Mite të Vjetra Moderne

→ Ekspozita | Mite të Vjetra Moderne

img
HERMON MADHI | Mite të Vjetra Moderne
21-31/01/2020

@ COD – Center for Openness and Dialogue

Kjo ekspozitë është një revoltë e butë ndaj denatyralizimit të botës njerëzore dhe njeriut të “programuar”që po e orienton shoqërinë drejt humbjes së vlerave.

Jetojmë në një botë pak të ndjeshme. Shpesh na duket se historia fillon me ne. Udhëtimi ynë vazhdon përmes një shoqërie që shenjtëron paranë dhe që hap pas hapi po humbet disa vlera të rëndësishme të cilat na shenjojnë si krijesa të ndërgjegjshme dhe krijuese. Kjo bën që rrugëtimit tonë t’i mjegullohet horizonti.

Mitet i shoh si një mjet artistik për të risjellë dashurinë, sakrificën, heroizmin. Personazhet e miteve me historitë, bëmat, në të shumtën e rasteve,  bëhen të nevojshëm për të kuptuar që bota nuk është krijuar sot dhe jeta jonë nuk është diçka statike që e garanton lumturinë e vet vetëm nga teknologjia . Heronjtë e miteve mund të thyejnë indiferentizmin “social”, mund të bëhen sërish një sfidë ndaj “unit” materialist. Doemos ndihmojnë në “stolisjen” e njeriut me veçoritë e tij individuale, me tipare dhe karaktere të spikatura, duke e berë atë të ndryshëm nga stereotipet.

Heronjtë mitikë mbeten modernë, sepse ata flasin gjithmonë duke qenë të sinqertë me ne pavarësisht nga koha dhe shijet.

Në realizimin e ciklit grafik është përdorur rapidografi me te cilin skalis çdo hollësi, të cilën sot nuk ma zëvendëson dot teknologjia. Krijimi artistik është një ekuilibër midis logjikës dhe emocionit, racionales dhe ndjenjës. Spontaniteti dhe befasia ndihmojnë në zhvillimin e ideve përmes një eksperimentimi të vazhdueshëm.

Boja mbi letër është për mua një shenjë e patjetërsueshme në përpjekjet e mia për të krijuar i çliruar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 janar 2020.