Ekspozitë

Banner

Në Ditën Ndërkombëtare kushtuar Gruas, COD në bashkëpunim me UN Women në Shqipëri, hap për publikun ekspozitën “I have a dream” nga fotografja Jutta Benzenberg, e cila përmes objektivit të saj, kap në një ‘beze të kujtesës’ ëndrrat e të rejave nga zonat më të thella të Shqipërisë.

Ekspozita “I have a dream / Unë kam një ëndërr” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 31 mars 2022, te koridoret ekspozuese të COD.

Unë kam një ëndërr… 

Projekti fotografik “Unë kam një ëndërr” i UN Women në Shqipëri dhe Jutta Benzenberg, ilustron ëndrrat e të rejave dhe adoleshenteve shqiptare nga zonat e thella të vendit. Përballë objektivit, ato u çliruan nga elementet zakonore dhe normat patriarkale, duke përqafuar lirinë e ëndrrave të tyre për një të ardhme të arritshme.

Falë optikës së saj vëzhguese, empatike e intuitive, Benzenberg kap shpirtin e vërtetë të këtyre ëndrrave nëpërmjet një studimi soditës të syve të të rejave, teksa ato ia besojnë aspiratat e tyre kamerës. Befas, e largëta vjen afër, subjekti bëhet i vërtetë; portretet e panjohura shndërrohen në familjare, bashkë me mjediset e tyre të largëta e të kufizuara, duke u tjetërsuar kështu në një botë mundësish.

Këto fotografi nuk rrëfejnë thjesht histori, ato i mundësojnë shikuesit të kapërcejë gjendjen e spektatorit të thjeshtë dhe të zhvillojë një lidhje të vërtetë me personin që qëndron pas imazhit, me shpresat e saj, energjinë e saj dhe shfaqjen e vërtetë të qenies së saj. Tashmë, zërat e këtyre të rejave shqiptare mund të dëgjohen, dëshirat e tyre mund të ndjehen, aspiratat e tyre të kuptohen, qoftë nëse ato ëndërrojnë që të bëhen artiste, mjeke, avokate, apo thjesht gra të pavarura të forta që i bëjnë prindërit e tyre krenarë.

Por, ky projekt nuk përfundon këtu. Ai është një thirrje ndaj shoqërisë për të drejta dhe shanse të barabarta, për të sfiduar stereotipat gjinorë. Është një lutje për të sheshuar hendekun që qëndron ndërmjet këtyre ëndrrave dhe realizimit të tyre.

Kjo ekspozitë është një nismë e UN Women Shqipëri, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në bashkëpunim me COD dhe me mbështetjen e çmuar të Qeverisë Suedeze.

Foto

Video

Screenshot 2022-03-09 at 13.33.12