“Është shumë më mirë kur gjuha i ndan fjalët: histori dhe rrëfim…” mendon Gaëlle Cognée, teksa planifikon performancën pamore të radhës në Tiranë. Parapëlqen ta arsyetojë ndarjen linguistike të dy kuptimeve, për të na shpjeguar mënyrën të ndërthurjes së tyre, duke na drejtuar lehtësisht në keqkuptimin e të dyjave. Çfarë i mbetet spektatorit nga puna e Cognée, qoftë film, instalacion apo performancë, është një mister që zgjat në kohë, pa qenë në gjendje ta dallojmë vetveten dhe kujtesën tonë, të shkuarën tonë, për sa kohë jemi zhytur në mjegullën e sekuencave jolineare, të krijuar nga imazhet e saj të sakta dhe elokuente, perceptimet e rrëfimet.
Për COD Artist Talks, Gaëlle COGNÉE do të rrëfejë një histori të vërtetë, duke zbuluar pengesat e buta të kalueshme dhe hartat e ndërlikuara të ndodhive e marrëdhënieve… Historia zuri fill diku në Tiranë në vitin 2015 dhe përfundon aty ku nisi, 364 ditë më vonë.
PUNËT E PARAQITURA
Salla Digjitale
– A Concrete Hotel (2015)
Video e arkivuar nga një leksion i dhënë në COD, dhjetor 2015, 26’
Zhvendosja e leksionit Hotel Palenque, i ligjëruar nga artisti amerikan Robert Smithson në vitin 1972, në kontekstin e Tiranës, fjalimi shpjegues dhe imazhet e projektuara gradualisht i japin formë një hapësire misterioze. Është një vend për të cilin mund të keni dëgjuar, një vend i prirur për ta humbur fokusin e tij, një vend me një arkitekturë mendimesh, si i trullosur nga pritja.
Forumi
Blind Alleys as Ocular Ex Voto (2016)
HD Video, 15’
Në labirintin e pandjeshëm të një muzeu historik, i cili duket se e ka humbur kronologjinë e vet, paranoja rritet nga kontradikta e pakalueshme: një e tashme në lëvizje duhet të mbajë të ngrirë një të shkuar që kërkon arratisjen. Por e pathëna – një breshkë, si heshtje prehistorike, merr thuasje rolin e një objekti muzeal, duke e çmontuar rrëfimin historik dhe filmik.
BIO
Gaëlle Cognée (Francë, 1988) u diplomua në Universitetin e Arteve të Bukura në Lion, më pas në Universitetin e Arteve Emily Carr në Vankuver dhe në vitin 2013, përfundoi studimet në Universitetin e Arteve në Paris-Cergy. Gjatë studimeve nisi projektin kolektiv Plafond, i cili kishte si qëllim ekspozimin jashtë kubit të bardhë të zakonshëm, përmes një qasjeje specifike në secilën faqe. Plafondi tashmë përbëhet nga gjashtë artistë dhe është ekspozuar në një fabrikë të vjetër në Botz-en-Mauges (Plafond I dhe II), në hapësirën e drejtuar nga artistët Der Kanal në Berlin (Muskel) dhe në shkolla të ndryshme të mesme në Paris, Dornes dhe Decize (Les Méprises and Paysage pour un pickpocket).
Gjatë vitit të kaluar, Gaëlle Cognée kaloi katër muaj në Tiranë dhe një muaj në Tangier, si anëtare në projekte bashkëpunuese rezidenciale. Punën e saj do ta shfaqë në hapësirën artistike, të drejtuar nga Pauline Perplexe (Arcueil, Francë), në mars 2017.