Ekspozitë

Të prekësh të padukshmen

Poster Bujar Luca

Artist BUJAR LUCA

Refleksione – “Jetë, ngjyrë, hapësirë”

Në pikturën e artistit Bujar Luca, ajo çfarë rrëmben vështimin menjëherë është forma e më pas ngjyra. Një shigjetim i menjëhershëm instiktiv përfshin shqisën e vështrimit duke ndjellë kërkimin drejt detajit. Tablo të përmasave të mëdha janë ato me të cilat vizitori prezantohet si fillim nga piktori Luca, të cilat pas hipnozës fillestare na zbulojnë një kaleidoskop të formuar me kujdes prej disa copëzash unike.

Në stilin e tij bashkëkohor, Bujar Luca eksperimenton me formën dhe ngjyrën, duke mos u mjaftuar me një imazh unik, por duke kërkuar më shumë mbi natyrën e formës dhe raportin e saj me hapësirën që zotëron. Vetë natyra e formëzimit të imazhit final, na bën të reflektojmë mbi stilin e tij, ku forma e ngjyra mund të japin emocion edhe nëse shihen secila pjesë individualisht. Por kërkimi i piktorit është përtej të dukshmes, duke synuar uniken e vetë qenies me figurat e tij ajrore, të cilat na ngjajnë se po performojnë një vallëzim të përjetshëm. Të ekspozuara në hapësirë, këto imazhe ngjajnë se frymojnë në lëvizje, duke injoruar kufijtë fizikë të tablosë, herë në vorbulla spiralesh që shëmbëllejnë me portale dimensionesh mistike, e herë me silueta fosilesh e krijesash të paidentifikueshme.

Në një tjetër hapësirë, ku njihemi me “gjenezën e penelit” të artistit Luca, na prezantohen qartësisht silueta më tokësore, personazhe të njohur e të panjohur, që të përbashkët kanë vështrimin zhbirues. Kombinuar në harmoni me peizazhe territoresh që kanë lënë gjurmë në jetën e artistit, i cili në mënyrë ndoshta instiktive, i përjetëson përmes gjurmës së ngjyrës në tablo. Skenografia mistike shfaqet e veshur me ngjyrat e çdo stine, jo vetëm në ilustrime peizazhi por edhe në situata meditative të një natyre të qetë ku subjeti dhe objekti frymojnë njësoj. Këto vizatime, piktura e grafika, janë në fakt një rekuiem i vetë jetës së artistit në Shqipërinë e turbulluar të viteve ‘70 -‘80, që

dëshmojnë si gurë themeli fuqinë e dëshirës për të dalë jashtë kornizimeve, të përcaktuara nga absurditeti i artit mbyllur në kafaz.

Rrugëtimi i lirisë nis pas viteve ‘90, ku piktori Luca na e rrëfen qartë përmes tablove të ekspozuara në korridore, simbolikë e një rruge që tanimë merr formë. Figurat ajrore vallëzojnë më në fund në hapësirën pafundësisht të lirë, si një frymëmarrje e munguar që rrëfen ngjarje të së shkuarës dhe të tashmes. Por me të gjithë transformimin që piktura e Bujar Lucës pëson, nuk është aspak braktisje e stilit, por evolucion i tij. Larg atdheut, ai zbulon horizonte të reja, pa harruar të rikthehet përmes pikturës në vendlindje, përmes ngjarjesh që lënë gjurmë si trazirat e viteve ‘96 -‘97, përjetësuar në triptikun “Shkatërrimet e luftës”. Përpos mallit njerëzor të ndarjes e ndjesive të një atdheu në tranzicion, ajo çfarë bën përshtypje është rizbulimi i vetvetes pëmes pikturave realizuar me “sy mbyllur e shpirtin hapur”.

Në kthesën e këtij rrugëtimi gjejmë përsëri simbolikën si epiqendër, ku 11 tablo na shfaqen si pergamena të zeza veshur me kaligrafi e imazhe mistike. Realizuar të shtrira në kohë (2006-2020), këto tablo ngjajnë me një ditar ku artisti herë pas here hedh shënime e skica të cilat mund t’i deshifrojë vetëm ai. Por në estetikën e tyre, këto hieroglife të argjendta ftojnë vizitorin për t’i zbuluar në një dialog lëvizjesh të vazhdueshme.

Në mbyllje të siparit, si një ftesë private për të zbuluar më tepër, ftohemi në sallën e “gurit” ku muret përreth “tavolinës demokratike” vishen me grafika mbresëlënëse, të realizuara në vitin 1993. Veçantia e tyre, përpos stilit të vrullshëm e imponues, qëndron në materien e realizimit. Një prej rasteve konkrete kur mjetet justifikojnë qëllimin është ky cikël grafikash, që na reflekton jo vetëm kërkimin për lëndën e parë (letrën), por edhe kërkimin për t’u çliruar nga nyjet e një izolimi të panevojshëm artistik. Si një dëshmi simbolike, artisti përdor letrat e fundit shqiptare me një teknikë që në vendlindjen e tij, nuk do të ishte mirëpritur aspak.

Bujar Luca niset nga periferia e vetvetes drejt qendrës së tij, duke kërkuar vazhdimisht uniken, pa kompromise. Ndaj kjo ekspozitë është përtej retrospektivës klasike të një artisti. Duke na rrëfyer një jetë në veprim e lëvizje të vazhdueshme, vendosmërisë e dëshirës për liri, ashtu si krijimtaria duhet të marrë jetë, Bujar Luca i thur vargjet e ngjyrave përtej të dukshmes, ku intuita e ajrorja qëndrojnë në harmoni të plotë.

Fotografi