Ekspozitë

Elga Mitre poster

Shpirtra të zhveshur

 

“Feminiliteti, ashtu si oqeani, rrjedh fluid, është i fuqishëm e i thellë dhe përfshin kompleksitetin e pafund të jetës; lëviz me dallgë, rryma, batica e ndonjëherë me stuhi. Ashtu si oqeani, feminiliteti nuk qëndron kurrë pa lëvizur.” – Isabel Allende

Në vizatimet e grafikat e Elga Mitres, feminiliteti na imponon ta vështrojmë përtej të dukshmes. Herë shprehur në prekje delikate bardh e zi, e herë në ngjyra primare të fuqishme, mesazhi ndodhet aty: “Unë nuk jam një objekt”.

Kështu nis edhe vetë rrugëtimi artistik për Elgën, me dëshirën për të shprehur këtë mesazh, ajo krijon silueta dhe portrete, krijon personazhe të cilat frymojnë ngjyrë pas ngjyre, duke i veshur si petk të fundit disa vargje që na flasin më shumë.

Këto gra nuk kanë frikë të zhveshin shpirtin përpara vizitorit, përkundrazi, ato qëndrojnë enkas ashtu siç janë, me inperfeksionet e tyre të përkryera, vështrimet që emocionojnë e lëvizjet që rrëfejnë.

Të zhveshësh shpirtin, procesi më intim që një grua mund të bëjë, si një akt final pavarësie dhe feminiliteti, na shpaloset në këto 31 vepra. Të ndara në portrete dhe silueta, ato komunikojnë me njëra-tjetren në harmoni estetike, por edhe lozonjare.

Hapësira ekspozuese e Hollit Protokollar na prezanton me veprat më përfaqësuese të Elgës, të cilat kërkojnë me zë të fuqishëm të vështrohen pa filtra. Ndërsa në sallën “Tako Artistin” njihemi me situata më intime, me dëshirat dhe ndjesitë në lulëzim të këtyre grave që komunikojnë në çdo lakim trupi.

Ekspozita “Shpirtra të zhveshur” fton publikun në këtë komunikim përmes artit të përjetojë guximin e grave që nuk druhen të shfaqin vetveten, por që dëshirojnë e ndjejnë me stuhi ngjyrash.

Fotografi