holl

“Ke gjithë këtë bukuri, por je bosh. Askush nuk vdes për ty.”
Princi i Vogël
Antoine de Saint-Exupéry

Mia Enell është një artiste e shumë kontureve dhe personazheve. Pikturat e saj, por sidomos vizatimet e saj, të vogla dhe intime, në dukje të pafajshme, por thellësisht psikologjike, të ndërlikuara dhe misterioze, të vizatuara thjesht me laps dhe me bojëra uji, portretizojnë skica njerëzore, ngjarje shpirtërore dhe forma të çuditshme jetësore. Puna e saj ofron një rebus pamor, që na bën kuriozë dhe na ngacmon me një thjeshtësi simbolike që nuk duhet të merret ashtu si ta sheh syri.
Mia Enell punon e frymëzuar drejtpërsëdrejti nga ëndrrat. E pajisur me dhunti të rafinuara të vëzhgimit dhe shprehjes, imazhet dhe skenat surreale që krijohen në skutat më të thella të të pandërgjegjshmes së saj dalin në dritë, mbi letër ose mbi kanavacë, mot-à-mot. Çdo vepër e Enell ofron një trajektore personale që gërsheton botën e ëndrrave, realitetit dhe fantazisë, me sferat e artit, estetikës, metafizikës dhe subjektivitetit. Motivi i saj i përsëritur duket të jetë shkurtimi dhe mjegullimi i distancës midis asaj që ne e quajmë pjellë e fantazisë dhe asaj që kuptojmë si të vërtetë, reale. Meandret e saj të ndërlikuara piktorike që cekin gjuhësoren dhe simboliken, së bashku me metodën e saj të personalizuar të portretizimit dhe kapjes së alienizimit të shoqërisë bashkëkohore, koagulohen në një këndvështrim të veçantë artistik. Asociime delikate të imazheve sjellin në fokus aktivitetin ngulmues të oneirikes, në përpjekje për t’u transformuar në diçka fizike dhe të prekshme. Në punët e saj ekziston një qartësi lineare e vizionit personal, një këmbëngulje kokëfortë për ta transmetuar subjektin të pandryshuar dhe të detajuar në të gjitha hollësitë, tonet dhe nuancat e tij.
Ashtu si në jetën e vërtetë, figurat e vetmuara të Mia Enell janë të rrethuara nga hapësira boshe, në pritje për t’u mbushur, në kërkim për të marrë kuptim. Në veçanti, piktura WiFi e vitit 2016 përshkruan gjallërisht se si vibracionet e teknologjisë, me “retë” e tyre të padukshme gjithnjë e më të hijshme, e mpijnë ndjenjën tonë të qenies me një rrjedhë të pafundme informacioni të pakuptimtë, të panevojshëm.
Subjektet e saj, shpesh prototipa në mesomoshë, të kapur në kurthet tinëzare të jetës e të turbulluar në shpirt nga paaftësia për të kuptuar dhe përballur kalimin e kohës, nisen të eksplorojnë pyetje themelore rreth rolit të tyre individual në shoqëritë e botës së parë. Nga veprat e saj, këta njerëz na vështrojnë në sy, të kapur në një ankth metafizik, ndonjëherë të trembur, e shpesh të hutuar dhe të pasigurt për vendin e tyre në botë. Pothuajse në të gjitha veprat që shihen në këtë ekspozitë, duket se ka shpresë se me anë të një përpjekjeje të veçantë, një “ndërrimi të lëkurës”, një propozimi me “ide të mira”, ardhjes së një zarfi misterioz, një udhëtimi në vende të largëta ku qielli është i kuq dhe valët e detit janë të zeza si bitum, me ombrellë në dorë, njeriu bashkëkohor do të gjejë shpëtim. Ose, edhe nëse nuk gjen shpëtim, të paktën ka shpresë se identiteti individual dhe kontakti i vazhdueshëm emocional nuk do t’i mohohet, se gjithsesi, ai nuk do të jetë “i padukshëm”. Është e paqartë nga veprat këtu nëse ndonjëra nga krijesat e saj arrin ta zbulojë ndonjëherë këtë Arkadi personale.
Në skicat dhe vizatimet e saj fëminore duket se Enell pajtohet me përkufizimin themelor të Frojdit, se shqetësimet e pacientit janë të rrënjosura në një anomali të përgjithshme, në një sëmundje që nuk mund të shërohet dot nga terapia psikanalitike. Personazhet e saj s’mund të ndërmarrin analizën e vendit të tyre në një botë që tashmë nuk është më misterioze. Siç thotë edhe Sartri te “Qenia dhe Asgjëja”, “autenticiteti dhe individualiteti duhet të fitohen”. Qëllimi i punës së Mia Enell është të harmonizojë kërkime formale piktorike me pyetje të drejtpërdrejta filozofike në një mëdyshje me rëndësi, por dhe destabilizuese: “Pse gjërat janë kështu si janë dhe jo ndryshe?”.

Genti Gjikola
Kurator

protokollar