Ekspozitë

IMG_5554_edited

“Në emër të lirisë”

është një ekspozitë pikture e cila përmban 157 punime artistike të artistit autodidakt z. Rexhep Selimi. I ndodhur në kushte jo të zakonshme, brënda qelisë së tij në Hagë, ai shfaq një talent të fshehur duke hedhur fillimisht në letra, më pas në kartona dhe telajo përjetimet e tij mbyllur në dhomën e ftohtë të burgut të sigurisë së lartë. Ai ëndërron, kujton, rebelohet, ulërin, pajtohet, përmallohet e fakton në mënyrë krejt origjinale cdo gjë që kalon në mendje dhe në ditët e tij të izoluara.

Nxiton të hedhi në skica e ngjyra çdo send apo lule që vjen nga takimet me familjen, me vajzen e vogël së cilës i dedikon pjesën më të madhe të punëve. Këto sekrete të vogla u rrëfyen nga autori në takimin e bërë në atë fortesë gjigande midis tij dhe kuratores së ekspozitës.

Në artin që z.Rexhep i njohur ndryshe për miqtë me emrin e shkurtuar Rexha, arrin gjithmonë të deshifrosh simbolika dhe detaje shqiptare, njëlloj dhe në vargjet e prozat që ai krijon, duke sjellë admirim e njëkohësisht shpresë si mesazhe të fshehura për të gjithë shqiptarët anembanë. Çdo krijim të mbush me emocione që lidhen ngushtësisht me autorin, të shkuarën e tij dhe emrin e lartësuar të shqiptarisë.

Koncepti i kompozuar nga kuratorja Eridana Çano ka një lëvizje të kontrolluar e organike në hapësirat që zë. Veprat janë vendosur në formën e një rrëfimi linear i cili fragmentarizohet sipas ndarjeve tematike të cikleve artistike duke i dhënë vizitorëve një panoramë të qartë të mozaikut krijues së një autori i cili ka gjetur një impuls artistik në kohë dhe kushte te pazakonta. Në koherencë me procesin e krijimit, ekspozita është ndërtuar që veprat të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Nuk ka asgjë të rastësishme në renditjen e tyre. Përzgjedhja është si fjalët e zgjedhura me kujdes në një rrëfim.

Imazhet e hedhura në ngjyra janë ndarë dhe vendosur në cikle të cilat përkojnë me kohën dhe temën mbi të cilën ai krijon. Cikle si “Me sytë në hapësirë”, “Rruga drejt lirisë”, “Copëza jete në filigran” , “Mall për shtëpinë”, “Etnos” , “Emblema të gjelbërta”, “Kënga e lahutës”, “Xhamadani vija-vija”, “Duke pikturuar Hënën”, “Përjetime në kafe”, “Anticovid”, “Ngjyra mbi rrenoja”, etj, janë disa nga titujt e cikleve që mbulojnë të gjitha hapësirat ekspozuese së Qëndrës për Hapje dhe Dialog.

Fotografi