristike personale të tij. Në linjë kronologjike, retushi diletant gjatë viteve të monarkisë, i lë vendin retushimit periodik dhe sistemik të periudhës komuniste. Imazhi i Ismail Qemal Vlorës, si të thuash, gjithmonë na ka ardhur i shformuar. Këtë burrë shteti nuk e kemi njohur kurrë mirë vizualisht.

Ekspozita në COD është një përzgjedhje prej katër fotosh nga ky arkiv prej 30 gjurmësh. Ato tregojnë jo vetëm portretin, bustin, statusin e shijen e tij por dhe jetën e tij në vite të ndryshme. Fotot na përçojnë identitetin e tij nga fotoja e parë e shkrepur në Athinë, si djalosh 23-vjeçar në 1867 e deri te portreti zyrtar që njihet nga të gjithë.

Risia dhe qëllimi i ekspozitës është të risjellë figurën së Ismail Qemal Vlorës pas një përpunimi të thellë grafik digjital të fotove të përzgjedhura me metodën piksel-për-piksel, duke përdorur teknologjinë më të fundit profesionale. Të gjitha fotot në ekspozitë janë skanuar dhe pas një procesi thellësisht rigoroz teknik është arritur një pastrim maksimal i figurës së Ismail Qemal Vlorës, printuar në format rreth 100 x 80 cm: tre në spektrin bardhë e zi, ndërsa portreti zyrtar në sepian e origjinalit të printit më shumë se 100 vjet më parë. Të digjitalizuara me rezolucion të lartë dhe të ruajtura në format elektronik, tashmë ato do të jenë gjithmonë si ditën e parë të shkrepjes duke i dhënë mundësi riprodhimit të tyre me cilësi të lartë.

Me shumë interes për këtë ekspozitë, por dhe per dosjen e tij në DPA është dhe gjetja e autorëve të fotografive në tre nga këto katër foto.

Falenderojmë Z. Edvin Çelo, për skanimin dhe përpunimin e imtësishëm artistik të fotove, kompaninë A-VIZION për printimin dhe kornizimin e fotove dhe pinjollin e denjë të një familjeje të vjetër dhe epokale, Z. Darling Vlora, për ndihmën e dhënë me detaje për përshkrimet e fotove, të cilat na sjellin përpara imazhin e Ismail Qemal Vlorës në harkun e gjatë kohor të jetës së tij.

Besojmë se kjo ekspozitë do të pastrojë pluhurin e kohës duke përcjellë thelbin e karakterit të një personazhi publik, në një kërkim të thellë për shpirtëroren dhe njerëzoren te njeriu dhe gjeniu politik, Ismail Qemali, Kryeministri i Pavarësisë.

Ekspozita është e hapur për publikun nga e hëna në të shtunë, ora 17:30 – 20:30.

IMAZHI-1Imazhi i parë i përket harkut kohor 1866-1870, kur Ismail Qemal Vlora, sapo kishte filluar të hidhte hapat e parë në karrierën e tij të gjatë në administratën e Perandorisë Osmane. Eshtë pikërisht periudha kur u trasferua fillimisht në Rusçuk (sot quhet Ruse dhe gjendet në Bullgari), qendra e Vilajetit të Danubit, guvernator i së cilës ishte Mid’hat Pasha (1822-1884), burri i shtetit dhe reformatori i famshëm i Perandorisë Osmane. Ismail beu u bë më pas një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Në këtë hark kohor Ismailin e ri e gjejmë në funksionin e sekretarit të parë të vilajetit dhe, gjatë mungesës dhe me kërkesë të Mid’hat Pashës mbulonte, ad interim, edhe drejtimin e departamentit të çështjeve politike. Me transferimin e Mid’hat Pashës në Stamboll (1867), si President i Këshillit të Shtetit, edhe Ismail beu u transferua në kryeqytetin e Perandorisë si maître de requêtes (në anglisht Master of Requests) i klasit të parë, po në atë Këshill. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, në gusht të vitit 1867, ndërsa ndodhej në Rushçuk, Ismail beu u martua me Kleoniki Surmeli (1850-1918), martesë që zgjati plot 51 vite. Nga kjo martesë – e dytë – lindën dhjetë fëmijë, gjashtë djem e katër vajza. 

Credits për foton: Studio Carl Boehringer, Athinë, circa 1867. Foto nga mbrapa është shkruar në frëngjisht (dhe pak turqisht), me gjasë nga një nëpunës në foto-studio dhe lexon tekstualisht: Ismail Kemal Bey Vlora, au temps de Midhat Pascha, premier secretaire de vilayet du Danube/Tuna vilayeti/.

 

 

IMAZHI-2Imazhi i dytë, i përket periudhës 1884-1890, periudhë gjatë së cilës Ismail beu shërbeu si guvernator i provincës së Bolu-së, një nga provincat më të rëndësishme aziatike në afërsi të Stambollit. Gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare Ismail beu u dallua për aftësitë drejtuese dhe menaxhuese. Ndërtimi i mjaft veprave të rëndësishme publike si: spitale, shkolla, rrugë, ura, etj., kujtohen akoma edhe sot në publikime të ndryshme që lidhen me historinë e provincës së Bolu-së. 

Credits për foton: Abdullah Frères, Stamboll, Perandoria Osmane, rreth vitit 1884-1890. Fotoja nga mbrapa është shkruar në turqisht dhe është marrë nga libri Osmanli Mebuslari 1324 – 1327 / Deputetë Osmanë gjatë viteve 1324 – 1327 (sipas kalendarit islamik) barazvlefshëm me vitet 1908 – 1911 të kalendarit gregorian. Fotoja cilësisht në turqisht lexon: Ismail Qemal Bey / Berat Mebusu / Türk Tarih Kurumu / Osman Ferit Saglam, foto ars, 30. (Ismail Qemal Beu / Deputet i Beratit / Instituti i Historisë Turke / Osman Ferit Saglam, arkivi i fotove, 30).

 

 

 

 

IMAZHI-3Imazhi i tretë, është realizuar në Vjenë (qershor 1913), në ambientet e brendshme të “Grand Hotel”. Ismail beu, si Kryeministër i Qeverisë shqiptare dhe njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Jashtme të saj, ishte vendosur në atë hotel bashkë me delegacionin qeveritar gjatë udhëtimit në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar në kryeqytetet evropiane, veçanërisht në Londër, ku zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve. Udhëtimi i Ismail beut dhe delegacionit qeveritar, ku bënte pjesë edhe Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi, zgjati për gati tre muaj (prill-qershor 1913).

Gjatë vizitave të tij në kryeqytetin e perandorisë austro-hungareze, Ismail beu qëndronte shpesh në “Grand Hotel”. Në të njëjtin hotel ai kishte qëndruar edhe gjatë nëntorit të vitit 1912, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, nga ku dërgoi edhe telegramet e njohura me të cilat lajmëronte se e ardhmja e Shqipërisë ishte siguruar. 

Credits për foton: Anonim. Nuk dihet se kush e ka realizuar këtë foto, por fakt ngelet që është bërë në Vienë dhe me gjasa nga një foto-studio vjeneze në qershor të vitit 1913. Ky është dhe imazhi – në cilësi të dobët – me të cilin hapet edhe libri ISMAIL QEMALI, shkruar nga Koli Xoxi (Shtëpia Botuese 8 Nëntori, Tiranë, 1983). Eshtë i vetmi imazh i Ismail beut në këtë libër.  

 

 

IMAZHI-4Imazhi i katërt, është realizuar nga fotografi Vani Burda dhe është realizuar gjatë vitit 1913. Fotoja është i periudhës kur Ismail Qemal Vlora ishte Kryeminisër i Qeverisë. Kjo është fotografia zyrtare me të cilën identifikohet shteti shqiptar që nga viti 2013. Fotoja origjinale është e dobët në cilësi dhe e një formati modest (rreth 10cm x 6cm) dhe mban përpara, në skajin e poshtëm që s’duket këtu, të shkruar me dorë mbi vetë foto e stampuar emrin ISMAIL QEMAL VLORA, dhe më poshtë: Fot. V. Burda, ku V. Burda është e lexueshme qartë dhe e stilizuar si firmë, e bardhë. Nëpërmjet një pune të kujdesshme dhe të shtrirë në kohë kësaj fotoje i është dhënë drita dhe përmasa e vërtetë: një sfumato rembrandeske që tenton të zhdukë kohën e të fiksojë përjetësinë.